Gruaja e Perëndishme – Të Bëhesh Esteri


Nga Charo Washer, gruaja e Paul Washer


Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? ...” Fjalët e urta 31:10

"“Njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën .”" ~ 1 Samueli 16:7
"“Kur i vinte radha çdo vajzë të hynte te mbreti Asuero, mbasi kishte bërë dymbëdhjetë muaj përgatitjesh, sipas rregulloreve të grave, sepse kështu plotësoheshin ditët e pastrimit të tyre; gjashtë muaj për t'u lyer me vaj të mirrës dhe gjashtë muaj me aroma dhe melheme të grave për t'u pastruar, vajza shkonte te mbreti;...”" ~ Esteri 2:12-13
Gjithmonë jam mahnitur me llojin e përgatitjes që mbretëresha e ardhshme Ester duhej të bënte përpara se të ishte në gjendje të shkonte përpara mbretit Asuero. A do donte ndonjëra prej nesh që të kalonte dymbëdhjetë muaj duke bërë trajtime bukurie përpara se të takonim burrin e ëndrrave tona? Ndoshta jo, por përsëri, imagjino mundësitë. Një vit i tërë i vecuar vetëm për një qëllim – të bëhesh gjithçka që mund të bëhesh për atë që ti do më shumë. Një kohë e çmuar për të kultivuar bukurinë, për të bërë një investim në edukim dhe në mirësjellje, për të forcuar virtytin, dhe për të ndërtuar karakterin. Përgatitja e Esterit më kujton atë kohë të çmuar që është midis zgjimit të dëshirës në zemrën e një vajze të re për të ndarë jetën e saj me një bashkëshort dhe deri në momentin kur ajo ecën drejt altarit. Për shumë veta, kjo kohë përgatitje shihet si asgjë më shumë sesa thjesht një kohë pritjeje. Vajzat beqare shpesh e shohin veten si të vendosura në një raft ndërsa jeta u kalon përpara, ose si të ulura në stol ndërsa të tjerët po luajnë. Ato nuk e kuptojnë që po harxhojnë kohën më të rëndësishme të jetës së tyre, që po i grabisin vetes gëzim dhe shpërblim të madh, që po u grabisin bashkëshortëve të tyre të ardhshëm një grua më të virtytshme, dhe që po i grabisin Perëndisë një shërbëtore përmes së cilës Ai dëshiron të bëjë gjëra të mëdha.

Ashtu siç Esteri duhej të përgatitej përpara se të ishte mbretëreshë e një mbretërie të tërë, po kështu edhe vajza duhet të përgatitet përpara se të fillojë një nga thirrjet më të rëndësishme dhe të vështira të jetës - martesa dhe të qënit nënë. Esteri duhej të mësonte mënyrat e mbretërisë së cilës i përkiste, ajo duhej të mësonte mënyrat e jetësës së oborrit, sfidat intelektuale, emocionale dhe shpirtërore të pozicionit të lartë. Për ta thënë më thjeshtë, Esteri duhej të transformohej nga një vajzë e re, në një mbretëreshë, përpara se të vishte titullin dhe të përmbushte rolin e saj. Në të njëjtën mënyrë, vajza e krishterë beqare duhet të mësojë mënyrat e Mbretërisë së Qiellit përpara se të bashkohet me personin që Perëndia po përgatit për të. Ajo duhet të përgatitet intelektualisht, emocionalisht dhe shpirtërisht, jo nga shoqëruesit e oborrit në ndonjë tempull pagan, por nga vetë Perëndia, Fjala e Tij, dhe nga gra të tjera të perëndishme që janë përgatitur përpara saj.

Beqaria nuk është një harxhim kohe por një kohë që Perëndia e ka veçuar veçanërisht për gruan, për ta bërë në atë që Ai do që të jetë, dhe për ta përdorur në mënyra që mund të jenë të pamundura pas martesës. Beqaria është një kohë ku një vajzë duhet të kultivojë virtytet që i përkasin të qënit një grua e Perëndisë, në mënyrë që ajo të mund t'i ofrojë burrit të saj të ardhshëm dhe botës diçka më shumë se thjesht një fytyrë të bukur.

Kujto se në beqarinë tënde ti nuk je beqarja e vetëm, burri yt i ardhshëm është duke kaluar në të njëjtën fazë dhe periudhë si ty. A nuk do të ishte diçka e tmerrshme që të takosh burrin që do të bëhet bashkëshorti yt dhe të zbulosh që ai e ka përdorur beqarinë e tij për t'i shërbyer Perëndisë dhe për ta përgatitur veten për të qënë një bashkëshort më i mirë për ty, por ti nuk e përdore lirinë e beqarisë tënde për t'i shërbyer Zotit, as edhe që të përfitoje nga mësimi që Perëndia të ofroi? A nuk do të ishte gjithashtu gjë e tmerrshme të kuptoje që bashkëshorti yt i kaloi ditët e tij si djalë beqar duke u lutur çdo ditë për nevojat e tua dhe për punën e Perëndisë në jetën tënde, ndërsa ti as nuk u lute për të, as i'u përgjigje hirit të Perëndisë që t'u dha si rezultat i lutjeve të tij.

