Çfarë është Besimi i Reformuar?




Nga B. B. Warfield

ÇFARË KUPTIMI KA TERMI “I REFORMUAR”?

Termi “i Reformuar” është një term historik që ka lindur pesë shekuj më parë. I referohet një periudhe kur kisha iu nënshtrua Reformimit në përpjekje për ta rikthyer Krishterimin te autoriteti i Shkrimit të Shenjtë. Synimi i Reformimit nuk ishte ta ndryshonte Fjalën e Perëndisë, por ta sillte kishën në përputhje me të.

Të udhëhequra nga Martin Luteri, Zvingli, dhe Gjon Kalvini, Kishat e Reformuara u shkëputën nga gabimet e Katolicizmit mesjetar dhe i dhanë jetë atij që ne e njohim sot si Protestantizmi.

ÇFARË MËSONIN REFORMATORËT?

Martin Luteri kaloi mjaft kohë duke u përpjekur që ta bindte kishën që njeriu shpëtohej vetëm prej hirit të Zotit vetëm përmes besimit. Ai besonte se të gjitha mësimet dhe doktrinat duhet të bazoheshin vetëm mbi Shkrimin e Shenjtë. Veprat e tij dhe të Kalvinit shpallnin mësimin e qartë të Shkrimit që Perëndia është një Perëndi sovran.

Ata besonin se Perëndia nuk ishte thjesht një vëzhgues mosveprues, por, përkundrazi, se Ai ishte veprues në të gjithë natyrën dhe punët e njeriut dhe se “Ai që të mbron nuk do të dremitë." (Psalmi 121:3). Ata mësonin atë që mësonte edhe Apostulli Pal, pra, që “Në Të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi" (Veprat e Apostujve 17:28). Ata ishin të sigurt që Perëndia sundon në mënyrë sovrane mbi krijimin dhe se të gjitha ngjarjet ndodhnin me lejen e Tij, sepse gjithçka është “Sipas vendimit të Atij që vepron gjithçka sipas këshillës së vullnetit të Tij” (Efesianëve 1:11).

A ËSHTË PERËNDIA NJË PERËNDI SOVRAN?

A ka të drejtë Krijuesi i gjithçkaje të bëjë çfarë të dojë me njerëzit e tokës? Reformatorët besonin jo vetëm që Ai kishte të drejtë, por edhe që Ai e ushtron vullnetin e Tij me drejtësi dhe që ky parim shprehet qartë në Shkrimin e Shenjtë. “Tërë banorët e dheut përpara Tij konsiderohen si asgjë; Ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe banorët e dheut. Askush nuk mund t'ia ndalë dorën ose ti thotë: “Çfarë po bën?”” (Danieli 4:35). Për ta, sovraniteti i tij shfaqej më së qarti në shpëtimin e të zgjedhurve. Mësimet e reformatorit francez Gjon Kalvin theksonin sovranitetin e Perëndisë dhe vepra e këtij të fundit shpesh përmblidhet në “Pesë pikat e Kalvinizmit”. Akronimi i thjeshtë “TULIP” i shpjegon këto pika.

PO PËR TULIP-in Ç’MUND TË THEMI?

Udhëheqësit e hershëm protestantë kuptuan që ata duhet t’i mbronin mësimet e Shkrimit sa i përket sovranitetit të Perëndisë përkundër atyre që ia mohonin Perëndisë këto të drejta. Ishin të shumtë ata që mendonin se shpëtimi ishte një proces që pjesërisht varej prej tyre dhe acaroheshin kur dikush e bënte të qartë se krenaria e tyre duhet t’i nënshtrohej Shkrimit të Shenjtë. Udhëheqësit e kishës trimërisht iu përgjigjën biblikisht këtyre sulmeve duke mbrojtur pozitën reale të Perëndisë si Zot mbi krijimin e tij.

Mëkatshmëria e Plotë e Njeriut (T - Total Depravity):
Njeriu në gjendjen e tij mëkatare dhe të rënë, “nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë, sepse për të janë marrëzi; dhe nuk mund t’i njohë, sepse ato hetohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14). Perëndisë i vlerësonte kështu pasardhësit e racës së rënë të Adamit: “Ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë” (Zanafilla 6:5; 8:21). Të gjitha “të mirat” që njeriu mendon se i bën gjatë jetës së vet nuk janë asgjë tjetër veçse “rrobe e ndotur” (Isaia 64:6). Çfarë ishte e vërtetë për mbretin David është gjithashtu e vërtetë edhe për ne, pra, që ne jemi “mbrujtur në paudhësi dhe nëna ime më ka ngjizur në mëkat” (Psalmi 51:5). Njeriu natyror nuk është i sëmurë, por I VDEKUR. Atyre që janë të krishterë Apostulli Pal iu sjell ndërmend të kaluarën e tyre kur iu flet me një gjuhë të figurshme: “Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në shkelje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjes së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të ajrit, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes, ndërmjet të cilëve, edhe ne dikur, jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar vullnetet e mishit dhe të mendjes; dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, si edhe të tjerët." (Efesianëve 2:1-3)

Zgjedhja e Pakushtëzuar (U - Unconditional Election):
Perëndia “na zgjodhi në Të përpara themelimit të botës, që të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përpara tij në dashuri” (Efesianëve 1:4). Kjo do të thotë që ata që do të shpëtohen janë ata që janë zgjedhur që të shpëtohen nga Zoti sovran: “Do të kem mëshirë për atë që do të kem mëshirë” (Romakëve 9:15). Ai nuk e bazon zgjedhjen e Tij në ndonjë kusht brenda njeriut, “që askush të mos mburret” (Efesianëve 2:9).

