Jakobin e Desha, por Ezaun e Urreva (Romaket 9)




Zgjedhja

“10. dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatëzënë nga një burrë, Isaku, ati ynë, 11. (sepse para se t’i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur qëllimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret), 12. Iu tha asaj: “Më i madhi do t’i shërbejë më të voglit”, 13. Siç është shkruar: “Jakobin e desha, por Ezaun e urreva”. 14. Çfarë të themie pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Kurrë mos qoftë! 15. Sepse ai i thotë Moisiut: “Do të kem mëshirë për atë që do të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri”. 16. Kështu, pra, nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që ka mëshirë. Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: “Pikërisht për ktë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun”. 18. Kështu, ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do." Romakët 9:10-18

Një nga arsyet kryesore se pse disa të krishterë refuzojnë të kuptuarin e reformuar biblik për zgjedhjen hyjnore është për shkak të traditave që ata kanë në lidhje me dashurinë e Perëndisë.
Reagimi i fortë kundër doktrinës së Sovranitetit të Perëndisë në zgjedhje vjen shpesh herë për shkak të një dëshire për të mbrojtur një koncept që ata kanë për dashurinë e Tij. Ata ndiejnë që atributi i Perëndisë për dashurinë po vihet në dyshim ose po sulmohet.

Nevojitet kujdes i madh për ti çuar njerëzit te vargjet biblike që mund ta sqarojnë këtë çështje. Jo çdokush është i hapur për të shqyrtuar hamëndësimet e tij, për shkak se këto tradita janë shumë të forta. Tradita që thotë se Perëndia i do të gjithë njerëzit në të njëjtën mënyrë është shumë e fortë. Më duhet të them se për shumë vite, ky ishte tamam edhe mendimi im. Shumë njerëz nuk shikojnë aspak nevojën për të shqyrtuar vargjet, sepse në mendjet e tyre, koncepti që ata kanë për dashurinë e Perëndisë është i barabartë me atë që Bibla mëson. Siç thotë me të drejtë Dr. Xhejms Uait (James White), "ata që janë më të skllavëruar ndaj traditave të tyre janë ata që nuk besojnë se kanë ndonjë traditë."

Sido që të jetë kuptimi ynë për frazën "Jakobin e desha, por Ezaun e urreva" te Romakët 9, mendoj se të gjithë duhet të biem dakord që dashuria e Perëndisë për Jakobin ishte e ndryshme ose e një lloji tjetër se dashuria e tij për Ezaun. Mendoj se të gjithë duhet ta themi këtë ose përndryshe vargu nuk ka kuptim. Por nëse rasti është me të vërtetë kështu, atëhere ky varg i vetëm do të mohonte idenë që Perëndia i do të gjithë në të njëjtën mënyrë. Duhet të ketë dimensione të ndryshme të dashurisë së Perëndisë.

Disa përpiqen ta shmangin këtë përfundim duke thënë që Jakobi dhe Ezau i referohen kombeve më tepër sesa individëve. Është e vërtetë që Jakobi dhe Ezau u bënë kombe të mëdhaja. Gjithësesi, vetë vargu i referohet njerëzve individualë (Jakobit dhe Ezaut në mitrën e nënës së tyre) dhe jo kombeve, madje edhe kombet përbëhen nga individë. Që Perëndia ka një dashuri mbi një komb dhe refuzon një komb tjetër me siguri që ka implikime edhe për individët brenda atyre kombeve - kështu që përfundimi që shumë duan ta shmangin (që Perëndia zgjedh disa por jo të gjithë - dhe që Ai i do disa në një mënyrë të veçantë dhe që Ai nuk i do të gjithë) mbetet i pashmangshëm.

