NJË KATEKIZMË PURITANE - NGA SPURGEON



Katekizem, sperxhen shqip
Nga Çarls Hadën Spërxhën (C.H. Spurgeon)

Jam i bindur se përdorimi i një katekizme të mirë në familjet tona do të shërbejë si një mbrojtje e fortë ndaj gabimeve në rritje të kohëve ku jetojmë, ja pse e kam hartuar këtë doracak të vogël duke u bazuar në katekizmat baptiste dhe të Kuvendit të Uestminsterit që ta përdorin anëtarët e kishës dhe bashkësisë sime. Ata që e përdorin në familjet e tyre apo në grupet e studimit biblik duhet të bëjnë çdo përpjekje për ta zbërthyer si duhet thelbin e saj, edhe pse fjalët e katekizmës duhen mësuar përmendësh, sepse do t’i kuptojmë më mirë me kalimin e viteve

Zoti i bekoftë miqtë e mi të dashur dhe familjet e tyre për jetë e mot, kjo është lutja e pastorit të tyre të përzemërt. (C.H. Spurgeon)  

Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës. (2 Timoteut 2:15)

Pyetja 1: Cili është synimi përfundimtar i njeriut?

PËRGJIGJA: Synimi përfundimtar i njeriut është të lavdërojë Perëndinë (1 Korintasve 10:31) dhe të gjejë kënaqësinë në Të për jetë e mot (Psalmi 73:25-26).

Pyetja 2: Çfarë rregulle na ka dhënë Perëndia për të na drejtuar si ta lavdërojmë Atë?

PËRGJIGJA: Fjala e Perëndisë, e përmbajtur në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër e të Re (Efesianëve 2:20, 2 Timoteut 3:16), është e vetmja rregull, e cila mund të na drejtojë si ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të (1 Gjonit 1:3).

Pyetja 3: Cilat janë mësimet kryesore të Shkrimit të Shenjtë?

PËRGJIGJA: Shkrimi i Shenjtë na mëson para së gjithash se çfarë duhet të besojë njeriu në lidhje me Perëndinë dhe çfarë detyre kërkon Perëndia prej njeriut (2 Timoteut 1:13, Predikuesi 12:13).


Pyetja 4: Çfarë është Perëndia?

PËRGJIGJA: Perëndia është një Frymë(Gjoni 4:24), i pafund (Jobi 11:7), i përjetshëm (Psalmi 90:2, 1 Timoteut 1:17), dhe i pandryshueshëm (Jakobi 1:17), në qenien (Eksodi 3:14), urtësinë, fuqinë (Psalmi 147:5), shenjtërinë (Zbulesa 4:8), drejtësinë, mirësinë dhe të vërtetën e Tij (Eksodi 34:6-7).


Pyetja 5: A ekzistojnë më shumë se një Perëndi?

PËRGJIGJA: Ekziston një dhe vetëm një i vetëm (Ligji i Përtërirë 6:4), Perëndia i gjallë dhe i vërtetë (Jeremia 10:10).

Pyetja 6: Sa persona ekzistojnë në Perëndi?

PËRGJIGJA: Ekzistojnë tre persona në Perëndi; Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një Perëndi, të njëjtë në substancë dhe të barabartë në fuqi dhe lavdi (1 Gjonit 5:7; Mateu 28:19).

Pyetja 7: Cilat janë dekretet e Perëndisë?

PËRGJIGJA: Dekretet e Perëndisë janë qëllimi i Tij i përjetshëm, sipas këshillës së vullnetit të Tij, përmes së cilit, e për lavdinë e Tij, Ai ka paracaktuar gjithçka që ndodh (Efesianëve 1:11-12).

Pyetja 8: Si i zbaton Perëndia dekretet e Tij?

PËRGJIGJA: Perëndia i zbaton dekretet e Tij nëpërmjet veprave të krijimit (Zbulesa 4:11) dhe të providencës* [*Shënim i përkthyesit: Me providencë kuptojmë tërësinë e sigurimeve dhe parashikimeve të Perëndisë] (Danieli 4:35).


Pyetja 9: Çfarë është vepra e krijimit?

PËRGJIGJA: Vepra e krijimit është bërja e çdo gjëje nga asgjëja (Zanafilla 1:11), përmes fjalës së fuqisë së Tij (Hebrenjve 11:3), në hapësirën e gjashtë ditëve 24-orëshe pasuese (Eksodi 20:11), dhe gjithçka që u krijua ishte shumë e mirë (Zanafilla 1:31).

Pyetja 10: Si e krijoi Perëndia njeriun?

