Më të Fundit

8/recent/ticker-posts
"Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq" (Gjo. 6:44) “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve” (Gjo.15:16) "...Zoti ia hapi zemrën..." (Vep. 16:14) "Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate..." (Kol. 2:13) "Perëndia...u dha pendesën për t'u dhënë jetën" (Vep 11:18) "...besimit...është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush.” (Efes. 2:8) “...Sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.” (Fil. 2:13) "jo nga vepra, që të mos mburret askush.”(Efes. 2:8)

DREJTËSIA E PERËNDISË NË MALLKIMIN E MËKATARËVE - NGA JONATHAN EDWARDS (1703 – 1758)

 

 

Versioni i paredaktuar. Ndjesë për ndonjë gabim. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 DREJTËSIA E PERËNDISË  NË MALLKIMIN E MËKATARËVE

 NGA JONATHAN EDWARDS

 

TEMA kryesore e pjesës doktrinare të letrës së Romakëve është hiri falas i Perëndisë në shpëtimin e njerëzve përmes Jezu Krishtit, veçanërisht, siç shfaqet në doktrinën e drejtësimit: vetëm me anë të besimit. Për ta shpalosur më qartë këtë doktrinë dhe për të treguar arsyen e saj, apostulli, pikësëpari, ngre këtë çështje: asnjeri në botë nuk mund të drejtësohet (të quhet i drejtë nga Perëndia para Tij) me anë të veprave të ligjit. Dhe për ta vërtetuar këtë, ai ndalet hollësisht në faktin se të gjithë njerëzit, jo vetëm paganët, por edhe hebrenjtë, janë nën mëkat dhe për pasojë, nën ndëshkimin e ligjit. Dhe për këtë këmbëngul gjatë të gjithë letrës.

Së pari, ai fillon me paganët. Në kapitullin e parë tregon se ata janë nën mëkat, duke paraqitur shthurjen e tepruar dhe ligësinë e madhe që karakterizonte botën pagane. Pastaj në kapitullin e dytë dhe në pjesën e parë të kapitullit të tretë, deri te teksti në fjalë dhe rreshti pasardhës, ai tregon të njëjtën gjë për hebrenjtë, se edhe ata, gjenden në të njëjtën gjendje si paganët në këtë drejtim. Ata e mbanin veten me të madhe, për shkak se  ishin populli i besëlidhjes së Perëndisë, të rrethprerë dhe fëmijë të Abrahamit. Ata i përbuznin paganët si të fëlliqur, të ndëshkuar dhe të mallkuar. Por, siç e vëren apostulli në kapitullin e dytë, hebrenjtë e shihnin veten si popull i pastër e i shenjtë, si fëmijë të Perëndisë në sajë të privilegjeve të jashtme dhe drejtësisë ceremoniale e morale, prandaj për ta ishte i huaj mendimi se edhe ata ishin të papastër dhe fajtorë në sytë e Perëndisë, se edhe ata ishin nën ndëshkimin dhe mallkimin e ligjit. Apostulli, për këtë arsye, për shkak të paragjykimeve të tyre të forta kundër kësaj doktrine, i mëshon asaj edhe më fort dhe tregon se hebrenjtë nuk janë më të mirë se paganët. Dhe, siç thotë në vargun 9 të këtij kapitulli:

         “E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat,.”

Për t’i bindur për këtë, ai më vonë përdor pjesë të veçanta nga vetë ligji i tyre, Dhiata e Vjetër, (autoritetin e së cilës pretendonin se e vlerësonin), nga vargu i nëntë deri te teksti ynë. Apostulli, së pari, citon vargje të veçanta për të vërtetuar se gjithë njerëzimi është shthurur, (rreshtat 10-12):

          “siç është shkruar: ``Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.”

Së dyti, pjesët që përmend më pas , shërbejnë për të vërtetuar se jo vetëm që të gjithë janë shthurur, por çdo njëri është tërësisht i shthurur, si të ishte i mbuluar prej papastërtisë, nga maja e kokës deri te gishtat e këmbëve; prandaj përmenden disa pjesë të veçanta të trupit: fyti, gjuha, buzët, goja, këmbët (v. 13-15):

Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak.”

Së treti, ai citon vargje të tjera për të treguar se çdo njeri nuk është thjesht tërësisht i prishur,por është aq i prishur sa të gjithë e kanë prirjen më shkatërrimtare të ligësisë së tyre: “në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë.”

Dhe pastaj, vë në dukje mungesën e çdo lloj mirësie dhe perëndishmërie në ta: “dhe udhën e paqes nuk e kanë njohur. Nuk ekziston frikë e Perëndisë para syve të tyre.”

Më tej, nisur edhe nga dyshimi se mos hebrenjtë do të mendonin që këto pjesë nga ligji i tyre nuk kanë të bëjnë me ta, por vetëm me paganët, apostulli tregon se jo vetëm që ata nuk bëjnë përjashtim, por se objekti i këtyre pjesëve janë veçanërisht ata: “Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t'i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë,” Siç tregohet nga vargu i 12të, i kapitullit të mëparshëm, me ata që janë nën ligj, nënkuptohen hebrenjtë; ndërsa paganët, me ata që janë pa ligj. Të parëve që iu dha ligji ishin hebrenjtë. Ai u drejtohet atyre dhe flet për ta dhe në këtë logjikë të veçantë duhet kuptuar ligji. Prandaj hebrenjtë do të tregoheshin të paarsyeshëm po ta përjashtonin veten nga ligji. Dhe po t’i shqyrtojmë pjesët e Dhiatës së Vjetër prej nga janë marrë këto vargje, do ta shohim qartë se lidhen në mënyrë të veçantë me ligësinë e popullit të atij kombi, në çdonjërin prej tyre. Kështu që ligji i përfshin të gjithë në ligësinë universale e të pashpresë, që çdo gojë të heshtë; si gojët e hebrenjve, edhe ato të paganëve, pavarësisht nga të gjitha privilegjet me të cilat hebrenjtë dalloheshin prej paganëve.

