Kush është Perëndia në të vërtetë?
Cila është gjëja e parë që të vjen
ndër mend kur mendon për Zotin? Një fuqi e mbinatyrshme që krijoi të gjitha
gjërat? Një krijues, i cili pasi krijoi gjithçka, na la në fatin tonë? Një
babagjysh i Vitit të Ri, i cili siguron për të gjitha nevojat tona? Kush është
Perëndia në të vërtetë?
Ai
është Perëndia që flet. Ai na flet përmes universit që Vetë e krijoi. Bibla shpall se “qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë.”1 Thuhet gjithashtu
se “cilësitë e Tij të padukshme, fuqia e
Tij e përjetshme dhe hyjnia e Tij, duke
qenë të dukshme nëpërmjet veprave të Tij që nga krijimi i botës, duken qartë.”2 Ai ka folur
gjithashtu përmes profetëve dhe së fundmi na
ka folur përmes Birit të Tij, Jezu Krisht. “Kush më ka parë mua, ka parë Atin”,3 - tha Jezusi. Po
ashtu, Ai ka folur edhe përmes Fjalës së Tij
apo Biblës. Bibla është Fjala e pagabueshme, e frymëzuar prej Tij dhe na
tregon se si është Perëndia në të vërtetë.
Ai
është Krijuesi i të gjitha gjërave. Ai i ka vendosur yjet në vendet e tyre, planetet në orbitat e
tyre, ka krijuar botën dhe gjithçka që është në të. Kur e përfundoi krijimin e
Tij e pa se gjithçka ishte shumë e mirë. Kjo do të thotë se jeta nuk është
rastësi dhe që Zoti ka një plan për ne. Ne në fakt jemi krijuar për të pasur
lavdi dhe nder, si dhe për të mbretëruar mbi tokë bashkë me Perëndinë.
Ai është Mbret mbi të gjitha gjërat. Ai mbretëron mbi qiell dhe tokë dhe mbi gjithçka në to. Perëndia nuk e ka braktisur
botën por është aktiv në të ditë për ditë. Ai siguron për të gjithë njerëzit
dhe i mban të gjitha gjërat në duart e Tij. Është përherë në drejtim të
ngjarjeve, me qëllim që të përmbushet plani i Tij. Ai është, pra, një Perëndi i
mirë, i cili meriton mirënjohjen dhe dashurinë tonë. Ai meriton, si një mbret i
mirë, që të jetë mbreti i jetës sonë. Ai gëzon të drejtën që të mbretërojë mbi
ne dhe të na thotë se si duhet të jetojmë.
Ai
është tërësisht i shenjtë. Bibla shpall se “Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka
kurrfarë errësire.”4 Perëndia është kaq i shenjtë sa që asnjë gjë e papastër nuk mund të hyjë në praninë e Tij. Madje
thuhet për Zotin: “Ti i ke sytë tepër të
pastër për të parë të keqen dhe nuk e
shikon dot paudhësinë.”5 Zoti e urren
mëkatin me një urrejtje tepër të
shenjtë. Ai “është një zjarr gllabërues,”6 i cili nuk mund ta
durojë mëkatin. Ne nuk mund t’i afrohemi Perëndisë me mëkatin në jetët tona.
Ai
është plotësisht i drejtë. Ai nuk e “lë të pandëshkuar fajtorin.”7 Ai është i mëshirshëm, por nuk mund ta lërë pa e gjykuar mëkatin.
Nëse nuk do ta dënonte mëkatin Ai nuk do të ishte më Perëndia. Edhe pse shfaq
zemërim ndaj mëkateve të njerëzve sot, do të vijë një ditë kur Ai do t’i
gjykojë përfundimisht mëkatarët. Ai do t’i kërkojë llogari secilit prej nesh
për çfarë kemi bërë në jetë. A është e mundur që Perëndia të jetë i drejtë por
edhe i mëshirshëm ndaj nesh? Jezusi i ka dhënë zgjidhje këtij problemi, por
para se ta shikojmë këtë lajm të mirë duhet të dëgjojmë një lajm të keq.
Cili është problemi real i botës?
