PËRZIERJA E RËNKIMEVE TË DHIMBJES ME KËNGË SHPRESE – SPËRXHËN MBI DEPRESIONIN

Autori: Susan Verstraete

Është një gjë e mirë që Spërxhëni nuk lindi në shekullin e 20-të. Shumë të krishterë do ta përkufizonin prirjen e tij për melankoli si mëkatare, ose si provë të mungesës së vetë-disiplinës, ose madje edhe si rezultat të besimit të cekët. Një psikolog me shumë mundësi do t'i jepte një recetë barnash dhe një libër vetë-ndihmues me 12 hapa të thjeshtë për të dalë nga depresioni. Mirëpo Çarls Hadën Spërxhën [Charles Haddon Spurgeon], me shumë gjasë predikuesi më i madh i shekullit të 19-të, kishte një vlerësim tjetër për vuajtjet e tij.

Spërxhëni e dinte “nga përvoja më e dhimbshme se çfarë është depresioni i shpirtit, duke qenë se ai e mbërthente në periudha kohore që nuk ishin as të shkurtra dhe as ishin larg njëra-tjetrës”. Ai i paralajmëroi studentët e tij, “Krizat e depresionit godasin shumicën prej nesh. Sado të gëzueshëm që mund të jemi, vjen koha që biem në humnerë. Të fortët nuk janë gjithmonë të fuqishëm, të urtët jo gjithmonë gati, guximtarët jo gjithmonë të guximshëm, dhe të hareshmit jo gjithmonë të hareshëm”. Megjithëse thoshte: “Duhet t’i shmangemi errësirës frymërore të çfarëdo lloji qoftë dhe jo ta dëshirojmë atë”, ai kurrë nuk mendonte që një i krishterë që vuan nga depresioni me domosdo duhet të jetë në mëkat. Në vend të kësaj ai shkroi: “Unë vë re që disa që i dua dhe i vlerësoj fort dhe që sipas gjykimit tim janë mes të zgjedhurve të Perëndisë, shumicën e rrugës për në qiell e bëjnë natën”.

Në librin e tij 
Leksione për Studentët e mi, Spërxhëni rendit disa arsyet se përse besimtarët bien në trishtim. Ai gjithashtu jep shpresë për ata që janë kapluar prej tij.

“A nuk janë vallë ata njerëz?” Spërxhëni e dinte mirë se të qenit i krishterë nuk e bën një burrë a grua të paprekshëm prej vuajtjes. Ai tha në fakt: “Edhe pse gjendemi në sferën e shpengimit duket qartë do të na duhet të durojmë shtrëngime, përndryshe nuk do të kishte nevojë për Frymën e premtuar që të na ndihmonte në to. Është e nevojshme që ne të na kapë nganjëherë rëndesa. Njerëzve të mirë u janë premtuar mundime në këtë botë”. Mirëpo, ai vë theksin te fakti që përmes kësaj vuajtjeje, “mund të mësojmë se si të kemi simpati për njerëzit e Zotit që po vuajnë”. Pali thotë diçka të ngjashme te 2 Korintasve 1:4; Perëndia “që na ngushëllon në gjithë shtrëngimin tonë që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata, që janë në çfarëdo shtrëngimi.”

“Shumica prej nesh në një mënyrë apo në një tjetër nuk janë mirë fizikisht.” Spërxhëni vuajti së tepërmi prej një sëmundjeje të kyçeve që u diagnostikua si cermë. Ai ishte i detyruar të qëndronte shtrirë, disa herë për javë të tëra në dhimbje torturuese. “Kam përfunduar shumë poshtë”, i shkroi ai kishës së tij gjatë një periudhe të gjatë, “Mishi im është torturuar nga dhimbjet dhe shpirti im është kapitur nga depresioni.... Me vështirësi unë i shkruaj këto rreshta në krevatin tim, duke i përzier rënkimet e dhimbjes me këngët e shpresës.”

Duke qenë i karakterizuar nga ekuilibri, Spërxhëni e kuptonte se dhimbja fizike dhe temperamenti natyror janë faktorë që ndihmojnë në rënien në depresion, por ai nuk i lejoi studentët e tij që t'i përdornin ato si një shfajësim për dëshpërimin e tyre. “Këto sëmundje nuk e pengojnë karrierën e një njeriu me dobishmëri të veçantë”, tha ai. “mbase Zoti e ka ngarkuar atë me to në urtësinë e Tij, për ta kualifikuar atë për drejtimin e veçantë të shërbesës së tij. Disa bimë i fitojnë vetitë e tyre shëruese falë moçalit në të cilin rriten; disa të tjera vetëm falë hijes nën të cilën vetëm ato lulëzojnë”.