Ato që thotë ligji, mjaftojnë t’u mbyllin gojët të gjithë njerëzve në dy drejtime:

  1. Që të heqin dorë nga mburrja për drejtësinë e tyre, çka u ishte bërë zakon hebrenjve, siç vëren apostulli në vargun e 23të, të kapitullit të mëparshëm. Që apostulli ka dëshirë të heshtin gojët e tyre në këtë aspekt, duket nga vargu 27 i kontekstit: “Ku shkoi mburrja pra? Është e përjashtuar.” Nga vetë-drejtësia jonë ligji bën të heshtin gojët nga ndonjë përgjërim për jetë, nga ndonjë nga vetë drejtësia jonë favor prej Perëndisë, apo nga ndonjë të mirë pozitive.

  2. Që të heshtin e të mos nxjerrin asnjë justifikim për veten, apo asnjë kundërshtim ndaj ekzekutimit të dënimit që jep ligji dhe ndaj dhënies së ndëshkimit me të cilin kërcënon ky ligj. Që ky është synimi, kjo duket nga fjalët që vijojnë fill: “gjithë bota t'i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë.” Domethënë: që të dalë se njerëzit janë fajtorë dhe që ata të shpallen fajtorë para Perëndisë, drejtësisht sipas ndëshkimit përkatës të ligjit të Tij, fajtorë me vdekje, sipas mënyrës hebraike të të folurit.

Kështu, apostulli, me përfundimin që nxjerr në vargun pasardhës, vërteton se asnjeri nuk mund të drejtësohet para Perëndisë me veprat e ligjit. Në këtë mënyrë, përgatit udhën për themelimin e doktrinës madhështore të drejtësimit vetëm me anë të besimit, gjë që vazhdon ta bëjë në pjesën vijuese të kapitullit dhe të letrës.


DOKTRINA

 

Është e drejtë që Perëndia të flakë tej dhe të shkatërrojë përjetësisht mëkatarët.” Pasi ky është ndëshkimi me të cilin dënon ligji. E vërteta e kësaj doktrine mund të shihet nga shqyrtimi bashkërisht i dy gjërave: mëkati i njeriut dhe sovraniteti i Perëndisë.

  1. Vërtetësia e doktrinës në fjalë provohet nga shqyrtimi i mëkatit të njeriut, pavarësisht nëse analizojmë natyrën pafundësisht të ligë të mëkatit, apo sasinë e mëkatit, për të cilin njerëzit janë fajtorë.

  1. Nëse shqyrtojmë ligësinë e pafundme dhe se sa i neveritshëm është mëkati në përgjithësi, nuk është padrejtësi për Perëndinë të japë dënimin e merituar; sepse vetë nocioni i dënimit të merituar nënkupton se ai duhet dhënë me drejtësi. Dënimi i merituar dhe dënimi i drejtë janë e njëjta gjë. Është kontradiktore të thuash se dikush meriton një dënim të tillë, por nga ana tjetër të thuash se nuk e meriton atë drejtësisht. Nëse e meriton drejtësisht, atëherë duhet të ndëshkohet drejtësisht.

Çdo krim apo faj meriton një dënim më të madh ose më të vogël në përpjesëtim me vetë përmasat e krimit. Nëse ndonjë faj meriton dënim, atëherë sa më i madh faji, aq më i madh është dënimi i merituar. Natyra fajtore e çfarëdo gjëje është baza e duhur dhe arsyeja e logjikshme për ta merituar dënimin, prandaj sa më shumë faj, aq më shumë dënim meriton. Për pasojë, tmerri i shkallës së dënimit (mos qoftë kurrë kaq i tmerrshëm) nuk përbën argument kundër drejtësisë së tij, nëse puna qëndron thjesht te raporti ndërmjet tmerrit të krimit dhe tmerrit të dënimit. Kështu që, nëse gjendet ndonjë gjë e tillë si faj pafundësisht i tmerrshëm, atëherë është e drejtë të japësh një dënim për të që është gjithashtu pafundësisht i tmerrshëm.

Një krim është më shumë a më pak i tmerrshëm në bazë të detyrimit tonë më të madh apo më të vogël kur bëjmë të kundërtën. Kjo është e vërtetuar vetiu; sepse me këtë shpjegohet kriminaliteti apo fajësia e çdo gjëje, domethënë nëse është kundër asaj për të cilën jemi të detyruar apo jemi caktuar, ose kundër asaj që duhej të ishte tek ne të na karakterizonte. Pra, faji i një qenie njerëzore që urren një tjetër është në përpjesëtim të drejtë me detyrimin që ka për ta dashur atë. Krimi i një njeriu se poshtëron apo shfaq neveri ndaj një tjetri, është më shumë ose më pak i tmerrshëm në përpjestim me detyrimin më të madh a më të vogël që ka për ta nderuar atë. Faji i mosbindjes ndaj tjetrit është më i madh ose më i vogël në varësi të detyrimit më të madh ose më të vogël për t’iu bindur atij personi. Për këtë arsye, nëse ekziston ndokush, ndaj të cilit kemi detyrime të pafundme për ta dashur, për ta nderuar dhe për t’iu bindur, e kundërta ndaj tij përbën fajësi të pafundme.

Detyrimi ynë për të dashur, për të nderuar dhe për t’iu bindur ndokujt është në përpjestim me dashurinë, nderin dhe autoritetin e tij, pasi ky është vetë kuptimi i fjalëve. Kur themi se dikush është shumë i dashur, është njësoj si të themi se ai duhet dashur shumë. Ose nëse themi se ky është më i nderuar se tjetri, me këtë kuptojmë se ky është njeriu të cilin jemi të detyruar ta nderojmë më shumë. Nëse themi se ky ka autoritet të madh mbi ne, është njësoj si të themi se ai ka një të drejtë që të na nënshtrojë dhe të na bindë.