Shlyerja e Posaçme (L - Limited Atonement):
Shlyerja e Krishtit është posaçërisht për njerëzit e Tij – “dhe jetën time e jap për delet” (Gjoni 10:15). Ai nuk e derdhi gjakun e Tij për ata që nuk do të vinin tek Ai. Ai nuk ka paguar çmimin për mëkatin e tyre - këtë ata duhet ta bëjnë vetë. “Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, por për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë” (Gjoni 17:9).

Hiri i Parezistueshëm ose Hiri Efektiv (I - Irresistible Grace or Effectual Grace):
Ata që Ai ka zgjedhur do të vijnë tek Ai pa një pa dy. “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, dhe unë i njoh dhe më ndjekin” (Gjoni 10:27). “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek Unë...” (Gjoni 6:37). Perëndia e dërgon Frymën e Tij të Shenjtë të punojë në zemrat e të zgjedhurve të Tij: “Do t'ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re” (Ezekieli 36:26). “Askush nuk mund të vijë tek Unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” (Gjoni 6:44). “Sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme” (Romakëve 11:29).

Qëndrueshmëria e Shenjtorëve (P - Perseverance of the Saints):
“Ati im, që mi ka dhënë, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund ti rrëmbejë nga dora e Atit tim” (Gjoni 10:29). “Do t'i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:21). Shpëtimi nuk meritohet nga askush, as edhe zgjedhja e deleve të Tij të vërteta nuk blihet kurrë nga besimtari, sepse “Ai që nisi një vepër të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6).

SFIDUESIT

Shumë nga mësimet e Luterit, Zvinglit, Kalvinit dhe reformatorët e tjerë u sfiduan nga ata që besojnë se Perëndia mund të jetë sovran, por ka zgjedhur që të heqë dorë pjesërisht nga kontrolli i Tij me qëllim që liria e njeriut të mos kufizohet. Këta sfidues shpesh bazohen mbi mësimet e Jakob Arminit, një profesor holandez, ndjekësit e të cilit quhen Arminianë dhe mohojnë mësimin e teologjisë së Reformuar, veçanërisht sa i përket gjendes së njeriut. Ata nuk besojnë se njeriu është frymërisht i vdekur, por që ai është i sëmurë nga mëkati.

Kalvinizmi mëson që njeriu shpëtohet nga hiri i pakushtëzuar, ndërsa Arminianët mësojnë që njeriu shpëtohet nga hiri por me një kusht të vetëm. Kushti është që çdo njeri duhet të zhvillojë në vetvete besimin te Perëndia dhe të arrijë hirin e Perëndisë. Reformatorët mësonin se njeriu nuk ka asnjë fuqi për ta shpëtuar vetvete dhe se është vetëm Fryma i Perëndisë që iu jep besimtarëve jetë të re dhe besim. Sfiduesit mësojnë që njeriu ka të paktën fuqi të mjaftueshme për të qenë në gjendje që të plotësojë kushtet e hirit të Perëndisë.

PSE ËSHTË BESIMI I REFORMUAR KAQ I RËNDËSISHËM SOT?

Katër shekuj më parë, Reformatorët u përpoqën që ta përulnin njeriun dhe ta lartësonin Perëndinë. Të gjithë ata që dëshirojnë të njohin Zotin e Ushtrive janë përpjekur për arritjen e këtij objektivi që nga fillimi i kohërave e deri më sot. Kishat e Reformuara besojnë se “frika e Zotit është fillimi i urtësisë" (Fjalët e Urta 9:10). Ato e mësojnë dhe e ndajnë Fjalën e Perëndisë me kohë dhe pa kohë, me qëllim që kisha e Krishtit të përfitojë nga doktrina e shëndoshë dhe që besimtari të ketë një vlerësim më të thellë për Perëndinë për t’i shërbyer Atij besnikërisht.

Besimi i Reformuar është shumë i rëndësishëm sot, sepse shumë kisha “të krishtera” nuk mësojnë dhe as nuk besojnë te Bibla. Është e frikshme kur kupton se sa shumë kisha sot i vënë në dyshim këto të vërteta bazë, siç është hyjnia e Krishtit dhe ringjallja e Tij.

Dikush nuk mund të thotë: “Epo, nuk ka shumë rëndësi se çfarë beson, mjafton të besosh në diçka”. Pavarësisht se çfarë do bota që ne të besojmë, doktrina është e rëndësishme. Ajo se çfarë besojmë është shumë e rëndësishme. Në librin e Veprave të Apostujve, bereasit “e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet, nëse këto gjëra ishin ashtu” (Veprat e Apostujve 17:11).

Është shumë e vërtetë që ka shumë kisha që e mësojnë qartësisht Fjalën e plotë të Perëndisë. Ky shkrim nuk u hartua me synimin për të thënë se dikush nuk mund të shpëtohet nëse nuk është anëtar i një kishe të reformuar. Kjo nuk është e vërtetë. Synimi që na shtyn në këtë ndërmarrje është që besimtarët të drejtohen drejt një sistemi besimi dhe teologjie që është më pranë dhe më në përputhje me Fjalën e Perëndisë.


Shpërndaje në Rrjetet Sociale

Artikuj të Ngjashëm

Tjetra
« Prev Post
E mëparshmja
Postimi Tjetër »
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe gjithashtu të citoni burimin, pra, të përmëndni nga është marrë materiali duke e shoqëruar me adresën e kësaj faqeje.