PËRGJIGJA: Perëndia e krijoi njeriun burrë e grua, sipas shëmbëlltyrës së Tij (Zanafilla 1:27), në njohuri, drejtësi e shenjtëri (Kolosianëve 3:10, Efesianëve 4:24) dhe me sundim mbi krijesat (Zanafilla 1:28).


Pyetja 11: Cilat janë veprat e providencës së Perëndisë?

PËRGJIGJA: Veprat e providencës së Perëndisë janë ruajtja dhe qeverisja (Mateu 10:29, Psalmi 103:19) plot shenjtëri (Psalmi 145:17), urtësi (Isaia 28:29) dhe fuqi (Hebrenjve 1:3) e të gjithë krijesave, si dhe të gjithë veprimeve të tyre.

Pyetja 12: Çfarë akti të veçantë providence ushtroi Perëndia ndaj njeriut në gjendjen në të cilën e krijoi?

PËRGJIGJA: Pasi e krijoi njeriun, Perëndia hyri në një besëlidhje jete me të, me kusht bindjen e përkryer (Galatasve 3:12), duke e ndaluar të hante nga pema e njohurisë të së mirës dhe të së keqes, me pasojë vdekjen (Zanafilla 2:17).

Pyetja 13: A mbetën prindërit tanë të parë në gjendjen në të cilën u krijuan?

PËRGJIGJA: Prindërit tanë të parë, të lënë në lirinë e vullnetit të tyre, ranë nga gjendja në të cilën ishin krijuar, duke mëkatuar kundër Perëndisë (Predikuesi 7:29), sepse hëngrën frytin e pemës së ndaluar (Zanafilla 3:6-8).


Pyetja 14: Çfarë është mëkati?

PËRGJIGJA: Mëkati është çdo shmangie nga ligji i Perëndisë ose shkelje e tij (1 Gjonit 3:4).


Pyetja 15: A ra tërë njerëzimi në shkeljen e parë të Adamit?

PËRGJIGJA: Duke qenë se besëlidhja e bërë me Adamin nuk ishte vetëm me të, por me gjithë pasardhësit e tij, i tërë njerëzimi, i ardhur brez pas brezi prej tij përmes lindjes, mëkatoi në Adamin dhe ra bashkë me të në shkeljen e tij të parë (1 Korintasve 15:22, Romakëve 5:28).


Pyetja 16: Në çfarë gjendje e solli njeriun rënia?

PËRGJIGJA: Rënia e solli njeriun në një gjendje mëkati dhe mjerimi (Romakëve 5:18).


Pyetja 17: Cilët janë përbërësit e mëkatshmërisë së gjendjes në të cilën ra njeriu?

PËRGJIGJA: Mëkatshmëria e gjendjes në të cilën ra njeriu përbëhet nga faji i mëkatit të parë të Adamit (Romakëve 5:19), zhveshja nga drejtësia e lindur (Romakëve 3:10), dhe nga korruptimi (prishja/shthurja/kalbëzimi) i tërë natyrës njerëzore, gjë e cila përmbledhtazi njihet ndryshe si Mëkati Fillestar (Efesianëve 2:1; Psalmi 51:5); këtyre u shtojmë edhe të gjitha shkeljet e përditshme të njerëzve si rrjedhojë e kësaj gjendjeje (Mateu 15:19).

Pyetja 18: Cili është mjerimi i gjendjes në të cilën ra njeriu?

PËRGJIGJA: Mbarë Njerëzimi, me rënien e tij, humbi përbashkësinë me Perëndinë (Zanafilla 3:8,24); duke u gjendur nën zemërimin dhe mallkimin e Tij (Efesianëve 2:3; Galatasve 3:10); por edhe ka rënë pre e gjithë mjerimeve të kësaj jete, vetë vdekjes, si dhe e të tëra vuajtjeve të ferrit për gjithë përjetësinë (Romakëve 6:23, Mateu 25:41).

Pyetja 19: A e la Perëndia njerëzimin të humbasë në gjendjen e mëkatit dhe mjerimit?

PËRGJIGJA: Perëndia, në sajë të kënaqësisë së Tij mirëdashëse që nga përjetësia, zgjodhi disa në jetë të përjetshme (2 Tesalonikasve 2:13), dhe hyri në një besëlidhje hiri për t’i shpëtuar nga gjendja e mëkatit dhe e mjerimit dhe për t’i sjellë ata në një gjendje shpëtimi përmes një Shpenguesi (Romakëve 5:21).


Pyetja 20: Cili është Shpenguesi i të zgjedhurve të Perëndisë?