Cila është arsyeja që bota është e
mbushur me dhunë, luftëra, padrejtësi dhe përçarje familjesh? Problemi ynë nuk
është as politik, as ekonomik dhe as shoqëror, por është frymëror. Të gjitha
këto gjëra vijnë si pasojë e mëkatit tonë. “Zemërimi
i Perëndisë zbulohet nga qielli mbi çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve”,8 - thuhet në Bibël. Gjykimi i Perëndisë për mëkatet tona
nuk ka të bëjë me dërgimin e vetëtimave nga qielli për të na konsumuar, por me atë që
Ai na lë që të vuajmë pasojat e mëkatit tonë. Ai na lë që të biem thellë e më
thellë në mëkat duke vuajtur nga frytet e veprave tona.
Çfarë, pra, është mëkati dhe çfarë
meritojmë ne për shkak të mëkatit tonë? Shumica e njerëzve mendojnë se mëkat
janë vetëm vepra të tilla si vrasja, vjedhja apo korrupsioni dhe për pasojë nuk
e shohin veten si mëkatarë. Është e vërtetë se të gjitha këto gjëra janë
mëkate, por nuk janë mëkati. Ato nuk janë veçse simptomat e sëmundjes sonë, por
jo vetë sëmundja. Problemi ynë nuk është vetëm që mëkatojmë, por edhe që jemi
mëkatarë.
Mëkati është mohimi i mbretërimit të
Perëndisë mbi jetën tënde. Është të jetuarit siç duam ne dhe jo siç do
Perëndia. Mëkati është të mos i japim Perëndisë nderin, lavdinë, mirënjohjen
dhe bindjen që Ai meriton. Është shkelja dhe thyerja e Ligjit të Tij. Nëse jemi
fajtorë për shkeljen e një pjese të Ligjit të Zotit, jemi fajtorë për shkeljen
e të gjithë Ligjit. Mëkati është edhe kur e dimë se çfarë është e drejtë për t’u
bërë, por nuk e bëjmë. Mëkati është, pra, thyerja dhe shkelja e Ligjit të
Zotit, mosbërja/moszbatimi e/i Ligjit të Zotit, si dhe një jetë e jetuar në
pavarësi nga Zoti.
Kjo do të thotë se të gjithë ne jemi
mëkatarë. “Të gjithë mëkatuan dhe u
privuan nga lavdia e Perëndisë”,9 - thuhet në Bibël.
E kemi të vështirë ta pranojmë se
jemi mëkatarë. Ne besojmë se në thelb çdo njeri është i mirë, kurse Bibla na
tregon se jemi të zhytur në mëkat. Edhe pse disa janë më të mëkatshëm se të
tjerët, që të gjithë ne jemi të korruptuar/prishur në tërësinë e qenies sonë.
Jo vetëm kaq, por jemi skllevër të mëkatit. “Ai
që mëkaton është skllav i mëkatit”,10 tha Jezusi.
Kemi edhe një prirje për ta krahasuar
veten me të tjerët sepse kështu justifikohemi për të metat tona. Megjithatë po
ta kraha sojmë veten me shenjtërinë e përsosur të Perëndisë dalim që të gjithë
të njollosur.
Bibla thotë se paga e mëkatit është vdekja. Kjo do të thotë jo vetëm që
e meritojmë vdekjen fizike, por edhe që jemi nën zemërimin e plotë të
Perëndisë dhe që përjetësia jonë është ferri. Perëndia nuk mund t’i fshijë mëkatet tona poshtë qilimit; Ai
duhet t’i ndëshkojë ato me drejtësi.
Lajmi i mirë është që Perëndia e ka
siguruar një zgjidhje për mëkatin tonë. Mirëpo, me qëllim që ne të shpëtohemi
nga mëkati ynë, duhet më së pari të pranojmë fajin tonë. Ti duhet ta pranosh që
je një mëkatar, i cili meriton dënimin e përjetshëm të Perëndisë.
Cila është zgjidhja e Zotit për problemin tonë?
Gjatë gjithë historisë, Perëndia e ka
zbuluar qartë se çfarë do të bënte për t’i dhënë zgjidhje problemit të mëkatit.
Ai e zbuloi përmes profetëve të Tij se si do të vinte për ta shpëtuar një
popull nga çdo komb e fis nga dënimi i mëkateve të tyre. Janë mbi 300 profeci
të përmbushura nga Jezusi kur ishte në tokë. Jezusi është zgjidhja e Zotit për
mëkatin tonë.