Por Perëndia është një qenie pafundësisht i dashur, pasi ai ka përsosmëri dhe bukuri të pafund. Të kesh përsosmëri dhe bukuri pa fund, është njësoj si të jesh pafundësisht i dashur. Ai është qenie madhështie, madhërie dhe lavdie të pafundme dhe prandaj është pafundësisht i nderuar. Ai është pafundësisht i lartësuar mbi të pushtetshmit e botës dhe mbi engjëjt më të lartë në qiell, prandaj është pafundësisht më shumë i nderuar se ata. Autoriteti i tij mbi ne është i pafund; dhe baza e së drejtës së tij ndaj bindjes sonë është pafundësisht e fortë, sepse ai është pafundësisht i denjë për t’iu bindur dhe njerëzit janë në një varësi absolute, universale dhe të pafundme nga Ai.

Kështu që mëkati kundër Perëndisë, duke qenë shkelje e detyrimeve të pafundme, përbën një krim pafundësisht të tmerrshëm dhe që rrjedhimisht, meriton dënim të pafund. Asgjë nuk përputhet më shumë me arsyen njerëzore sesa kjo që mëkatet e kryera kundër ndokujt duhet të jenë (më) pak ose (më) shumë të tmerrshme në varësi nga shkalla e fyerjes dhe e lëndimit të dinjitetit, në përputhje edhe me fjalën e Perëndisë, 1Samuelit 2:25. “Në rast se një njeri mëkaton kundër një njeriu tjetër, gjykatësi do ta gjykojë;” (d.m.th., do ta gjykojë atë dhe do t’i japë një dënim të kufizuar, të tillë siç mund të japin gjykatës të kufizuar), “por nëse një njeri mëkaton kundër Zotit, kush do të ndërhyjë për të?” Kjo ligësi e madhe e mëkatit e bëri Jozefin të ketë frikë prej tij, Zanafilla 39:9. “Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?” Kjo ishte ligësia më e madhe e Davidit, për të cilin mëkatet kundër njerëzve nuk ishin asgjë para mëkatit që ai kishte bërë kundër Perëndisë, prandaj ky mëkat i tij i kalonte pafundësisht të gjitha mëkatet e tjera. Psalmi 51:4. “Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje.” Përjetësia e dënimit të njerëzve të paperëndishëm është e pafundme: është jo më shumë se e pafundme; për rrjedhojë dënimi është aq i madh, sa ç’është e madhe ligësia, për të cilën ata janë fajtorë.

Nëse ekziston ndonjë ligësi apo faj në mëkatin kundër Perëndisë, atëherë ekziston me siguri ligësia e pafund. Edhe në rast se nuk do të gjendej asnjë faj në të, prapëseprapë mëkati ka një të keqe të pafund për faktin se drejtohet kundër një objekti të pafund. Edhe në rast se mëkati ndaj Perëndisë është më i vogël në krahasim me mëkatet ndaj njerëzve, prapëseprapë ai ka një dimension të pafund dhe për këtë përbën një ligësi të pafund. Kjo gjë mund të ilustrohet kështu: le ta zëmë se diçka ka gjatësi të pafund, por nuk ka gjerësi apo trashësi, (thjesht një drejtëz matematike), atëherë ajo nuk përbën asgjë. Por, në qoftë se kjo drejtëz përveç gjatësisë së pafund, do të ketë edhe gjerësi ose trashësi, të çfarëdo madhësie, atëherë kjo drejtëz tejkalon madhësinë e çdo gjëje tjetër, sado e gjerë, e trashë apo e gjatë qoftë kjo e fundit, ku këto dimensione janë të kufizuara.

Kështu që kundërshtimet kundër dënimit të pafund të mëkatit nuk drejtohen veçse kundër ekzistencës së fajit, pavarësisht nëse këto kundërshtime, që vijnë nga korrupsioni i pashmangshëm fillestar i natyrës, ngrihen në emër të domosdoshmërisë, apo më saktë në emër të sigurisë së mëparshme, të ardhmërisë së mëkatit. Pasi në rast se kjo domosdoshmëri a siguri lë sadopak ligësi brenda mëkatit, ai faj është i pafund me arsyetimin e objektit të pafund.

Por cilido kundërshtar që do të debatonte nisur nga mendimi se nuk paska kurrfarë faji brenda mëkatit, përgënjeshtron veten dhe tregon mungesën e sinqeritetit në kundërshtimin e tij. Pasi në të njëjtën kohë që kundërshton, veprimet e atij njeriu janë të domosdoshme natyrshme, kjo lloj natyrshmërie domosdoshmërie është në papajtueshmëri me fajin brenda veprimit dhe vetë praktika tregon se ai nuk beson se është e vërtetë ajo që kundërshton: përndryshe, pse i fajëson të tjerët, në fund të fundit? Apo pse persona të tillë janë, në fund të fundit, të pakënaqur me njerëzit për shkak të veprave fyese, të padrejta dhe mosmirënjohëse ndaj tyre? Pavarësisht se çfarë pretendojnë, me këtë tregojnë se ata vërtet besojnë se, në veprimet e njerëzve, nuk ka domosdoshmëri që është e papajtueshme me fajin. Dhe, nëse kundërshtimi i tyre është se kjo siguri e mëparshme është në vetë urdhrin e Perëndisë dhe se Perëndia urdhëron një siguri paraardhëse të veprimeve, ai zhvendos gjithë fajin nga vepruesi tek vetja; praktika e tyre tregon se në të njëjtën kohë që ata nuk e besojnë këtë, besojnë plotësisht të kundërtën: pasi kur e pësojnë nga njerëzit, ata janë të pakënaqur me njerëzit dhe jo vetëm me Perëndinë.