PËRGJIGJA: Shpenguesi i vetëm i të zgjedhurve të Perëndisë është Zoti Jezu Krisht (1 Timoteut 2:5), i cili, si Bir i përjetshëm i Perëndisë, u bë njeri (Gjoni 1:14), e kështu ishte, dhe vazhdon të jetë Perëndi dhe njeri në dy natyra të veçanta, por një person i vetëm, përgjithmonë (1 Timoteut 3:16, Kolosianëve 2:9).

Pyetja 21: Si u bë Krishti njeri, duke qenë Biri i Perëndisë?

PËRGJIGJA: Krishti, Biri i Perëndisë, u bë njeri duke marrë për vete një trup të vërtetë (Hebrenjve 2:14), e një frymë me arsye (Mateu 26:38, Hebrenjve 4:15), duke u ngjizur prej fuqisë së Frymës së Shenjtë, në barkun e virgjëreshës Marie, dhe duke u lindur prej saj (Luka 1:31,35), megjithatë i pamëkat (Hebrenjve 7:26).

Pyetja 22: Cilat ofiqe ushtron Krishti si Shpenguesi ynë?

PËRGJIGJA: Krishti, si Shpenguesi ynë, ushtron ofiqet e një profeti (Veprat e Apostujve 3:22), një prifti (Hebrenjve 5:6), dhe një mbreti (Psalmi 2:6), si në gjendjen e përulur, ashtu edhe në atë të lartësuar.

Pyetja 23: Si e ushtron Krishti ofiqin e Tij si profet?

PËRGJIGJA: Krishti e ushtron ofiqin e Tij si profet duke na zbuluar (Gjoni 1:18), përmes Fjalës (Gjoni 20:31) dhe Frymës (Gjoni 14:26), vullnetin e Perëndisë për shpëtimin tonë.


Pyetja 24: Si e ushtron Krishti ofiqin e Tij si prift?

PËRGJIGJA: Krishti e ushtron ofiqin e Tij si prift përmes ofrimit një herë e përgjithmonë të Vetes si një flijim për të kënaqur drejtësinë hyjnore (Hebrenjtë 9:28), për të na pajtuar me Perëndinë (Hebrenjtë 2:17), si dhe duke ndërmjetësuar vazhdimisht për ne (Hebrenjtë 7:25).

Pyetja 25: Si e ushtron Krishti ofiqin e Tij si mbret?

PËRGJIGJA: Krishti e ushtron ofiqin e Tij si mbret duke na nënshtruar për Veten e Tij (Psalmi 110:3), duke na sunduar e mbrojtur (Mateu 2:6, 1 Korintasve 15:25), si dhe duke ua lidhur duart të gjithë armiqve të Tij e tanëve dhe duke i mposhtur ata.


Pyetja 26: Çfarë është përulja e Krishtit?

PËRGJIGJA: Përulja e Krishtit ka të bëjë me faktin që u lind, madje në një ambient të rëndomtë (Luka 2:7), nën pushtetin e ligjit (Galatasve 4:4), vuajti mjerimet e kësaj jete (Isaia 53:3), zemërimin e Perëndisë (Mateu 27:46), por edhe mallkimin e vdekjes në kryq (Filipianëve 2:8), si dhe që u varros dhe qëndroi nën pushtetin e vdekjes për një farë kohe (Mateu 12:40).

Pyetja 27: Çfarë është lartësimi i Krishtit?

PËRGJIGJA: Lartësimi i Krishtit ka të bëjë me ringjalljen e Tij prej së vdekurish ditën e tretë (1 Korintasve 15:4), ngjitjen e Tij në qiell, uljen e Tij në të djathtë të Perëndisë At  (Marku 16:9), dhe kthimin e Tij për të gjykuar botën në ditën e fundit (Veprat e Apostujve 17:31).


Pyetja 28: Si bëhemi pjesëmarrës të shpengimit të blerë nga Krishti?

PËRGJIGJA: Ne bëhemi pjesëmarrës të shpengimit të blerë nga Krishti nëpërmjet zbatimit të efektshëm të këtij të fundit në ne (Gjoni 1:12) përmes Frymës së Shenjtë (Titi 3:5,6).

Pyetja 29: Si e realizon Fryma në ne shpengimin e blerë nga Krishti?

PËRGJIGJA: Fryma e realizon shpengimin e blerë nga Krishti duke vepruar besim në ne (Efesianëve 2:8), e duke na bashkuar në këtë mënyrë me Krishtin në thirrjen tonë efektive (Efesianëve 3:17).

Pyetja 30: Çfarë është thirrja efektive?

