Nëse nuk mund ti shërosh, goditi ata? - Një Paralajmërim Biblik për Smith Wigglesworth!

Nga Costi W. Hinn (Nipi i Benny Hinn)

Postimi i mëposhtëm është një pjesë e ndryshuar e një kapitulli nga “Të Përkufizosh Mashtrimin.”

Pse vallë është e rëndësishme historia e kishës? Kjo është një pyetje që shumë të krishterë duhet të jenë në gjëndje që ti përgjigjen.

Në veprën e tij të jashtëzakonshme, Pse Historia e Kishës ka Rëndësi (Why Church History Matters), Robert F. Rea e përcakton historinë si “studimi i së shkuarës për të kuptuar të tashmen dhe përmirësuar të ardhmen.”[1] Historia na mëson mësime të cmuara rreth së mirës, së keqes, dhe të së shëmtuarës. Na mëson rreth natyrës të mënyrës si gjërat kanë qënë dhe si u bënë. Këto janë mësime që do bënim mirë ti mësonim sepse ato na rikujtojnë që edhe njerëzit më të mirë janë akoma njerëz në më të mirën e tyre. Për më tepër, mësimet nga historia na japin motivimin për të ndryshuar të ardhmen, edhe kur është e dhimbshme për tu përballur me faktet.

Fatkeqësisht, shumë shpesh, ne kemi tendencën të idealizojmë figurat e së shkuarës sepse vdekja është në një farë mënyre sheshuesi i madh dhe nuk konsiderohet mirë të flasësh keq për të vdekurit. Por ku do të na cojë refuzimi i fakteve? A duhet ti injorojmë ato duke thënë: “Epo, askush nuk është i përsosur”? A është e urtë, ose madje edhe e krishterë, për të mbyllur një sy ndaj atyre që i quajnë abuzuesit e dhunshëm dhe manipulatorët e Shkrimit heroikë? Mohimi nuk është kurrë një opsion kur kërkon të vërtetën – në fakt, është e pamundur.

Me rrezikun e rrëzimit të lopëve të shenjta të së kaluarës ne duhet të jemi të përkushtuar për tu dhënë fëmijëve tanë një të ardhme shpresëdhënëse – një të ardhme e themeluar mbi të vërtetën biblike. Askush nuk është i përsosur, por të krishterët që me krenari i gjejnë rrënjët e tyre në teologji të gabuara janë në nevojë të dëshpëruar për një kontroll realiteti në lidhje me ata që i prezantuan me këto sisteme besimi. Besime dhe praktika të tilla nuk gjenden askund në Bibël.

Nëse “historia është përpjekja për të siguruar llogaridhënie në të tashmen nën dritën e së shkuarës,”[2] e kuptuara e duhur e historisë është një nevojë e domosdoshme. Nën dritën e kësaj nevoje, ja ku është një shërues besimi historik që akoma mbahet si një gjeneral i besimit të krishterë por është e nevojshme të njihet për atë që ai ishte gjithmonë.

 

Smith Wigglesworth (1859–1947)

Wigglesworth ishte një nga të parët që e coi besimin e shërimit në lartësi të reja të dhunshme. Këto ditë, ai është një figurë e rëndësishme në rrethet pentakostale dhe karizmatike, por kjo ndodh sepse njerëzit janë të paditur për taktikat e gabuara dhe jobiblike të shërbesës së tij. Për pothuajse dy dekada të vetë jetës sime, Wigglesworth ishte një nga heronjtë e mi sepse ai përfaqësonte besimin e guximshëm pa asnjë konsideratë për kufijtë e fesë dhe traditës. Ai ishte një rebel kokëkrisur dhe, si Pjetri, ishte i gatshëm të kërcente jashtë varkës për të ecur mbi ujë për të ndjekur Jezusin. Ky është lloji i marrjes së rrezikut që Perëndia gjithmonë e bekon, mendoja shpesh unë. Ky dua të jem unë!

Megjithëse lindi përpara Charles Parham dhe William Seymour (shënimi i përkthyesit: këta ishin inicuesit e lëvizjes pentakostale ne Amerikë), Wigglesworth jetoi edhe pas tyre. Për shkak të jetëgjatësisë së tij, ai ishte në një pozicion të përsosur për të ndikuar pothuajse vetëm Mbretërinë e Bashkuar në të njëjtën mënyrë që Parham dhe Seymour ndikuan Amerikën. 
 