Drita e natyrës i mëson gjithë njerëzimit se kur një fyerje është e vullnetshme, është faj, pavarësisht se cili mund të ketë qenë shkaku i vërtetë nga ku buron ky veprim i lig i vullnetit. Dhe vërtet ua mëson këtë si atyre që kundërshtojnë e gjejnë bishta, ashtu dhe të tjerëve. Siç e tregon praktika universale e tyre. Nga kjo duket se kundërshtime të tilla janë të pasinqerta dhe shthurura. Kur njerëzit lëndohen përmendin natyrën e korruptuar të të tjerëve, si një mënyrë për ta bërë të duket më keq krimin e të tjerëve dhe se këtu qëndron pjesërisht faji i tyre. Për njerëzit është e zakonshme të shajnë dhe të poshtërojnë tjetrin, kur e shohin veten të fyer rëndë, dhe thonë: “Ai është njeriu më shpirtlig; ai është egoist i qelbur, koprac, mburracak e arrogant; ai është njeri i poshtër dhe maskara.” Dhe megjithatë prirjet natyrore dhe të korruptuara përmenden si justifikim për ta për sa u takon mëkateve të tyre kundër Perëndisë, thua se ato i bëjnë ata të pafajshëm.

  1. Që është e drejtë për Perëndinë të dëbojë përjetësisht njerëzit e ligë, mund të duket më qartë në qoftë se shqyrtojmë madhësinë e mëkatit, për të cilën ata janë fajtorë. Nga ç’është thënë deri tani, del se nëse njerëzit kanë bërë qoftë edhe vetëm një mëkat, mjafton edhe kaq për t’i mohuar dhe për t’i dënuar përjetë. Pra, nëse ata janë mëkatarë, është mëse e mjaftueshme për të mos i lënë kurrë të ngrenë kokën dhe për t’i bërë që të rrahin gjoksin, siç ndodhi me taksidarin që thirri: “O Perëndi, ji mëshirshëm ndaj mua mëkatarit.” Por njerëzit mëkatarë janë plot me parime dhe vepra mëkati: faji i tyre është sa malet gjigante, grumbull njëri mbi tjetrin, aq sa grumbulli rritet deri në qiell. Ata janë krejtësisht të korruptuar, në çdo pjesë, në të gjitha aftësitë dhe parimet e natyrës së tyre, në kuptimet dhe në vullnetet e tyre, në të gjitha prirjet dhe ndjenjat. Kokët dhe zemrat e tyre janë krejtësisht të korruptuara; gjithë gjymtyrët e trupit janë vetëm instrumente të mëkatit; të gjitha shqisat e tyre, të parit, të dëgjuarit, të shijuarit, etj., janë vetëm priza dhe spina të mëkatit, kanale të korrupsionit. Në ta nuk ka gjë tjetër, veç mëkat. Romakëve 7:18. “Në mua, domethënë, në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë.” Ka gjithfarëlloj poshtërsish krimesh të mëdha e të zeza, gjithfarësoj ligësish kundër njerëzve. Dhe të gjitha këto janë ligësi kundër Perëndisë. Në ta janë krenaria dhe armiqësia, përbuzja dhe grindja, ateizmi dhe blasfemia. Janë këto gjëra me forcë të pamasë; zemra, nën pushtetin e tyre, është shitur nën mëkatin dhe është skllave e përsosur. Është zemërngurtësia, ngurtësia më e madhe se ajo e shkëmbit apo e një guri elmaz. Është kokëfortësia dhe prishja, pandreqshmëria dhe papërthyeshmëria në mëkat, që nuk do të kapërcehet nga kërcënimet apo premtimet, nga rizgjimet apo inkurajimet, nga gjykimet apo mëshira, as nga ajo që është e llahtarshme as ajo që të bën për vete. Vetë gjaku i Perëndisë dhe i Shpëtimtarit tonë nuk do ta bëjë për vete zemrën e njeriut të lig.

Dhe ka ligësi tashmë të panumërta e pa masë. Ka shkelje të çdo urdhërese, me mendje, fjalë dhe vepër: një jetë plot mëkat. Ditë e net mbushur plot me mëkat, mëshira të keqpërdorura dhe shikime qortuese të përçmuara, mëshira dhe drejtësia, dhe gjithë hiret hyjnore të shkelura me këmbë. Dhe nderi i secilit person në Trini i nëpërkëmbur në baltë. Atëherë, nëse një fjalë apo mendim mëkatar ka kaq shumë ligësi brenda, sa për të merituar shkatërrim të përjetshëm, njerëz të tillë që janë fajtorë për kaq shumë mëkate, e meritojnë të dëbohen përjetësisht!

  1. Nëse me mëkatshmërinë e njeriut, shqyrtojmë sovranitetin e Perëndisë, kjo mund të shërbejë për të qartësuar më tej drejtësinë e Perëndisë në mohimin dhe ndëshkimin e përjetshëm të mëkatarëve, nga bishtat dhe kundërshtimet e njerëzve. Unë nuk do të pretendoj të përcaktoj me saktësi cilat gjëra janë dhe cilat nuk janë vepra dhe ushtrime të mirëfillta të sovranitetit të shenjtë të Perëndisë, por dua të vë në dukje se sovraniteti i Perëndisë shtrihet tek gjërat e mëposhtme.