PËRGJIGJA: Thirrja efektive është vepra e Frymës së Perëndisë (2 Timoteu 1:9), përmes së cilës, duke na bindur për mëkatin dhe mjerimin tonë (Veprat e Apostujve 2:37), duke na ndriçuar mendjet në njohurinë e Krishtit (Veprat e Apostujve 26:18), dhe duke na ripërtërirë vullnetin (Ezekieli 36:26), Ai na bind dhe na aftëson që ta përqafojmë Jezu Krishtin, i cili na ofrohet falas përmes ungjillit (Gjoni 6:44,45).

Pyetja 31: Çfarë përfitojnë në këtë jetë ata të cilët janë thirrur efektivisht?

PËRGJIGJA: Ata të cilët janë thirrur efektivisht përfitojnë në këtë jetë shfajësimin/drejtësimin (Romakëve 8:30), birësimin (Efesianëve 1:5) dhe shenjtërimin, si edhe përfitime të tjera që shoqërojnë ose burojnë prej këtyre (1 Korintasve 1:30).

Pyetja 32: Çfarë është shfajësimi/drejtësimi?

PËRGJIGJA: Shfajësimi/drejtësimi është një vepër e hirit falas të Perëndisë përmes së cilës Ai na fal të gjitha mëkatet tona (Efesianëve 1:7, Romakëve 3:24), dhe na pranon si të drejtë në sytë e Tij (2 Korintasve 5:21), vetëm për hir të drejtësisë së Krishtit të vendosur mbi ne (Romakëve. 5:19), dhe të marrë vetëm përmes besimit (Galatasve 2:16, Filipianëve 3:9).

Pyetja 33: Çfarë është birësimi?

PËRGJIGJA: Birësimi është një vepër e hirit falas të Perëndisë (1 Gjonit 3:1), përmes së cilës ne pranohemi në numrin e fëmijëve të Perëndisë, dhe fitojmë të drejtën për të gëzuar të gjitha privilegjet që u takojnë atyre(Gjoni 1:12, Romakëve 8:17).

Pyetja 34: Çfarë është shenjtërimi?

PËRGJIGJA: Shenjtërimi është vepra e Frymës së Perëndisë (2 Tesalonikasve 2:13), nëpërmjet së cilës ne ripërtërihemi në tërësinë e njeriut në shëmbëllim të Perëndisë (Efesianëve 4:24), dhe aftësohemi gjithnjë e më shumë që të vdesim për mëkatin dhe të jetojmë në drejtësi (Rom 6:11).

Pyetja 35: Cilat janë përfitimet që në këtë jetë shoqërojnë ose burojnë prej shfajësimit/drejtësimit, birësimit, dhe shenjtërimit?

PËRGJIGJA: Përfitimet që në këtë jetë shoqërojnë ose burojnë prej shfajësimit/drejtësimit (Romakëve 5:1-2,5), janë siguria e dashurisë së Perëndisë, paqja e ndërgjegjes, gëzimi në Frymën e Shenjtë  (Romakëve 14:17), shtimi i hirit, dhe këmbëngulja në këtë gjendje deri në fund (Fjalët e Urta 4:18, 1 Gjonit 5:13, 1 Pjetrit 1:5).

Pyetja 36: Cilat janë përfitimet që besimtarët marrin prej Krishtit në vdekje?

PËRGJIGJA: Frymët e besimtarëve në vdekje bëhen të përsosur në shenjtëri (Hebrenjve 12:23), dhe kalojnë menjëherë në lavdi (Filipianëve 1:23, 2 Korintasve 5:8, Luka 23:43), dhe trupat e tyre, duke qenë të bashkuar me Krishtin  (1 Tesalonikasve 4:14), prehen në varr  (Isaia 57:2) deri në ringjallje (Jobi 19:26).

Pyetja 37: Cilat janë përfitimet që besimtarët marrin prej Krishtit në ringjallje?

PËRGJIGJA: Besimtarët në ringjallje, duke u ngritur në lavdi (1 Korintasve 15:43), do të njihen haptazi dhe do të shpallen të pafajshëm në ditën e gjykimit  (Mateu 10:32), do të bekohen përsosmërisht duke u kënaqur plotësisht në Perëndinë (1 Gjonit 3:2) për gjithë përjetësinë (1 Tesalonikasve 4:17).


Pyetja 38: Çfarë do t’i ndodhë të ligjve në vdekje?

PËRGJIGJA: Në vdekje, frymët e të ligjve do të hidhen në mundimet e ferrit (Luka 16:22-24), ndërsa trupat e tyre do të prehen në varr deri në ringjallje, në Ditën e madhe të Gjykimit (Psalmi 49:14).