Wigglesworth e fokusoi bërthamën e shërbesës së tij te shenjat dhe cuditë sic ishin shërimet, mrekullitë, dhe gjuhët. Ai mësonte që besimtarët duhej ti refuzonin kurat mjekësore për cdo lloj sëmundje. Nëse jo i pari, ai ishte një nga të parët në histori që e kryente besimin e tij të shërimit duke përdorur metodat përvec vënies së duarve—megjithëse ai përsëri i prekte ata. Sipas Wigglesworth, sëmundja ishte aktivitet demonik kështu që ai do ti sulmonte fizikisht personat sikur ata të ishin vetë djalli! Duke injoruar mësimin biblik që lufta shpirtërore nuk ka asgjë të bëjë me mishin dhe gjakun (Efe. 6:12), Wigglesworth do të grushtonte, qëllonte me shpullë, ose do i godiste njerëzit në vende ku ata do të ndjenin dhimbje. Wigglesworth shpjegon arsyen e tij për sulmin ndaj të sëmurëve:
Ka disa herë kur ti lutesh për të sëmurin dhe në dukje je i ashpër. Por ti nuk po merresh me një person, ti po merresh me forcat satanike që po e verbojnë atë njeri. Zemra jote është plot dashuri dhe dhembshuri ndaj të gjithëve, por ti prekesh nga një zemërim i shenjtë ndërsa sheh vendin që djalli ka zënë pozicion në trupin e të sëmurit, dhe ti merresh me pozicionin e tij me një forcë reale.[3]
Nëse njerëzit nuk shëroheshin, ai sigurohej që tua hidhte fajin të sëmurëve. Wigglesworth mësonte që cdo njeri duhet të jetë në gjendje të kontrollojë shërimin e vet. Ai fajësonte ata që nuk mund ta hiqnin dot sëmundjen e tyre mbi vetë mëkatin e tyre dhe mungesës së besimit. Ai deklaroi, “A është shërimi për të gjithë? është për të gjithë ata që këmbëngulin dhe marrin pjesën e tyre.”[4] Një gruaje të sëmurë ai i lehu, “Nëse do ta heqësh vetë-drejtësinë, Perëndia do të bëjë dicka për ty. Hiqe këtë ide që ti je kaq e shenjtë saqë Perëndia duhet të të sprovojë. Mëkati është shkaku i sëmundjes tënde.”[5] Ai gjithashtu deklaroi, “Ka një marrëdhënie të ngushtë midis mëkatit dhe sëmundjes. . . por nëse do i bindesh Perëndisë dhe të pendohesh për mëkatin dhe ta braktisësh atë, Perëndia do të takohet me ty, dhe nuk do të qëndrojë as sëmundja as mëkati yt.”[6] Pa asnjë konsideratë për mësimin biblik për t'ju lutur dhe besuar vullnetit të Perëndisë, qëllimeve të Perëndisë përmes sprovave fizike, dhe shenjtërimit nga sëmundja e pashëruar (Gal. 4:13-14; Jakobi 1:2-3), Wigglesworth i konfuzoi dhe i abuzoi shpirtërisht ata që ishin të sëmurë dhe të dëshpëruar duke thënë që ata ishin problemi dhe ai ishte zgjidhja. Ai ishte vecanërisht agresiv ndaj kujtdo që i afrohej për lutje më shumë se një herë. Një njeri i shkretë përjetoi poshtërim publik kur ai doli përpara dhe i kërkoi shëruesit të besimit që të lutej për të për herë të dytë sepse ai nuk ishte shëruar akoma. Wigglesworth bërtiti, “A nuk u luta unë për ty natën e kaluar? Ti je plot mosbesim, largohu prej këtu.”[7] Metoda e tij për ta vendosur fajin mbi njerëzit e pafajshëm për përpjekjet e tij të dështuara shëruese, dhe veprimet e dhunshme për tu përpjekur për ti shëruar njerëzit, praktikohen akoma edhe sot nga shumë mësues të rremë. Më vonë në libër, do shikojmë nga afër një predikues të kohëve moderne i cili, ashtu si edhe Wigglesworth, i sulmon njerëzit kur lutet për shërimin e tyre.

Njerëzit që thjesht kërkonin për shpresë u shkatërruan kur njerëz si Wigglesworth i poshtëronte me praktikat e tij të turpshme. Akoma, shumë predikues pentakostalë dhe karizmatikë të kohëve moderne i injorojnë faktet e forta të historisë dhe e konsiderojnë Wigglesworth një hero të besimit. Pavarësisht mendimit modern, Wigglesworth ishte një sharlatan që shfrytëzonte të sëmurin duke mësuar në mënyrë të rreme rreth shpëtimit, mëkatit, dhe sëmundjes. Trashëgimia e tij nuk prezanton krishtërimin e vërtetë as edhe karakterin e udhëheqësisë biblike.

Ata që dëshirojnë ta përfaqësojnë besnikërisht Krishtin duhet të armatosen me të vërtetën. Historia e errët e mësuesve të rremë abuzues nuk është vendi ku të krishterët duhet ta gjejnë të vërtetën, ose të pohojnë trashëgiminë e tyre. Shih te Fjala e Perëndisë për udhëheqje të përhershme – nuk do të të zhgënjejë kurrë.

[1] Robert F. Rea, why Church History Matters (Downers Grove, IL: InterVarsity Press, 2014), 23.
[2] Ibid.
[3] SmithWigglesworth, Ever Increasing Faith (Springfield, MO: Gospel Publishing House, 1924), 135–36.
[4] Ibid., 37.
[5] Ibid., 38.
[6] Wigglesworth, Ever Increasing Faith, 41.
[7] Julian Wilson, Wigglesworth: The Complete Story (Tyrone, GA: Authentic Media, 2004), 82–83.



Përkthyer nga: http://www.forthegospel.org/if-you-cant-heal-em-beat-em/

Shpërndaje në Rrjetet Sociale

Artikuj të Ngjashëm

Tjetra
« Prev Post
E mëparshmja
Postimi Tjetër »
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe gjithashtu të citoni burimin, pra, të përmëndni nga është marrë materiali duke e shoqëruar me adresën e kësaj faqeje.