1. E tillë është fuqia dhe e drejta sovrane e Perëndisë, që ai fillimisht nuk është i detyruar ti ndalojë njerëzit që të mos mëkatojnë; por mundet në providencën e vet t’i lejojë dhe t’i lërë ata të mëkatojnë. Ai nuk ishte i detyruar për të ndaluar as engjëjt, as njerëzit nga rënia. Është e paarsyeshme të hamendësosh që Perëndia duhet të jetë i detyruar, nëse Perëndia bën një krijesë të arsyeshme me aftësinë që ta njohë vullnetin e Tij të marrë një ligj prej Tij, dhe t’i nënshtrohet qeverisjes së Tij morale, në të njëjtën kohë Ai duhet të jetë i detyruar ta bëjë atë që të mëkatojë, apo të mos shkelë ligjin e Tij. Pasi, nëse Perëndia do të ishte i detyruar, kjo do të domosdoshmërinë për urdhra, nga ana e tjetër ligjet, premtimet, apo kërcënimet, dhe vetë nocionin e qeverisjes morale të Perëndisë mbi ato krijesa të arsyeshme. Në fund të fundit për çfarë qëllimi atëherë do të jepte Perëndia këtë apo atë ligj dhe të shpallte vullnetin e Tij të shenjtë ndaj krijesës, dhe të fshinte premtimet dhe kërcënimet për ta shtyrë krijesën drejt detyrës dhe për ta bërë të kujdesshme në kryerjen e saj, nëse krijesa, në të njëjtën kohë, duhet të mendojë edhe për këtë që Perëndia qenka i detyruar t’ia bëjë të pamundur asaj të shkelë ligjet e Tij? Si mund ta shtyjnë kërcënimet e Perëndisë krijesën drejt përkujdesjes apo vigjilencës, kur në të njëjtën kohë, Perëndia duhet të jetë i detyruar ta bëjë krijesën që të mos ekspozohet para kërcënimeve? Për çfarë qëllimi Perëndia jep një ligj, në fund të fundit? Përndryshe, sipas këtij supozimi, është Perëndia dhe jo krijesa ai që është nën ligj. Pra, qenka puna e ligjdhënësit dhe jo e vartësit të kujdeset që ligji i Tij të respektohet. Dhe ky telash është ai, ndaj të cilit ligjdhënësi qenka absolutisht i detyruar! Nëse Perëndia është i detyruar të mos lejojë kurrë krijesën të bjerë, do të merrnin fund të gjitha ligjet hyjnore, qeverisja dhe autoriteti i Perëndisë mbi gjithë krijesën. Për rrjedhojë, nuk do të kishte nevojë edhe për vetë Perëndinë e për atributet e Tij.

Perëndia mund ta lejojë mëkatin, ndonëse ekzistenca e mëkatit me siguri do të rrjedhë nga kjo leje, dhe kështu, nëpërmjet lejimit, Ai mund të sistemojë dhe të rregullojë ndodhinë. Por, nëse Perëndia do të kishte lënë njeriun në dorën e rastësisë së pastër (dhe, siç mund të provohet lehtë, nocioni i rastësisë së pastër nuk mbart absurditet të madh), një gjë e tillë do të ishte e papërshtatshme për Të.

Pasi rastësia, nëse do të kishte diçka të tillë, është e paprojektuar dhe e verbër. Dhe sigurisht, është më e përshtatshme që një ndodhi e një rëndësie kaq madhore, që shoqërohet nga një varg i tillë i pafund pasojash të mëdha, duhet të jetë sistemuar e rregulluar nga urtësia e pafund e Perëndisë.

Nëse thuhet se Perëndia nuk kishte nevojë të ndërhynte për ta bërë njeriun të mos mëkatojë, dhe nga ana tjetër nuk ia la në dorë këtë as rastësisë së verbër, por mund t’ia ketë lënë vullnetit të lirë të njeriut për të vendosur të mëkatojë ose jo, unë përgjigjem: nëse Perëndia vërtet ia la vullnetit të lirë të njeriut, pa asnjë lloj sistemimi, apo rregullimi [a për më tepër, shkak të mjaftueshëm] në këtë çështje, nga ku duhet të jetë më parë e sigurt si duhet të vendosë ai vullnet i lirë, atëherë përsëri ajo vendosmëri e parë e vullnetit duhet të jetë thjesht rastësi. Unë nuk mund të pranoj ndonjë veprim paraardhës të vullnetit për ta vendosur këtë pasi tani po flas për veprimin e parë të bërë nga vullneti, duke respektuar punën që mund të shihet si terreni parësor dhe burimi më i lartë i ndodhisë. Të hamendësosh se kjo është vendosur nga një veprim pararendës, është kontradiktë. Sistemimi nga Perëndia i këtij vendimi të vullnetit me anë të lejimit të tij, nuk e cënon aspak lirinë e krijesës: nuk është në asnjë mënyrë më e papajtueshme me lirinë sesa rastësia një e pastër. Pasi nëse vendimi i vullnetit është nga rastësia e verbër e paprojektuar, sistem i urtë, hyjnor me leje nuk është më nga vetë kryerësi i veprimit, apo nga vetë vullneti, sesa nëse supozojmë për këtë çështje.

2. E drejta sovrane ishte e përshtatshme, sepse i duhej lënë rregullimit të urtësisë hyjnore dhe kënaqësisë së mirë nëse çdo njeri do të përgjigjej për veten, apo nëse Ati i parë i njerëzimit duhej caktuar si kreu moral e i përgjithshëm dhe përfaqësues i të tjerëve. Nëse Perëndia nuk ka liri në këtë çështje për të vendosur për çdonjërën nga këto të dyja sipas dëshirës së vet, kjo mund të shpjegohet me faktin se mendohet që të vendosësh që Ati i parë i njerëzve duhet të përfaqësojë të tjerët, dhe që jo çdonjëri të përgjigjet për veten, është e dëmshme për njerëzimin. Pasi, po të mos jetë e dëmshme, si është e padrejtë? Por ne themi se sovraniteti i Perëndisë nuk është i dëmshëm për njerëzimin pasi nuk ka asgjë në natyrën e vetë çështjes, që e bën më të mirë që çdo njeri të përgjigjet për veten, sesa që të gjithë të përfaqësohen prej Atit të tyre të përbashkët. Ashtu si reflektimi apo shqyrtimi më i vogël do të bindë çdonjërin. Dhe, nëse nuk ka asgjë në natyrën e saj që e bën të parën më të mirë për njerëzimin se të dytën, atëherë themi se njerëzit nuk janë dëmtuar nga zgjedhja e Perëndisë dhe nga caktimi i së dytës dhe jo i së parës; ose, që është e njëjta gjë, që nuk është e dëmshme për njerëzimin.