Pyetja 39: Çfarë do t’i ndodhë të ligjve Ditën e gjykimit?

PËRGJIGJA: Në Ditën e Gjykimit trupat e të ligjve që ngrihen nga varret do të gjykohen së bashku me frymët e tyre, dhe dënimi që i pret janë mundimet e parrëfyeshme që janë rezervuar për djallin dhe engjëjt e tij për gjithë përjetësinë (Danieli 12:22, Gjoni 5:28,29, 2 Tesalonikasve 1:9, Mateu 25:41).

Pyetja 40: Çfarë i zbuloi Perëndia njeriut si rregull për t’iu bindur?

PËRGJIGJA: Rregulla, të cilën Perëndia ia zbuloi së pari njeriut për t’iu bindur, ishte ligji moral (Ligji i Përtërirë 10:4, Mateu 19:17), i cili gjendet i përmbledhur në dhjetë urdhëresat .

Pyetja 41: Cila është përmbledhja e dhjetë urdhëresave?

PËRGJIGJA: Përmbledhja e dhjetë urdhëresave është që ta duam Perëndinë, Zotin tonë me të gjithë zemrën tonë, me të gjithë shpirtin tonë, me të gjithë forcën tonë, dhe me të gjithë mendjen tonë; si dhe që ta duam fqinjin tonë si vetveten (Mateu 22:37-40).

Pyetja 42: Cila është urdhëresa e parë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e parë është: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë përpara meje”.

Pyetja 43: Çfarë na kërkohet në urdhëresën e parë?

Përgjigja: Urdhëresa e parë na kërkon që ta njohim (1 Kronikave 28:9) dhe ta pranojmë Perëndinë si të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe si Perëndinë tonë (Ligji i Përtërirë 26:17), si dhe ta adhurojmë e ta përlëvdojmë Atë ashtu siç duhet (Mateu 4:10).

Pyetja 44: Cila është urdhëresa e dytë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e dytë është: “Nuk do të bësh skulpturë apo shëmbëlltyre të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt, apo këtu poshtë në tokë, ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre e nuk do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijëve të tyre deri në brezin e tretë e të katërt të atyre që më urrejnë, dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan e që zbatojnë urdhërimet e mia”.

Pyetja 45: Çfarë na kërkohet në urdhëresën e dytë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e dytë na kërkon që ta marrim, zbatojmë (Ligji i Përtërirë 32:46, Mateu 28:20), por edhe ta ruajmë të pastër e të pacenuar tërë adhurimin dhe urdhërimet, ashtu siç na i ka caktuar Perëndia përmes Fjalës së Tij (Ligji i Përtërirë 12:32).


Pyetja 46: Çfarë ndalohet në urdhëresën e dytë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e dytë ndalon adhurimin e Perëndisë përmes figurave a trajtave (Ligji i Përtërirë 4:15,16), apo në çfarëdo mënyrë tjetër që nuk është caktuar në Fjalën e Tij (Kolosianëve 2:18).


Pyetja 47: Cila është urdhëresa e tretë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e tretë është: “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd kot, sepse Zoti nuk do të lerë pa ndëshkuar atë që përdor kot emrin e tij”.


Pyetja 48: Çfarë na kërkohet në urdhëresën e tretë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e tretë kërkon përdorimin e shenjtë dhe plot nderim të emrave (Psalmi 29:2), titujve, atributeve (Zbulesa 15:3,4), urdhëresave (Predikuesi 5:1), Fjalës (Psalmi 138:2), dhe veprave të Perëndisë (Jobi 36:24, Ligji i Përtërirë 28:58-59).

Pyetja 49: Cila është urdhëresa e katërt?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e katërt është: “Mbaje mend ditën e shabatit për ta shenjtëruar. Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde; por dita e shtatë është shabati, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtatë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë”.

Pyetja 50: Çfarë na kërkohet në urdhëresën e katërt?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e katërt na kërkon mbajtjen të shenjtë përpara Perëndisë të atyre periudhave kohore, të cilat Ai i ka përcaktuar në Fjalën e tij, e shprehimisht të një ditë [24-orëshe] nga shtatë [që ka java], për të qenë një Shabat i shenjtë për Të (Levitiku 19:30, Ligji i Përtërirë 5:12).


Pyetja 51: Si duhet shenjtëruar Shabati?