Është një gjë e mrekullueshme kur Perëndia e bekon një grua me një bashkëshort. Ai person i veçantë që është “thjesht i përsosur” për të në atë që ai është formuar me kujdes nga Perëndia për t'u bashkuar një me të. Është një gëzim i madh për gruan të shohë mbrapa në kohë dhe të kujtojë se si Perëndia e aftësoi që të priste për Të dhe që Ai ishte besnik duke e bekuar. Është një gëzim edhe më i madh për të që të dijë që koha e saj si beqare ishte gjithashtu një kohë duke kërkuar Perëndinë dhe duke qënë besnike ndaj Tij dhe qëllimit të Tij. Që ajo për asnjë moment nuk dëshiroi t'i largohej kësaj gjendjeje, por dëshiroi që të besonte vetëm në Perëndinë dhe të priste mbi sovranitetin e Tij të hirshëm.

Në asnjë mënyrë nuk është një tragjedi të jesh një vajzë e krishterë beqare, por mënyra e botës ka infiltruar Krishtërimin me idenë e rreme që të jesh një beqare është tragjedi. Një nga gënjeshtrat më të mëdha është që nëse ti nuk “ke dikë” ose nuk je “duke kërkuar aktivisht”, ka diçka gabim me ty. Një tjetër gënjeshtër është që vajza beqare duhet të ketë takime përreth sikur të kërkosh për një burrë është e njëjta gjë sikur bën pazar në një qëndër tregëtare. Një gënjeshtër tjetër edhe më e fortë është që vajza beqare duhet ta japë dashurinë e saj pa dallim në mënyrë që ajo të jetë më “me përvojë” dhe të dijë çfarë të bëjë kur më në fund të gjejë burrin e zgjedhur prej saj. E krishterë e dashur, është një gënjeshtër dhe një fyerje ndaj Perëndisë të thuash që përvoja është mësuesi më i mirë, kur në fakt Perëndia është Ai që është mësuesi më i mirë, dhe megjithëse motoja e botës është “jeto dhe mëso,” këshilla e Biblës është “mëso dhe jeto.” Ti nuk ke nevojë që të kesh përvojë, ti ke nevojë vetëm të kesh njohuri se çfarë ka thënë Perëndia dhe të jesh e bindur ndaj saj. Ti nuk duhet të jesh duke kërkuar për burrin që do të zgjedhësh, por duhet të presësh për burrin e zgjedhur nga Perëndia. Dhe kur ai të vijë, nuk do të jenë përvojat e mëparshme që do ta bëjnë martesën tënde të funksionojë, por dëlirësia, pastërtia, dhe perëndishmëria. Ne duhet t'i fshehim fytyrat tona nga mënyrat dhe përvojat e kësaj bote të ligë dhe të shohim vetëm mbi ato gjëra që Perëndia ka vendosur në shtegun që Ai ka përgatitur për ne.

Perëndia e di saktësisht se çfarë ti ke nevojë dhe Ai madje di edhe dëshirat e zemrës tënde më mirë se ti. Perëndia i pëlqen surprizat. Ai nuk do që ti të kërkosh për burrin tënd. Ai do që ta sjellë atë te ty, dhe ndoshta në një kohë që ti nuk e pret aspak. Nëse ti nuk i bindesh kësaj këshille, si shumë vajza të tjera para teje, dhe e merr vetë përsipër për të kërkuar për një bashkëshort, ti mund të gjesh dikë, por mundësitë janë që ai person që ti do të gjesh nuk do të jetë i duhuri.

Si gra, natyra jonë dëshiron shoqërinë e një burri. Kjo është nga Perëndia dhe prandaj është e mirë. Por në të njëjtën kohë, ne gabojmë kur mendojmë që nuk mund të jetojmë dot pa këtë nevojë të përmbushur. Të kesh nevojë për dikë tjetër si shoqërues nuk është si nevoja për të marrë frymë. Kjo do të thotë, ti mund të mbijetosh pa shoqëri, të paktën derisa Perëndia të ketë bërë veprën e tij të përsosur në ty. Mbaj mend Shkrimin, “Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t'ju tundojnë përtej fuqive tuaja.” (1 Korintasve 10:13)