Perëndia erdhi në tokë! Meqenëse mëkati i njeriut është kaq serioz dhe meriton një dënim kaq të
rëndë, zgjidhja e Zotit duhet të jetë e jashtëzakonshme. Lajmi i mirë i Jezu
Krishtit është plot e për plot me të vërteta befasuese. E para prej tyre është
që Perëndia e përuli veten dhe u bë njeri. Ky është një mister i vërtetë. Si
mundet Zoti që të marrë trajtë njeriu? Vështirë se mendjet tona mund ta kuptojnë këtë, por ishte absolutisht e nevojshme që
Jezusi të zbriste mbi tokë në trajtë njeriu. “Duke qenë se bijtë kanë të përbashkët mishin dhe gjakun po ashtu edhe
ai u bë pjesëtar në po këto gjëra që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që
ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin.”11 Jezusi, pra, duhej
të bëhej njeri që të bëhej njësh me ne dhe
të mund të merrte mbi vete dënimin tonë.
Perëndia
vuajti në vendin tonë! Nëse është
tronditës fakti që Perëndia duhet të merrte
trajtë njeriu, edhe më shokuese është e vërteta që Ai vdiq për ne. “Pa derdhur gjak nuk ka ndjesë”, -
parashikonte Ligji i Zotit. Nëse paga e mëkatit është vdekja dikush duhet ta
pësonte në kurriz të vet këtë dënim. Kush mund ta bënte një gjë të tillë?
Vetëm një njeri i cili nuk ishte vetë mëkatar. Jezusi ishte i pamëkat gjatë
gjithë jetës së Tij. Ai e përmbushi Ligjin e Zotit përsosmërisht dhe pastaj
vuajti dënimin që ai Ligj parashikonte për mëkatarët. Në kryq, Perëndia
derdhi mbi Jezusin gjithë zemërimin e Tij ndaj mëkatit, me qëllim që kushdo që
beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.
Perëndia
fitoi mbi çdo të keqe! Duke jetuar një
jetë të përsosur, duke vdekur për
mëkatet tona dhe duke u ringjallur së vdekurish në të tretën ditë, Jezusi mundi
çdo të keqe. Ai mposhti mëkatin, vdekjen, Satanin dhe çdo ligësi. Jezusi nuk
është si të tjerët që pre-tendonin se vinin nga Perëndia. Të gjithë ata vdiqën,
kurse Jezusi
u ngrit prej së vdekurish dhe u ngjit në qiell. Jezusi,
pra, është i vetmi, i cili mund të na shpëtojë nga mëkati dhe pasojat e tij.
Cila është thirrja e Zotit për jetët tona?
Mesazhi i Jezu Krishtit është një
lajm i mirë për njerëzimin, por është edhe një thirrje dhe urdhërim hyjnor. Kur
Jezusi erdhi në botë ai predikoi: “Pendohuni
dhe besoni në ungjillin.”12 Kur po predikonte
në Athinë, apostulli Pal tha: “Perëndia,
pra, duke mos vënë re kohërat e
padijes, tani i urdhëron të gjithë njerëzit kudo, që të pendohen.”13 Janë, pra, dy
përbërës të thirrjes së Zotit: pendimi dhe besimi.
Pendimi i vërtetë është një ndryshim
i trefishtë: është, së pari, një ndryshim në mendjet tona. Ne
e kuptojmë në fakt që kemi mëkatuar
kundër Zotit. Po, ne kemi kryer mëkate të shumë llojshme, por në fund të
fundit çdo mëkat drejtohet kundër Zotit. “Kam mëkatuar kundër teje, vetëm
kundër teje”,14 i themi Zotit.
Është, së dyti, një
ndryshim në zemrat tona. Ne ndjejmë keq ardhje për jetën që kemi jetuar pa
Perëndinë. Ne dëshirojmë të je-tojmë sipas vullnetit të Zotit dhe jo sipas
dëshirave tona. Është, së fundi, një ndryshim në drejtimin e jetës
tonë. Ne kthehemi nga rrugët
tona të këqija për të bërë atë që Perëndia kërkon prej nesh.