  1. Kur njerëzit janë të rënë dhe janë bërë mëkatarë, Perëndia, përmes sovranitetit të Tij, ka të drejtë të vendosë për shpengimin e tyre sipas dëshirës së Tij. Ai ka të drejtë të vendosë nëse do të shpengojë ndonjë apo jo. Nëse do të kishte dëshirë, Ai mund t’i kishte lënë të gjithë të humbisnin, ose mund t’i kishte shpenguar të gjithë. Ai gjithashtu mund të shpengojë disa e të lërë të tjerët, dhe nëse e bën këtë, Ai mund të marrë dhe të lërë kë të dëshirojë. Të supozosh se të gjithë e kanë humbur mbrojtjen e tij dhe kanë merituar të humbasin, ndërsa në anën tjetër të supozosh që Ai nuk mund të lërë ndonjërin prej tyre individualisht të humbasë, përbën kontradiktë. Sepse kjo të bën të mendosh se ndonjëri nga këta paska të drejtën e mbrojtjes nga Perëndia dhe nuk është drejtësisht i detyruar të humbasë, çka është në kundërshtim më supozimin.

Është me vend që Perëndia t’i rregullojë të gjitha këto gjëra sipas dëshirës së tij. Për shkak të madhështisë dhe lavdisë së Tij, nëpërmjet të cilave është pafundësisht mbi të gjithë, Ai është i denjë për të qenë sovran dhe dëshira e tij duhet zbatuar në çdo gjë. Perëndia është i denjë për t’u bërë qëllim në vetvete: Urtësia e Tij është e vetëmjaftueshme për t’u bërë si rregull në arritjen e qëllimeve tona, pa i kërkuar leje a këshillë askujt, pa i dhënë llogari askujt për asnjë prej punëve të Tij. Është e përshtatshme që Ai i cili është absolutisht i përsosur dhe pafundësisht i urtë, Burimi i gjithë urtësisë, duhet të vendosë për çdo gjë [që ai dëshiron] me vullnetin e vet, madje edhe për gjërat e rëndësisë madhore. Është me vend që ai duhet të jetë kështu sovran, sepse Ai është qenia e parë, qenia e përjetshme, prej nga burojnë gjithë qeniet e tjera. Ai është Krijuesi i të gjitha gjërave dhe të gjitha janë absolutisht dhe universalisht të varura nga Ai. Prandaj është me vend që ai të veprojë si zotërues sovran i Qiellit dhe i Tokës.


ZBATIMI

 

Për të zbatuar këtë doktrinë, do t’u drejtohesha kryesisht mëkatarëve që i frikësohen mallkimit, me qëllim për t’i bindur ata. Ti mund të kesh bindjet e tua, çka për Perëndinë do të ishte e drejtë dhe e ndershme të të mohonte dhe të shkatërronte ty përjetësisht. Ky është rreziku që të kërcënon ty. Ti që je mëkatar, pa Krishtin je krijesë e mjerë dhe e ndëshkuar: zemërimi i Perëndisë akoma qëndron mbi ty, dënimi i ndëshkimit gjendet mbi ty. Ti je në duart e Perëndisë dhe është e pasigurt se çfarë do të bëjë Ai me ty. Je i frikësuar se çfarë mund të ndodhë me ty. Ti je i frikësuar sepse do të rrezikosh të vuash djegiet e përjetshme. Dhe kjo frikë nuk është pa baza. Ti ke arsye të dridhesh çdo çast. Por pavarësisht sa i frikësuar je për këtë dhe sado i tmerrshëm qoftë mallkimi i përjetshëm, prapëseprapë ky mallkim është i drejtë. Perëndia megjithatë mund ta bëjë këtë dhe të jetë i ndershëm, i shenjtë, dhe i lavdishëm. Ndonëse mallkimi i përjetshëm është gjer në atë shkallë sa nuk mund ta durosh, dhe pavarësisht se sa të tkurret zemra kur e mendon, prapëseprapë drejtësia e Perëndisë mund të përlëvdohet në të. Tmerri nga ana jote dhe madhështia e tmerrit tënd për të, nuk e bëjnë atë më pak të drejtë në anën e Perëndisë. Nëse ti mendon ndryshe, kjo është shenjë që ti nuk sheh veten, se nuk je i vetëdijshëm se çfarë është mëkati, e as për masën e mëkatit për të cilin je fajtor. Prandaj për bindjen tënde, ki parasysh:

Së pari, të shohësh të shkuarën e jetës sate: kërko në gojën e ndërgjegjes dhe dëgjo se çfarë dëshmon ajo për të. Mendo kush je, çfarë drite ke patur, me çfarë ke jetuar: dhe prapëseprapë si je sjellë! Me çfarë janë mbushur ato ditë e net të shumta që ke jetuar? Si janë shpenzuar ato vite të tëra që kanë fluturuar mbi kokën tënde? Përse ka shkëlqyer dielli mbi ty, ditë për ditë, ndërsa ti e ke përdorur dritën e tij për t’i shërbyer Satanit? Për çfarë e ka mbajtur Perëndia frymën brenda flegrave të tua dhe të ka dhënë mish e pije, ndërsa ti ke shpenzuar jetën dhe forcën, i mbështetur prej tyre, në kundërshtim ndaj Perëndisë, si rebelim kundër tij?