Të kujtojmë gjithashtu kontekstin këtu. Pali po shpjegon pse jo të gjithë njerëzit e Izraelit nuk e kanë përqafuar Mesian e tyre dhe të shpëtoheshin, dhe sapo na ka thënë që fjala e Perëndisë nuk ka dështuar sepse jo i gjithë Izraeli është me të vërtetë Izrael (Romakët 9:6). Të gjithë ata që ishin Izraeli i vërtetë e përqafuan Krishin sepse ata ishin ata që iu ishte bërë premtimi, dhe është po kjo rrjedhë mendimi e vazhduar nga Romakët 8 në Romakët 9 që na sjell te deklarata "Jakobin e desha, por Ezaun e urreva". Pali po shpjegon pse fjala e Perëndisë nuk dështon në asnjë mënyrë sepse i gjithë Izraeli i vërtetë do të shpëtohet, dhe asgjë nuk mund ti ndajë njerëzit e vërtetë të Perëndisë nga dashuria e Perëndisë (diçka e bërë e qartë te Romakët 8). "Sepse para se t’i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur qëllimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret" një vëlla u zgjodh dhe tjetri jo.

Perëndia ka mëshirë në atë që ai ka mëshirë. Qëllimi zgjedhës i Perëndisë për të vendosur dashurinë e tij zgjedhëse mbi Jakobin por jo mbi Ezaun është një SHPJEGIM se pse fjala e Perëndisë nuk ka dështuar aspak. Premtimi i Perëndisë është i vërtetë dhe fjala e Tij nuk kthehet asnjëherë bosh. Të gjithë të zgjedhurit do ta marrin këtë mëshirë. Kjo është ajo që i gjithë pasazhi i Romakëve 9 po na mëson. Zgjedhja e Perëndisë për një vëlla dhe jo tjetrin nuk u bazua mbi veprimet e tyre (ose veprat) por u bazua mbi thirrjen efektive të fuqishme të Perëndisë (diçka e bërë qartë te Romakët 8, ku gjithë të thirrurit janë të drejtësuar).

Fakti është se Perëndia është Sovran. Dhe si i tillë, Ai ka të drejtën për të patur mëshirë mbi cilin të dojë dhe jo mbi të tjerët, duke i lënë ata në gjendjen e tyre armiqësore kundër Tij. Perëndia e zbuloi veten e tij ndaj Abrahamit në një mënyrë që nuk e zbuloi për komshiun e tij në fund të rrugës. Dashuria e tij zgjedhëse mbi Izraelin nuk u derdh mbi Kananejtë ose Filistinët. Pas ringjalljes së tij, Krishti iu shfaq Saulit nga Tarsi në rrugën për në Damask por jo Pilatit në dhomën e tij të gjumit. E gjithë Bibla flet për një Perëndi i cili është Sovran në mënyrën që Ai derdh mëshirën.

Shumë veta kanë ardhur tek unë disa javë pasi më dëgjuan të mësoja rreth kësaj teme duke e pranuar se në fillim ata ishin armiqësor dhe rezistues ndaj këtij mësimi, por pasi i hodhën një shikim te dytë dhe duke e shqyrtuar atë vetë ata më kanë thënë, "Është e habitshme! Tani unë e shoh këtë të vërtetë kudo që shikoj në Shkrime."

Një person më tha së fundmi, "Unë tani e shikoj dashurinë zgjedhëse të Perëndisë në vende që kurrë nuk i imagjinoja - Po e lexoj Biblën time dhe tani po e shoh këtë në shëmbëlltyrat e Jezusit, dhe në kaq shumë vende të tjera. Unë shikoj që Jezusi ngazëllehej që e vërteta e Perëndisë ishte e fshehur ndaj disave por e zbuluar për disa të tjerë.. Unë i kam lexuar këto pasazhe për vite me radhë dhe kurrë nuk e kisha parë këtë. Lluka 10:21 thotë që Jezusi "ngazëllehu në Frymë dhe tha, "Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të mençurve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu ty." Jezusi ngazëllehej që Ati e fshehu këtë të vërtetë disave, dhe ngazëllehu në dashurinë zgjedhëse të Atit të Tij. Kjo e ka tronditur botën time, dhe ajo gjë që dikur ishte e neveritshme, tani është e ëmbël dhe dritë, tani unë mund ta shoh këtë."