Besimi ka dy përbërës. Në radhë të parë pranojmë se ungjilli është e vërteta. Besimi nuk është i
verbër. Nuk është sikur të he dhësh
një hap në errësirë. Është një bindje se gjithçka thotë Perëndia është e
vërtetë. Ne duhet të besojmë se Perëndia në Krishtin Jezus u bë njeri, jetoi
një jetë të përsosur në tokë, vdiq në kryq që të pësojë dënimin e drejtë për
mëkatet tona, si dhe që u ngjall prej së vdekurish të tretën ditë. Duhet të
besojmë se Ai do të vijë përsëri që të gjykojë të gjallë e të vdekur. Duhet të
besojmë se Jezusi është vetë Perëndia dhe se është Shpëtimtari ynë i vetëm.
Ne mund t’i besojmë këto gjëra me
mendje e të mos jemi ende besimtarë! Bibla thotë se edhe demonët besojnë dhe
dridhen, por ata mbeten demonë! Ne duhet
të mbështetemi tek vepra e kryer nga
Krishti për ne. Nuk duhet t’i besojmë mirësisë sonë, fesë sonë, veprave tona të mira apo ndonjë gjëje
tjetër, por vetëm Krishtit.
Duhet të besojmë se Zoti do të na shpëtojë i shtyrë nga
mëshira e Tij për shkak të veprës që Krishti ka kryer për ne.
Atëherë, a je gati ta zbatosh
urdhërimin e Perëndisë? A do të pendohesh për mëkatin tënd dhe a do të besosh
në Krishtin Jezus? Po ta bësh këtë do të shpëtohesh! Bibla na jep premtime të
mrekul-lueshme në lidhje me këto gjëra. “Në
të vërtetë, në të vërtetë po ju them, Ai
që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të
përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë”,15 - tha Jezusi. “Po ta rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën
tënde se Perëndia e ngjalli prej së
vdekurish do të shpëtohesh.”16
A na çojnë të gjitha fetë tek Zoti?
Lideri indian Mahatma Gandhi tha një herë: “Të gjitha rrugët të cilat të
çojnë tek Perëndia janë njëlloj të mira në krahasim me njëra tjetrën.” John
Lennon, vokalisti i grupit “The Beatles”, tha: “Unë besoj se çfarë kanë thënë
Jezusi dhe Muhamedi dhe Buda është e drejtë. Vetëm se ata janë përkthyer
gabim.” Mendësia shqiptare është që fetë janë pak a shumë si partitë politike.
Zoti është një, dhe e vetmja gjë që ka rëndësi është që të besosh në Të dhe të
bësh mirë. Sipas tyre, nuk ka fare rëndësi nëse beson në Islam, Krishterim apo
në ndonjë fe tjetër.
Shqipëria krenohet me harmoninë e saj
fetare dhe me respektin e ndërsjellë që kanë njerëzit për njëri tjetrin
pavarësisht fesë së tyre. Respekti i ndërsjellë mes njerëzve është një nga
themelet e një shoqërie, por pyetja që shtrohet është a na çojnë të gjitha fetë
në qiell? A mund ta njohësh Zotin siç duhet pa marrë parasysh se çfarë feje ke?
Përfytyro pak sikur po mbytesh në
det. Për çfarë ke nevojë në ato çaste? Për njerëz, të cilët qëndrojnë tek bregu
duke të të bër-titur këshilla se si të notosh, këshilla të cilat për më tepër
bien në kundërshtim me njëra tjetrën, apo për një njeri që është i aftë ta çajë
me not detin e trazuar për të ardhur deri tek ty me qëllim që të të shpëtojë.
Çdo fe e botës, përveç Krishterimit
të Biblës, na mëson se si të “notojmë” apo si të shpëtojmë me forcat tona nga
mëkatet dhe fajet tona. Mirëpo, ka dy probleme me këtë gjë. Së pari, të gjitha
fetë bien në kundërshtim me njëra tjetrën se si duhet të shkojmë tek Perëndia.
Kështu që, të gjitha fetë nuk mund të jenë të gjitha njëherësh të vërteta,
sepse ato mësojnë gjëra të kundërta. Së dyti, asnjë prej tyre nuk na ofron një
shpëtimtar. Vetëm Jezusi ka vdekur për mëkatet dhe është ringjallur në të
tretën ditë. Vetëm Ai mund të na shpëtojë nga fajet tona.