“Puna e mundimshme dhe e pandërprerë për një kohë të gjatë e shkakton këtë lloj lëngate”. Programi ditor i Spërxhënit ishte rraskapitës. Në një javë të zakonshme, ai predikonte dhjetë herë. Ai u përgjigjej afërsisht 500 letrave, jepte mësim te Kolegji i Pastorëve, administronte një jetimore dhe merrej me përkujdesjen baritore të dhjetëra besimtarëve. Ai shkruante libra, priste vizitorët në shtëpinë e tij, i jepte mësim familjen së vet dhe inkurajonte të shoqen që dergjej në shtrat prej një sëmundjeje kronike. Nuk është pra çudi që shëndeti i tij u përkeqësua nën peshën e kësaj ngarkese. Kisha e Spërxhënit më në fund këmbënguli që ai të bënte pushime të rregullta për vit. Spërxhën u tha studentëve të tij, “Harku nuk mund të mbahet i nderë gjatë gjithë kohës se ndryshe thyhet. Prehja është e nevojshme për mendjen ashtu siç është gjumi për trupin... Koha e pushimit nuk është një kohë e harxhuar kot. Është një kursim i vërtetë të mbledhësh forcat pas lodhjes”.

“Qëllon një goditje dërrmuese që e zhyt shumë thellë një shërbesë të caktuar”. Më 19 Tetor 1856, Spërxhëni 22-vjeçar predikoi për herë të parë te Salla e Muzikës e Kopshteve Sari, në Londër. Ndërtesa e kishës nuk ishte më e mjaftueshme që të mbante turmat e njerëzve që donin ta dëgjonin tek predikonte. Me mijëra veta e mbushnin sallën e muzikës, duke u ulur te hyrja dhe te shkallët pasi të gjitha stolat ishin mbushur plot, dhe qindra të tjerë prisnin jashtë, duke shpresuar të dëgjonin pjesë të predikimit përmes dritareve. Pak pasi Spërxhëni filloi të lutej, dikush i ulur në lozhë bërtiti “Zjarr!” Njerëzit shtynin njëri-tjetrin për të dalë jashtë ndërtesës, dhe një mbajtëse shkallësh u këput nga pesha e madhe. Shtatë njerëz u vranë dhe 28 të tjerë u plagosën. Spërxhëni i dhembshur asnjëherë nuk e mori veten plotësisht nga goditja emocionale që pësoi për shkak të këtij incidenti. Ai shkroi, “U shtypa përtej të gjitha masave dhe caqeve prej një peshe të pafundme mjerimi. Trazira, paniku, vdekjet, ishin ditë e natë përpara meje, dhe e kthyen jetën time në një barrë të papërballueshme”.

Shumë kanë përjetuar një fatkeqësi natyrore, vdekjen e një të dashuri, humbjen falimentuese të parave ose zhgënjimin mbytës kur një fëmijë ose besimtar bien në mëkat. Spërxhëni na jep shpresë nga vetë përvoja e tij. “Fakti që Jezusi është ende i madh, pavarësisht se si vuajnë shërbëtorët e tij, më udhëhoqi drejt paqes dhe qetësisë shpirtërore. Po qe se një fatkeqësi kaq e tmerrshme godet ndonjë prej vëllezërve, ata nuk kanë se çfarë të bëjnë tjetër përveçse të shpresojnë me durim dhe të presin me qetësi shpëtimin e Perëndisë”.


“Mësimi që marrim nga urtësia është që të nga urtësia është që të mos lemerisemi nga mundimet e shpirtit”. Në fund fare, Spërxhëni e pranoi që depresioni mund t’i zërë ca besimtarë pa asnjë arsye të dukshme. Ai nuk e konsideronte atë një sëmundje, një mëkat, ose si një gjendje të habitshme, por si një stinë e pashmangshme në jetën e një të krishteri dhe një mundësi për të demonstruar besimin te Perëndia që një ditë do të fshijë të gjitha lotët prej syve tanë. 

Çdo thjeshtaman mund ta ndjekë shtegun e ngushtë në dritë: urtësia e rrallë e besimit na aftëson që të marshojmë në errësirë me saktësi të pagabueshme, meqenëse ajo kapet për dore pas Udhërrëfyesit të saj të Madh. —Çarls Spërxhën, Leksione ndaj studentëve të mi.


Përkthyer nga: https://www.princeofpreachers.org/blog/mingling-groans-of-pain-and-songs-of-hope-charles-haddon-spurgeon-on-depression

Shpërndaje në Rrjetet Sociale

Artikuj të Ngjashëm

Tjetra
« Prev Post
E mëparshmja
Postimi Tjetër »
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe gjithashtu të citoni burimin, pra, të përmëndni nga është marrë materiali duke e shoqëruar me adresën e kësaj faqeje.