A ka ndonjë lloj poshtërsie për të cilën nuk je fajtor? Sa të panumërta kanë qenë ndyrësitë e jetës sate! Sa sharje dhe neveri për Perëndinë janë ushtruar prej teje! Sa pak respekt ke patur për Shkrimet, për predikimet, për ditën e adhurimit dhe sakramentet! Sa përdhosshmërisht ke folur, ti dhe shumë si ti, për ato gjëra që janë të shenjta! Si e keni respektuar ju ditën e shenjtë të Perëndisë, pa pyetur për shenjtërinë e kohës, pa u shqetësuar për ato që keni menduar në këtë kohë! Po, e keni shpenzuar kohën jo vetëm me mendime materialiste, të kota dhe të padobishme, por edhe me mendime imorale duke u kënaqur me mendime mbi aktet e poshtra të së shkuarës dhe duke trilluar akte të reja. A nuk keni shpenzuar shumë kohë të shenjtë duke plotësuar epshet në imagjinatat tuaja? Po. Jo vetëm kohën e shenjtë, por tamam kohën për adhurimin publik të Perëndisë, kur keni qenë të pranishëm drejtpërdrejt Perëndinë. Gjithashtu, jo vetëm nuk keni marrë pjesë në adhurim, por keni qenë në të njëjtën kohë duke ngopur epshet tuaja dhe duke u zhgërryer në papastërti të ndyra! Sa të shtuna keni shpenzuar njëra pas tjetrës në mënyrën më të shthurur! Disa prej jush jo vetëm me mendime materialiste dhe të poshtra, por edhe me një sjellje të jashtme shumë të poshtër! Kur keni dalë ditëve të shtuna bashkë me shoqërinë tuaj të poshtër, si e keni trajtuar kohën e shenjtë mes jush! Çfarë lloj bisedash keni bërë? Po, disa prej jush, me një qëndrim të pahijshëm, keni fyer dhe përçmuar hapur shërbimet e shenjta në shtëpinë e Perëndisë dhe ditën e shenjtë! Që disa nga ju kanë bërë ato praktika të poshtra në fshehtësi, madje dhe në kohën e shenjtë, Perëndia dhe vetë ndërgjegjet tuaja i dinë.

Dhe si jeni sjellë në kohën e lutjes familjare! Dhe çfarë zanati keni mësuar ju duke munguar në adhurimin në familjet ku bëni pjesë, për hatër të shoqërisë së padobishme! Dhe si keni vazhduar ta zhvlerësoni lutjen në fshehtësi! Në këtë mënyrë, me vullnet keni jetuar në një mëkat të njohur, duke shkuar kundër çfarëdo urdhërese po aq të njohur në Bibël! A nuk ke qenë njeriu që ka dëbuar frikën dhe ka penguar lutjen para Perëndisë?

Çfarë fajtorësh keni qenë disa prej jush për qëndrimin e poshtër ndaj prindërve tuaj! Sa larg keni qenë nga nderimi që Perëndia ka kërkuar ndaj tyre! Madje, a nuk keni ushqyer edhe dashakeqësi e ligësi ndaj tyre? Dhe, kur ata nuk ju kanë kënaqur, u keni dashur të keqen. Po. Madje keni treguar shpirtligësi në sjelljen tuaj. Dhe mirë që nuk i keni përqeshur prapa krahëve. E, meqë ra fjala, si të mallkuarit Hami dhe Kanaani, keni përqeshur lakuriqësinë e prindërve, në vend që ta mbulonit dhe t’i hiqnit sytë prej andej. A nuk i keni kundërshtuar shpesh prindërit disa prej jush, po, dhe keni kundërshtuar t’u nënshtroheni? Nuk është çudi e mëshirës dhe e durimit që fjala e urtë nuk është plotësuar deri tani për ju, Fjalët e Urta 30:17: “Syrin që tallet me babanë dhe refuzon t’i bindet nënës, do ta nxjerrin korbat e përroit dhe do ta hanë të vegjlit e shqiponjës.”

Sa fajtorë keni qenë për hakmarrje dhe ligësi ndaj fqinjëve! Sa e keni kënaqur këtë shpirt të djallit, duke urryer të tjerët dhe duke u dashur të keqen; duke u gëzuar kur atyre u ka ecur keq, duke u hidhëruar kur i ka zënë e keqja dhe duke u pikëlluar nga begatia e të tjerëve. Dhe keni jetuar në këtë mënyrë për shumë kohë! A nuk keni qen dhe t dhe shfrenuar disa prej jush një shpirt tërbimi të rrëmbyer, dhe jeni sjellë në inatin tuaj më shumë si bisha të egra sesa si të krishterë?

Çfarë lakmie keni patur shumë prej jush! E tillë ka qenë dashuria juaj e paparë për botën dhe meraku për gjërat e saj, sa ka përpirë zemrat tuaja; nuk keni lënë vend për Perëndinë dhe besimin; jeni menduar për botën më tepër se për shpëtimin tuaj të përjetshëm. Për kotësitë e botës keni l dhen dhe m dhenjan dhe leximin, lutjen dhe meditimin; për gjërat e botës keni shkelur ditën e adhurimit: për botën keni shpenzuar një kohë të gjatë duke u grindur. Për botën keni patur zili dhe keni urryer fqinjin; për botën keni hedhur mbrapa shpine Perëndinë, Krishtin dhe parajsën; për botën keni shitur edhe shpirtin. Ju, nëse mund të shprehemi kështu, e keni mbytur shpirtin tuaj në merakun dhe dëshirat e kësaj bote; keni qenë si një krimb toke, që nuk i shohin sytë, veçse kur përpëlitet dhe varroset në tokë.

