Shlyerja ose Shpengimi Specifik



Kompiluar nga Dr. C. Matthew McMahon


Shlyerja specifike, pese pikat e kalvinizmit
Shlyerja e Jezu Krishtit nuk është e kufizuar në fuqinë për të shpëtuar, por në shtrirjen që arrin dhe në shpëtimin e individëve të caktuar.

Shlyerja Specifike është një term teologjik që është përdorur për shekuj të tërë për të përkufizuar një aspekt shumë të rëndësishëm të Ungjillit. Eshtë një doktrinë shumë thelbësore e krishterë e cila thotë që Jezu Krishti erdhi dhe vdiq për një numër të caktuar njerëzish. Ai nuk vdiq që të shpengojë të gjithë individët e të gjitha kohërave, por një mori individësh, pra, delet dhe kishën e Tij. Kjo nuk do të thotë që fuqia e vdekjes së Tij nuk mund ti shpëtonte të gjithë njerëzit nëse Ai do donte. Fuqia dhe efikasiteti i vdekjes së Tij edhe përmes një pike të vetme të gjakut të Tij mund të shpëtonte miliarda botë. Por kjo nuk ishte ajo që Perëndia kishte si qëllim. Shkrimi nuk luan në “mundësira.” Por deklaron që qëllimi i vdekjes së Tij ishte specifik.

Jezu Krishti, njësoj si qengji i sakrificave të Dhiatës së Vjetër, vdiq për një mori njerëzish. Ai siguroi shpëtimin e tyre nëpërmjet vdekjes së Tij e cila mori mëkatet e tyre dhe vendosi (ose llogariti) vetë drejtësinë e Tij në ta. Kjo është diçka që Krishti e kreu në kryq; jo diçka që vetë individët e iniciojnë. Është e vërtetë, siç thotë Shkrimi, që Ai vdiq për “të gjithë njerëzit”... Por në këtë rast “të gjithë njerëzit” nuk do të thotë të gjithë individët e të gjitha kohërave duke përfshirë edhe Judën dhe Faraonin...

Jezusi siguroi shpëtimin e atyre për të cilët Ai dha jetën e vet, dhe për ata të cilët Perëndia i vesh me drejtësinë e Tij. Jezusi nuk siguroi shpëtimin e të gjithë njerëzve, sepse të gjithë tani do të ishin të shpëtuar.

...Krishti ose vuajti për:
 1) Të gjitha mëkatet e të gjithë njerëzve – që do të thotë që të gjithë njerëzit janë të shpëtuar.
 2) Disa nga mëkatet e të gjithë njerëzve – që do të thotë që njerëzit janë akoma në mëkatin e tyre.
 Ose
 3) Të gjithë mëkatin e disa njerëzve – ky është pozicioni biblik.

Nuk është fuqia e Krishtit që është e “kufizuar” por qëllimi i Tij ose përdorimi i ASAJ FUQIE është i kufizuar te ata për të cilët Ai vdiq, dhe zgjodhi.

“Kufizimi” i shtrirjes është një faktor vendimtar në mesazhin e Ungjillit sepse dikush ose beson që Perëndia i UNGJILLIT SHPËTON, ose që njerëzit shpëtojnë vetveten sepse Jezusi nuk shpëtoi asnjë në mënyrë direkte, por e bëri të mundur hipotetikisht që ata mund ta arrinin dhe të shpëtonin vetveten. Shpëtimi hipotetik nuk është aspak shpëtim.

Jezusi vdiq dhe siguroi shpëtimn e të gjithë atyre që Ati ia dha Atij, dhe askush nuk mund ti rrëmbejë nga dora e Atit. Nuk është që Krishti “mund të shpëtojë”, por që AI ËSHTË Shpëtimtari. Ai nuk e lë jetën e Tij për të gjithë, por për delet e Tij. Ai nuk e jep jetën e Tij për Judën, por vetëm për miqtë e Tij. Është kisha, jo bota, që Krishti ka blerë me vetë gjakun e Tij.

Gjoni 6:37-40,Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë, sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar. Por ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë prej të gjithave që ai më ka dhënë, por t'i ringjall në ditën e fundit. Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.

Mateu 1:21, Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.

Gjoni 10:15,Ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe jetën time e jap për delet.”

Gjoni 15:13,Askush s'ka dashuri më të madhe se kjo: që të japë dikush jetën e vet për miqtë e tij

Veprat 20:28, “Kini kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vënë juve mbikqyrës që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e vet.”

Efesianët 5:25,Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të


Citime nga Puritanët rreth Shlyerjes Specifike:

“Zgjedhja i është atribuar Perëndisë At, shenjtërimi Frymës dhe pajtimi Jezu Krishtit. Ky është zinxhiri i shpëtimit dhe kurrë mos qoftë që një hallkë e këtij zinxhiri të thyhet. Biri nuk mund të vdesë për ata që Ati nuk i ka zgjedhur, dhe Fryma kurrë nuk do të shenjtërojë ata që Ati nuk i ka zgjedhur dhe që Biri nuk i ka shpenguar.”

- Tomas Menton (Thomas Manton)

“Aplikimi është bërja efektive, në njerëz të caktuar, të gjitha ato gjëra që Krishti ka bërë dhe bën si ndërmjetësues.”

- Uilliam Ejms (William Ames)

“Sa për qëllimin e aplikimit, thuhet me të drejtë që Krishti bëri një kënaqje vetëm për ata që Ai i shpëtoi.”

- Uilliam Ejms (William Ames)

“Shpesh na thuhet që ne kufizojmë shlyerjen e Krishtit, për shkak se ne themi që Krishti nuk ka bërë një kënaqje për të githë njerëzit, sepse përndryshe të gjithë njerëzit do të shpëtoheshin. Tani, përgjigjja jonë për këtë është, që në anën tjetër, janë kundërshtarët tanë ata që e kufizojnë: jo ne. Arminianët thonë që Krishti vdiq për të gjithë njerëzit. Por pyetini cfarë duan të thonë me këtë. A vdiq Krishti në mënyrë që të siguronte shpëtimin e të gjithë njerëzve? Ata thonë, “Jo, sigurisht që jo.” Ne bëjmë pyetjen tjetër, –A vdiq Krishti në mnyrë që të siguronte shpëtimin e çdo njeriu në veçanti? Ata përgjigjen, “Jo.” Ata janë të detyruar ta thonë këtë, nëse duan të jenë konsistentë. Ata thonë “Jo, Krishti ka vdekur që çdo njeri mund të shpëtohet nëse…” – dhe më pas vijojnë disa kushte të caktuara të shpëtimit. Tani kush është ai që po e kufizon vdekjen e Krishtit? - Ju. Ju thoni që Krishti nuk vdiq që të sigurojë shpëtimin e çdo njeriu. Më falni, kur ju thoni që ne kufizojmë shlyerjen e Krishtit; ne themi, “jo i dashur zotëri, jeni ju që e bëni këtë.” Ne themi që Krishti vdiq në mënyrë që të sigurojë shpëtimin e një turme të madhe që asnjë njeri nuk mund ta numërojë, të cilët nëpërmjet vdekjes së Krishtit jo vetëm që mund të shpëtohen, por janë të shpëtuar, duhet të shpëtohen...”

- Çarls Spërxhën (Charles Spurgeon)

Shpërndaje në Rrjetet Sociale

Artikuj të Ngjashëm

Tjetra
« Prev Post
E mëparshmja
Postimi Tjetër »
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe gjithashtu të citoni burimin, pra, të përmëndni nga është marrë materiali duke e shoqëruar me adresën e kësaj faqeje.