PËRGJIGJA: Shabati duhet shenjtëruar përmes një prehjeje të shenjtë tërë ditën, madje duke mos marrë pjesë në ato angazhime dhe argëtime të përbotshme, të cilat janë të ligjshme në ditët e tjera (Levitiku 23:3), dhe duke e kaluar tërë kohën në adhurim publik dhe privat të Perëndisë (Psalmi 92:1,2, Isaia 58:13-14), me përjashtim të kohës që nevojitet për punët e domosdoshme dhe veprat e mëshirës (Mateu 12:11,12).

Përgjigja 52: Cila është urdhëresa e pestë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e pestë është: “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep”.


Pyetja 53: Çfarë na kërkohet në urdhëresën e pestë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e pestë kërkon nderimin dhe kryerjen e detyrave që na përkasin të gjithëve në varësi të pozitave dhe marrëdhënieve tona të ndryshme, qoftë kur jemi mbi (Efesianëve 5:21,22; Efesianëve 6:1,5; Romakëve 13:1), nën (Efesianëve 6:9), apo të barabartë (Romakëve 12:10) me njëri-tjetrin.


Pyetja 54: Cila është arsyeja bashkangjitur me urdhëresën e pestë?

PËRGJIGJA: Arsyeja e lidhur me urdhëresën e pestë është premtimi i një jete të gjatë e të begatë (për aq sa do t’i shërbejë lavdisë së Perëndisë dhe të mirës së tyre) për të gjithë ata që e zbatojnë këtë urdhëresë (Efesianëve 6:2,3).

Pyetja 55: Cila është urdhëresa e gjashtë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e gjashtë është: “Nuk do të vrasësh”.


Pyetja 56: Çfarë ndalohet në urdhëresën e gjashtë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e gjashtë ndalon vetëvrasjen (Veprat e Apostujve 16:28), ose marrjen padrejtësisht të jetës së tjetrit (Zanafilla 9:6), apo çdo tentativë për sa më sipër (Fjalët e Urta 24:11,12).

Pyetja 57: Cila është urdhëresa e shtatë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e shtatë është: “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore”.

Pyetja 58: Çfarë ndalohet në urdhëresën e shtatë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e shtatë ndalon të gjitha mendimet (Mateu 5:28, Kolosianëve 4:6), fjalët (Efesianëve 5:4, 2 Timoteut 2:22) dhe veprimet (Efesiabëve 5:3) e padëlira.

Pyetja 59: Cila është urdhëresa e tetë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e tetë është: “Nuk do të vjedhësh”.

Pyetja 60: Çfarë ndalohet në urdhëresën e tetë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e tetë ndalon gjithçka që cenon apo mund të cenojë padrejtësisht pasurinë dhe pronat tona (1 Timoteut 5:8, Fjalët e Urta 28:19; Fjalët e Urta 21:6) si dhe ato të fqinjëve tanë (Efesianëve 4:28).

Pyetja 61: Cila është urdhëresa e nëntë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e nëntë është: “Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd”.

Pyetja 62: Çfarë kërkohet në urdhëresën e nëntë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e nëntë kërkon ruajtjen dhe kultivimin e së vërtetës në marrëdhënie me njëri-tjetrin (Zakaria 8:16), por edhe të një emri të mirë për vete (1 Pjetrit 3:16; Veprat e Apostujve 25:10) dhe për fqinjin (3 Gjoni 12), veçanërisht kur paraqitemi apo dalim si dëshmitarë (Fjalët e Urta 14:5,25).


Pyetja 63: Cila është urdhëresa e dhjetë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e dhjetë është: Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd.


Pyetja 64: Çfarë ndalohet në urdhëresën e dhjetë?

PËRGJIGJA: Urdhëresa e dhjetë ndalon çdo pakënaqësi sa i përket gjendjes tonë (1 Korintasve 10:10), çdo lakmi apo smirë ndaj të mirave të fqinjit tonë (Galatasve 5:26), dhe çdo emocion apo ndjesi të papërmbajtur ndaj çdo gjëje që i përket atij (Kolosianëve. 3:5).


Pyetja 65: A mundet ndokush t’i zbatojë përsosmërisht urdhëresat e Perëndisë?

PËRGJIGJA: Që prej rënies, asnjë person nuk është i aftë në këtë jetë që t’i zbatojë përsosmërisht urdhëresat e Perëndisë (Predikuesi 7:20), por i shkel ato përditë në mendime (Zanafilla 8:21), fjalë (Jakobi 3:8) dhe vepra (Jakobi 3:2)


Pyetja 66: A janë të tëra shkeljet e ligjit njësoj të urryera?

PËRGJIGJA: Disa mëkate në vetvete, dhe për shkak të disa pasojave të rënda, janë shumë më të urryeshme në sytë e Perëndisë se disa të tjera (Gjoni 19:11, 1 Gjonit 5:16).