Bibla shprehet qartë për faktin se
ekziston vetëm një rrugë, e cila na çon tek Perëndia dhe kjo është përmes Jezu
Krishtit. Jezusi tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek
Ati përveçse nëpërmjet meje.” Në Bibël thuhet: “Dhe në asnjë tjetër nuk ka
shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër nën qiell që u është dhënë njerëzve, me anë të
të cilit duhet të shpëtohemi.” Po ashtu thuhet: “Sepse një është Perëndia, dhe
një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus, njeri.”
A është Bibla e besueshme?
Bibla është baza e besimit të Krishterë. A mund të besojmë se Bibla me
të vërtetë vjen nga Perëndia? Vallë, a mund të ketë pësuar ndryshime Bibla me
kalimin e kohës? A mund ta besojmë çfarë na mëson Bibla në një epokë kur shkenca dhe dija kanë
përparuar shumë? Besueshmëria e Biblës del në pah në disa aspekte.
Bibla
nuk është ndryshuar. Duke krahasuar
mijëra dorëshkrime në dispozicion të
tyre, historianët bien dakord që 99.99% e tekstit të Biblës është transmetuar
me saktësi. Madje edhe ndryshimet e pakta që ka pësuar teksti gjatë historisë
kanë të bëjnë me disa fjalë, të cilat nuk ndryshojnë asnjë prej të vërtetave
apo parimeve të Biblës. Duke qenë se Bibla është transmetuar besnikërisht për
mijëra vjet, mund ta themi me siguri të plotë se ajo nuk është ndryshuar dhe
se është Fjala e Perëndisë.
Bibla
është një. Edhe pse Bibla e
përmban 66 libra, me 40 autorë, të shkruara
përgjatë një periudhe 1500-vjeçare dhe në tre kontinente të ndryshme, mesazhi
i saj është përherë i njëjtë. Bibla nuk bie në kundërshtim me veten dhe
ekziston një harmoni e mreku llueshme në mes të gjitha pjesëve të saj.
Bibla
është e ndershme. Një nga cilësitë e
Biblës është që ajo kurrë nuk i mbulon
fajet dhe dobësitë e autorëve dhe heronjve të saj. Nëse Bibla nuk do ishte e
vërtetë do të prisnim që autorët të mbulonin fajet e personazheve kryesore, por
në çdo rast ndodh pikërisht e kundërta. Bibla është jashtëzakonisht e ndershme
për sa i përket gabimeve të njerëzve besimtarë.
Arkeologjia del në mbështetje të Biblës. Çdo zbulim arkeologjik që është bërë deri më sot vetëm vërteton se gjërat që
shkruhen në Bibël kanë ndodhur me të vërtetë. Bibla nuk hidhet poshtë nga
historia dhe asnjë fakt shkencor nuk bie në kundërshtim me Biblën.
Bibla
vërtetohet nga jetët e ndryshuara prej saj. Bibla jo vetëm që gjen mbështetje në faktet objektive, por edhe vërtetohet
nga përvoja e njerëzve. Themelet e shoqërive perëndimore janë hedhur duke
pasur për udhërrëfyes Biblën. Ajo ka frymëzuar shumë prej kushtetutave,
ligjeve dhe praktikave që ne admirojmë. Ajo ka transformuar jetën e kombeve
dhe madje edhe të kontinenteve të tëra gjatë historisë. Mbi të gjitha Bibla ka
ndryshuar jetë të panumërta njerëzish për mirë dhe kjo është e pamohueshme.
Nëse Bibla është jetëndryshuese dhe
shpall se është Fjala e Perëndisë, atëherë pse nuk e lexon vetë atë dhe kështu
ke për të zbuluar visaret e të vërtetave që fshihen brenda saj?
Referencat e vargjeve biblike
1.
|
Psalmi 19:1
|
9. Romakëve 3:23
|
2.
|
Romakëve 1:20
|
10. Gjoni 8:34
|
3.
|
Gjoni 14:9
|
11. Hebrenjve 2:14-15
|
4.
|
1 e Gjonit 1:5
|
12. Marku 1:15
|
5.
|
Habakuku 1:13
|
13. Veprat 17:30
|
6.
|
Hebrenjve 12:29
|
14. Psalmi 51:4
|
7.
|
Eksodi 34:7
|
15. Gjoni 5:24
|
8.
|
Romakëve 1:18
|
16. Romakëve 10:9
|
0 Comments