Mësoje të vërtetën, shpalle të vërtetën, mbroje të vërtetën


Me rastin e ditës së Reformacionit Protestant më lejoni të flas për një burrë të Perëndisë të asaj epoke. Jan Husi jetonte në Pragë dhe pasi kishte lexuar shkrimet e Xhon Uiklifit (John Wycliffe) binte dakord që kleri ishte i korruptuar dhe kishte nevojë për reformim. Ai filloi të predikonte idetë e Reformimit në kishën e tij në Pragë dhe kjo bëri që të akuzohej për krime të mëdha kundër Kishës Katolike. Ai tha: "Nuk do ta braktis të vërtetën as për një kishë të mbushur me flori".

Për shkak të qëndrimit të tij për të vërtetën biblike e dënuan me vdekje në turrën e druve. Kur erdhi dita e ekzekutimit e tallën dhe e mallkuan. Një kurorë të gjatë ia vendosën në kokë ku ishin pikturuar tre diaj që po luftonin për të zotëruar shpirtin dhe ku ishte shkruar "kreu i heretikëve". Peshkopët i'a dorëzuan shpirtin e tij djallit, por Husi u përgjigj: "Kurse unë i'a kushtoj më të mëshirshmit Zotit Jezu Krisht."

Një "mik" i Hasit, Mbreti Venceslas, që ishte gjithashtu vëllai i perandorit, nuk bëri asgjë për të ndaluar ekzekutimin.

Kur arriti te vendi që do të ekzekutohej i kërkuan për herë të fundit që të hiqte dorë nga idetë e tij. Husi tha: "Perëndia është dëshmitari im që provat kundër meje janë të rreme. Kurrë nuk kam menduar apo predikuar përvecëse me qëllimin e vetëm që nëse është e mundur t'i fitoj njerëzit nga mëkatet e tyre. Në të vërtetën e ungjillit kam shkruar, mësuar dhe predikuar; për këtë të vërtetë do të vdes me guxim."
Atij i'a hoqën rrobat, i'a lidhën duart pas shpine dhe pastaj e lidhën nga qafa me një zinxhir të ndryshkur te turra e druve. Me një buzëqeshje ai tha se Shpëtimtari i tij u lidh me një zinxhir edhe më të rëndë. Kur u ndez zjarri, Husi filloi të këndonte, "Krisht, Biri i Perëndisë së gjallë, ki mëshirë për ne", pastaj: "Krisht, Biri i Perëndisë së gjallë, ki mëshirë për mua". Një prift që po shihte ekzektuimin raportoi se para se Husi të vdiste tha: "Ju mund të piqni këtë patë (Hasin - mbiemri i tij do të thoshte "patë" në gjuhën ceke) por pas një shekulli do të cohet një mjellmë e cila do të triumfojë." Saktësisht 102 vite më vonë, Martin Luteri do të gozhdonte 95 tezat e tij në derën e kishës së Vitenbergut.

Në këtë epokë moderne ku jetojmë sot kemi më shumë nevojë se kurrë për burra si Jan Husi. Reformatorët dhanë jetën e tyre për të vërtetat biblike dhe për reformimin e kishës. Eshtë llogaritur që 50 milionë burra, gra e fëmijë u vranë dhe u dogjën në turrën e druve për shkak se besonin dhe qëndronin për të vërtetat biblike. Por sot, trishtueshëm, kisha është larguar nga Shkrimet dhe të vërtetat për të cilat vdiqën miliona protestantë. Sot vëmëndja është te njeriu, te përvoja, te vegimet, te emocionet, te argëtimi, te aktivitetet, si të ndihemi më mirë, te vetë-vlerësimi, te vetë-përmbushja, te pasuria, te pushteti, te psikologjia, te ngritja e njeriut, te promovimi i njeriut, te fuqia e njeriut, te vullneti i lirë i njeriut, te ulja e Perëndisë që nuk mund të bëjë asgjë pa lejen tonë, ku Perëndia shihet si shërbëtor i njeriut, si Perëndi i pafuqishëm, si Perëndi që është më shumë reagues sesa veprues, me një ungjill të zbutur që nuk ka fuqi, te lajkatimi, te strategjitë mishërore, me taktika marketingu, te gjysmë të vërtetat, te vendimet njerëzore dhe që kanë zëvendësuar ripërtëritjen/rilindjen prej së larti, te mos të folurit për mëkatin, për pendesën, për gjykimin, për zemërimin e Perëndisë, etj, etj. Sot na thuhet se nuk duhet të diskutojmë, se nuk duhet të debatojmë, se "doktrinat nuk kanë rëndësi", se këto janë përcarëse. Sot, shumë duan që t'u gudulisen veshët. Shumë janë gati të sakrifikojnë të vërtetën në altarin e paqes dhe unitetit dhe ku shumë duan të ndërtojnë mbretërinë e tyre. Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për burra që e duan të vërtetën, e shpallin atë dhe e mbrojnë atë, dhe që janë gati të vdesin për të. Kur kisha rikthehet te rrugët e vjetra ajo është e fuqishme dhe e ndryshon komplet vendin sic edhe ndodhi gjatë Reformacionit, por kur kisha i braktis të vërtetat e vjetra, shtigjet e vjetra, ajo është pa fuqi. Edhe sot kemi nevoje për një Reformim të thellë. Mësoje të vërtetën, shpalle të vërtetën, mbroje të vërtetën. Lexues i dashur, qoftë kjo dëshira jote ashtu sic ështe edhe e imja. Amen.

Shpërndaje në Rrjetet Sociale

Artikuj të Ngjashëm

Tjetra
« Prev Post
E mëparshmja
Postimi Tjetër »
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe gjithashtu të citoni burimin, pra, të përmëndni nga është marrë materiali duke e shoqëruar me adresën e kësaj faqeje.