Pyetja 67: Çfarë meriton secili mëkat?

PËRGJIGJA: Secili mëkat meriton urrejtjen dhe mallkimin e Perëndisë, si në këtë jetë, ashtu edhe në jetën që pason (Efesianëve 5:6, Psalmi 11:6).

Pyetja 68: Si mund t’i shpëtojmë urrejtjes dhe mallkimit të Perëndisë për mëkatin tonë?

PËRGJIGJA: Për t’i shpëtuar urrejtjes dhe mallkimit të Perëndisë që meritojnë mëkatet tona, duhet të besojmë në Zotin Jezu Krisht (Gjoni 3:16), duke u mbështetur vetëm në gjakun dhe drejtësinë e Tij. Ky besim shoqërohet nga pendimi për jetën e kaluar (Veprat 20:21) dhe të çon drejt shenjtërisë në të ardhmen.


Pyetja 69: Çfarë është besimi në Jezus Krisht?

PËRGJIGJA: Besimi në Jezu Krishtin është një hir shpëtues (Hebrenjve 10:39), përmes së cilit e marrim (Gjoni 1:12) dhe mbështetemi vetëm në Atë për shpëtim (Filemoni 3:9), siç na është ofruar në ungjill (Isaia 33:22).

Pyetja 70: Çfarë është pendimi që sjell jetë?

PËRGJIGJA: Pendimi që sjell jetë është një hir shpëtues (Veprat e Apostujve 11:18), përmes të cilit mëkatari, i shtyrë nga një ndjesi e vërtetë e mëkatit të tij (Veprat e Apostujve 2:37), dhe e kuptimit të mëshirës së Perëndisë në Krisht (Joeli 2:13), kthehet tek Perëndia, me lëngatë dhe urrejtje për mëkatin e vet (Jeremia 31:18,19), por edhe me synimin e fortë për të bërë çdo përpjekje për një bindje të re (Psalmi 119:59).


Pyetja 71: Cilat janë mjetet e dukshme përmes të cilave Fryma e Shenjtë na komunikon përfitimet e shpengimit?

PËRGJIGJA: Mjetet e dukshme dhe të zakonshme përmes të cilave Fryma e Shenjtë na komunikon përfitimet e shpengimit të Krishtit, janë Fjala, me anë të së cilës frymët erdhën në jetën frymërore, Pagëzimi, Darka e Zotit, lutja dhe meditimi; përmes të cilave besimtarët ndërtohen në të tyrin më të shenjtë besim (Veprat e Apostujve 2:41,42, Jakobi 1:18).


Pyetja 72: Si bëhet Fjala efikase për shpëtim?

PËRGJIGJA: Fryma e Perëndisë e kthen leximin, por veçanërisht predikimin e Fjalës, në një mjet efikas për bindjen dhe kthimin në besim të mëkatarëve (Psalmi 19:7), por edhe për ndërtimin e tyre në shenjtëri dhe ngushëllim (1 Tesalonikasve 1:6), përmes besimit, me qëllim shpëtimin (Romakëve 1:16).


Pyetja 73: Si duhet të lexohet dhe të dëgjohet Fjala, në mënyrë që të bëhet efikase për shpëtim?

PËRGJIGJA: Në mënyrë që Fjala të bëhet efikase për shpëtim, ne duhet t’i qasemi asaj me përkushtim (Fjalët e Urta 8:34), përgatitje (1 Pjetrit 2:1-2), dhe lutje (Psalmi 119:18), por edhe ta marrim atë me besim (Hebrenjve 4:2) dhe dashuri (2 Tesalonikasve 2:10), ta përvetësojmë në zemrat tona (Psalmi 119:11), dhe ta zbatojmë në jetë (Jakobi 1:25).

Pyetja 74: Si bëhen Pagëzimi dhe Darka e Zotit frymërisht të dobishme?

PËRGJIGJA: Pagëzimi dhe Darka e Zotit bëhen frymërisht të dobishme, jo prej ndonjë virtyti të tyre, apo të atij që i administron (1 Korintasve 3:7, 1 Pjetrit 3:21), por vetëm prej bekimit të Krishtit (1 Korintasve 3:6) dhe të veprës së Frymës së Tij tek ata të cilët i marrin ato me besim (1 Korintasve 12:13).

Pyetja 75: Çfarë është Pagëzimi?