Nëse Jezusi ngazëllehet në fshehjen e të vërtetës së Atit të Tij (e cila flet për aktivitet) ndaj disave por ua zbulon disa të tjerëve, të paktën mendoj se duhet të na nxisë të bëjmë pyetjen "pse?" Pse Perëndia duhej të fshihte disa gjëra ndaj disave dhe t’ua zbulonte të vërtetën e Tij të tjerëve? Pse nuk na ngazëllen ne ashtu siç ngazëlleu Jezusin? (kjo është diçka për të cilin duhet të mendojmë)

Ndërsa Romakët 9 vazhdon nga vargu 14, për Perëndinë është përsosmërisht e drejtë të japë mëshirën e Tij si Ai do. Mëshira, nga vetë përkufizimi i saj, nuk mund të pretendohet. Askush nuk mund të pretendojë mëshirë. Fakti që asnjë engjëll i rënë kurrë nuk do të shpengohet nuk përbën një problem intelektual për engjëjt në qiell - karakteri i drejtë i Perëndisë qëndron i paprekur, dhe engjëjt e Perëndisë vazhdimisht këndojnë "I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive." Nëse Perëndia nuk do të kishte zgjedhur asnjë për shpëtim, këngët e adhurimit nga engjëjt nuk do të kishin pushuar për asnjë çast! Perëndia nuk iu ka borxh asgjë mëkatarëve rebelë!

Ajo që duhet të na habisë te vargu "Jakobin e desha, por Ezaun e urreva" nuk është që Perëndia urren Ezaun. Ezau ishte një mëkatar dhe e meritonte zemërimin e Perëndisë njësoj si të gjithë ne. Ajo që duhet të na habisë nuk është që Ai urrente Ezaun, por që Ai e vendos dashurinë e Tij mbi Jakobin. Kjo absolutisht duhet të na trondisë! Pse Perëndia duhet të ketë të bëjë me një mëkatar të tillë? Por, fatkeqësisht, ne nuk na bën përshtypje kjo mëshirë e mahnitshme, dhe unë mendoj sepse thellë brenda nesh, ne priremi të besojmë që të gjithë e meritojnë mëshirën. E vërteta është që çdonjëri prej nesh është po aq mëkatar sa edhe Jakobi, por derisa ne si të krishterë me të vërtetë ta kapim këtë ne nuk do të kuptojmë hirin e mahnitshëm që Perëndia ka derdhur mbi ne.

Të gjithë njerëzit marrin disa mëshira - Perëndia ishte shumë i mëshirshëm me Ezaun, por përfundimisht Ezau nuk mori të njëjtën mëshirë si vëllai i tij Jakob. Perëndia e dërgon shiun e tij të gjithve - mbi të drejtët dhe të padrejtët, por Ai e derdh dashurinë e Tij efektive shpenguese vetëm mbi disa. Jo të gjithë shpëtohen. Disa humbasin. Fakti që edhe një mëkatar i vetëm do të numërohet midis ushtrisë qiellore per shkak se u shpengua nga mëshira e Perëndisë duhet të na mahnisë. Fakti është se ky numër nuk do të jetë i vogël, por do të jetë kaq i madh sa askush nuk do ta numërojë dot.

Zbulesa7:9,10: “Pas këtyre gjërave, pashë dhe ja një turmë e madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me petka të bardha dhe me palma në duart e tyre. Dhe bërtisnin me zë të madh, duke thënë: ‘Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit!"

Haleluja! Çfarë Shpëtimtari!

Përkthyer nga www.reformationtheology.com

-------------
Shih artikullin tjeter: Kuptimi i vertete i Gjonit 3:16

Shpërndaje në Rrjetet Sociale

Artikuj të Ngjashëm

Tjetra
« Prev Post
E mëparshmja
Postimi Tjetër »
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe gjithashtu të citoni burimin, pra, të përmëndni nga është marrë materiali duke e shoqëruar me adresën e kësaj faqeje.