Unë kam zbuluar se ka dy arsye kryesore pse dikush ka “dëshpërimisht” nevojë për dikë tjetër. Para së gjithash, është për shkak se ata nuk e njohin Perëndinë ashtu siç duhet ta njohin. A nuk është Perëndia Perëndia i cdo ngushëllimi? A nuk është Krishti Zoti i lartësuar që mbush të gjitha gjërat kudo? Atëhere pse ankohemi se sa bosh dhe sa të vetmuar jemi? Mos ndoshta Perëndia po e zgjat kohën tonë të beqarisë në mënyrë që ne të gjejmë jetën tonë tek Ai dhe të mësojmë të jemi të plotë në Të? Nëse ne kërkojmë të martohemi sepse ndiejmë që një burrë do të mbushë jetët tona ose në ndonjë mënyrë do të na bëjë të plota, ne do të zhgënjehemi shumë në martesën tonë. Asnjë burrë, pavarësisht se sa i ngjashëm është me Krishtin nuk mund të marrë vendin e Perëndisë në jetët tona, të mendosh një gjë të tillë është idhujtari e pastër. Nëse ne nuk jemi të mbushur nga Perëndia tani dhe të plota në Krishtin në të tashmen, atëhere as edhe një martesë e bërë në qiell nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë boshllëkun tonë.

Arsyeja e dytë se pse kemi dëshpërimisht nevojë për dikë në jetët tona është egoizmi. Kur ne kemi nevojë për dikë në mënyrë që të ndihemi të dashur, ose kur kemi nevojë për dikë në mënyrë që ndjenjat tona të vetmisë të zhduken, atëhere ne po e dëshirojmë martesën për të gjitha arsyet e gabuara. Martesa nuk duhet të shihet si një mundësi që të na plotësohen nevojat, por si një mundësi për të plotësuar nevojat e tjetrit. Nëse nuk kemi mësuar që t'i çojmë nevojat tona te Perëndia, atëhere me shumë mundësi ne do ti mbytim bashkëshortët tanë me nevojat tona dhe të mos jemi të vetëdijshëm për të tijat. Kam njohur vajza të krishtera që i kalonin ditët e tyre të konsumuara me nevojat e tyre dhe që ankoheshin vazhdimish se pse Perëndia nuk ka sjellë dikë në jetën e tyre. Por pse Perëndia duhet t'ja besojë një burrë të perëndishëm një gruaje që është e zhytur në veten e saj dhe te nevojat e saj, dhe që nuk e përdor lirinë e beqarisë së saj për t'i shërbyer Perëndisë dhe ta përgatisë veten për qëllimet e Tij? Një grua e tillë ka shumë pak për t'i ofruar një burri të perëndishëm!

Mikja ime e dashur, të jesh beqare, ashtu sic edhe kur je e martuar duhet të konsiderohet një kohë shumë e veçantë dhe e kënaqëshme në providencën e Perëndisë. Nuk duhet të konsiderohet si thjesht një rrethanë ose si një mallkim nga e cila ti dëshpërimisht duhet të largohesh. Të jesh beqare është një kohë të mësosh për Perëndinë dhe për veten tënde, një kohë për të zbuluar kush jemi në Krishtin, dhe të rritemi në ngjashmëri me Krishtin. Është një kohë për të qënë të zellshme për vepra të mira dhe për t'u përfshirë në shërbesë ndaj të tjerëve. Të jesh beqare ka një magji të vetën që duhet të shijohet në kohen e vet sepse pasi të kalojë mund të mos kthehet më. Është diçka e trishtueshme që një grua tani e martuar të ketë keqardhje për atë që mund të ishte dhe të bënte me jetën e saj ndërsa ishte beqare. Gjithçka u humb për hir të nxitimit për t'u martuar pa marrë në konsideratë planin dhe veprën e Perëndisë. Çdo stinë në jetë ka një bukuri të sajën. Lutja ime për të gjitha vajzat dhe gratë e krishtera beqare është që të jenë të kënaqura në këtë kohë pavarësisht gënjeshtrave të botës. Që ato të kërkojnë dhe të mos pranojnë asgjë më pak se vullnetin e përsosur të Perëndisë. Që ato të presin me durim te Perëndia që është dhënësi i çdo dhuratë të mirë dhe të përsosur. Që ato të jenë si Esteri, duke përdorur çdo lloj kohe që Perëndia e sheh të nevojshme për ti bërë të bukura nga brenda jashtë.


... Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve. Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime. Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj... Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet. ” Fjalët e Urta 31

Artikulli u publikua për herë të parë në revistën e HeartCry. Volumi 3, Janar 1998.


Përkthyer nga:


Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shpërndaje në Rrjetet Sociale

Artikuj të Ngjashëm

Tjetra
« Prev Post
E mëparshmja
Postimi Tjetër »
SHËNIM:
Të Gjitha të Drejtat të Rezervuara. Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta shpërndani këtë material me kusht që të mos ndryshoni fjalët dhe gjithashtu të citoni burimin, nga është marrë materiali.