PËRGJIGJA: Pagëzimi është një urdhëresë e Dhiatës së Re, e vendosur nga Jezu Krishti (Mateu 28:19), për të qenë për atë që pagëzohet një shenjë e përbashkësisë me Krishtin në vdekjen dhe varrimin dhe ringjalljen e Tij (Romakëve 6:3, Kolosianëve 2:12), e veshjes me Të (Galatasve 3:27), e faljes së mëkateve (Marku 1:4, Veprat e Apostujve 22:16), por edhe e dorëzimit të vetes Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit për të ecur dhe jetuar në risinë e jetës (Romakëve 6:4,5).

Pyetja 76: Kush është për t’u pagëzuar?

PËRGJIGJA: Duhen pagëzuar të gjithë ata që shpallin pendesë të mirëfilltë përpara Perëndisë (Veprat e Apostujve 2:38, Mateu 3:6, Marku 16:16, Veprat e Apostujve 8:12,36,37, Veprat e Apostujve 10:47,48) dhe besim të vërtetë në Zotin Jezu Krisht dhe në askënd tjetër.

Pyetja 77: A duhen pagëzuar foshnjat e besimtarëve rrëfyes?

PËRGJIGJA: Foshnjat e besimtarëve rrëfyes nuk duhen pagëzuar, sepse Shkrimi i Shenjtë nuk na jep shembuj dhe nuk na udhëzon shprehimisht për një gjë të tillë (Eksodi 23:13, Fjalët e Urta 30:6).

Pyetja 78: Cila është mënyra e duhur për kryerjen e pagëzimit?

PËRGJIGJA: Mënyra e duhur për realizimin e pagëzimit është nëpërmjet kredhjes, ose zhytjes së krejt trupit të njeriut në ujë (Mateu 3:16, Gjoni 3:23), në emër të Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, ashtu siç e vendosi vetë Krishti dhe sipas praktikës së apostujve (Mateu 28:19-20), dhe jo nëpërmjet spërkatjes apo lagies me ujë, ose zhytjes në ujë të një pjese të trupit sipas traditave njerëzore (Gjoni 4:1,2, Veprat e Apostujve 8:38,39).

Pyetja 79: Cila është detyra e atyre që pagëzohen në mënyrën e duhur?

PËRGJIGJA: Detyra e atyre që pagëzohen në mënyrën e duhur është që t’i bashkohen një Kishe lokale dhe të rregullt të Jezu Krishtit (Veprat e Apostujve 2:47, 9:26, 1 Pjetrit 2:5), me qëllim që të ecin pa të meta në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit (Luka 1:6).


Pyetja 80: Çfarë është Darka e Zotit?

PËRGJIGJA: Darka e Zotit është një urdhëresë e Dhiatës së Re, e vendosur nga Jezu Krishti, ku, prej dhënies dhe marrjes së bukës dhe verës, siç e ka vendosur Krishti, shpallet vdekja e Tij (1 Korintasve 11:23-26), ndërsa marrësit e denjë të saj, jo në ndonjë mënyre trupore apo mishëtore, por prej besimit, bëhen pjesëmarrës të trupit dhe gjakut të Tij me të gjitha përfitimet që rrjedhin prej kësaj, për ushqimin e tyre shpirtëror dhe rritjen në hir (1 Korintasve 10:16).

Pyetja 81: Çfarë kërkohet për ta marrë denjësisht Darkën e Zotit?

PËRGJIGJA: Prej atyre që do të marrin pjesë denjësisht në Darkën e Zotit kërkohet shqyrtimi i vetes sa i përket aftësisë së tyre dalluese të trupit të Krishtit (1 Korintasve 11:28,29) dhe besimit që të ushqehen prej tij (2 Korintasve 13:5), por edhe për pendim (1 Korintasve 11:31), dashuri (1 Korintasve 11:18-20) dhe bindje të re (1 Korintasve 5:8); përndryshe, si të padenjë, ata hanë dhe pinë gjykimin e vetvetes (1 Korintasve 11:27-29).

Pyetja 82: Cila është domethënia e fjalëve “deri sa ai të vijë”, të cilat përdoren nga Apostulli Pal në lidhje me Darkën e Zotit?

PËRGJIGJA: Ato na mësojnë shprehimisht se Zoti Jezu Krisht do të vijë edhe një herë tjetër, duke qenë ardhja e tij e dytë gëzimi dhe shpresa e gjithë besimtarëve (Veprat e Apostujve 1:11, 1 Tesalonikasve 4:16).



Shpërndaje në Rrjetet Sociale

Artikuj të Ngjashëm

Tjetra
« Prev Post
E mëparshmja
Postimi Tjetër »
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe gjithashtu të citoni burimin, pra, të përmëndni nga është marrë materiali duke e shoqëruar me adresën e kësaj faqeje.