Sa shpirt krenarie është shfaqur te ju, që nuk është gjë tjetër, veçse shpirti dhe ndëshkimi i djallit! Sa e kanë mburrur veten disa prej jush në rroba; të tjerët në pasuri; të tjerët në dituri dhe aftësi! Sa jeni vrerosur kur keni parë dikë më lart se ju! Sa ters e keni pasur, kur i keni nderuar të tjerët siç e meritonin! Dhe sa krenari keni shfaqur, duke lartësuar vullnetin tuaj dhe duke kundërshtuar të tjerët, duke nxitur dhe përkrahur përçarjen dhe frymën e talljes në çështjet publike!

Sa epshorë keni qenë! A nuk janë disa këtu që e kanë ulur veten poshtë dinjitetit të natyrës njerëzore, duke u zhgërryer në pisllëkun epshor, si derrat në baltë, apo si parazitarët e ndyrë që ushqehen me dëshirë në kërmë të qelbur? Sa fajtorë janë disa prej jush që janë treguar të papërmbajtur! Sa prej kohës tuaj të çmuar keni shpenzuar në kafene me pijanecët, kur duhej të ishit në shtëpi, duke kërkuar Perëndinë dhe shpëtimin në familjet tuaja!

Dhe çfarë epshi i ndyrë ka bërë fajtorë disa prej jush! Sa shumë jeni dhënë pas qejfit, dhe pas gjithfarëlloj fantazish të papastra: Ditë për ditë e natë për natë! A nuk është mbushur shpirti juaj plot me to, derisa është bërë furrik i shpirtrave të ndyrë, kafaz i çdo shpendi të papastër e të urryer? Sa gojëndyrë kanë qenë disa prej jush, shpesh me fjalor të pistë e epshor dhe këngë të ndyra, në të cilat kishte gjëra që nuk është e hijshme të thuhen! Dhe kjo shoqëri, ku janë bërë biseda të tilla, ju ka kënaqur. Me sa veprime e praktika të papastra e keni ndotur veten! Perëndia dhe vetë ndërgjegjet tuaja e dinë çfarë epshi të ndyrë keni praktikuar në gjëra që nuk thuhen, kur keni qenë vetëm, kur duhej të ishit duke lexuar ose medituar në gjunjë para Perëndisë në lutje personale. Dhe sa keni korruptuar të tjerët, siç keni ndotur edhe veten! Sa papastërti të turpshme keni praktikuar me shoqërinë! Sa shumë ndyrësira ju bëjnë fajtorë në errësirë! Të tilla si ato për të cilat apostulli padyshim flet tek Efesianëve 5:12. “sepse ato që bëjnë ata në fshehtësi, është turp edhe të thuhen.” Disa prej jush keni korruptuar të tjerët dhe keni bërë ç’është e mundur për të shkatërruar shpirtin e tyre, (nëse nuk e keni bërë një gjë të tillë tashmë). Me anë të praktikave dhe shembullit tuaj të turpshëm i keni dhënë vend Satanit, e keni ftuar atë që të jetë i pranishëm dhe keni realizuar dëshirat e tij në vendin ku keni banuar. Sa fajtorë jeni për gënjeshtrat që keni thurur! Dhe a nuk ka patur mospajtim mes zemrës dhe buzëve tuaja, që kur hytë në vitet e pjekurisë? Sa hile, mashtrime dhe pabesi kanë praktikuar shumë prej jush në marrëdhëniet me fqinjët, për të cilat zemra juaj është e vetëdijshme, po qe se nuk jua kanë thënë të tjerët!

Dhe si janë sjellë disa prej jush me njerëzit e familjes! Sa i keni lënë pas dore shpirtrat e fëmijëve tuaj! Dhe jo vetëm kaq, por keni korruptuar edhe mendjet e tyre përmes shembullit tuaj të keq: në vend që t’i përgatitni me besimin dhe këshillën e Zotit, përkundrazi i keni rritur në shërbim të djallit!

Si keni marrë pjesë disa prej jush në atë sakrament të shenjtë të Darkës së Zotit pa kurrfarë përgatitjeje serioze, me një frymë shpërfillëse të shkujdesur dhe vetëm sa për të bërë adetin! Si keni guxuar të fusni në gojë simbolet e shenjta të trupit dhe gjakut të Krishtit, ndërsa jetonit në udhën e mëkatit të vetëdijshëm dhe nuk synonit gjë tjetër, veçse të vazhdonit me të njëjtat praktika të poshtra! Dhe, nuk është çudi, jeni ulur në tryezën e Zotit me mëri në zemrat tuaja kundër disa vëllezërve të ulur bashkë me ju. Madje keni ardhur në atë festë të shenjtë të dashurisë mes fëmijëve të Perëndisë me majanë e ligësisë dhe të smirës në zemrat tuaja. Dhe kështu keni ngrënë dhe keni pirë gjykimin për veten tuaj.

Sa marrëzi dhe shthurje kanë shoqëruar udhën tuaj të ligësisë që është shfaqur në kokëfortësinë tuaj nën zgjimet e lejuara prej fjalës dhe providencës së Perëndisë. Dhe, pasi kishit nisur rrugën e besimit, disa prej jush janë tërhequr dhe e kanë shuar Frymën e Perëndisë, pasi Ai ishte përpjekur shumë për ju! Dhe të gjitha përpjekjet e Perëndisë kanë shkuar dëm, sepse ju jeni treguar të ngathët, të paqëndrueshëm dhe nuk keni bërë asnjë përmirësim.

Dhe tani, a mendoni se Perëndia është i detyruar t’ju mëshirojë, ndërsa ju jeni sjellë kësisoj? Pas gjithë kësaj që keni bërë, a nuk keni turp të thoni se Perëndia qenka i ashpër t’ju dëbojë? A i shkon njeriut që ka jetuar në këtë mënyrë të hapë gojën për t’u shfajësuar, për të kundërshtuar ndaj drejtësisë së Perëndisë për ndëshkimin e tij, apo të ankohet se Perëndia është treguar i ashpër, pasi nuk i ka dhënë hirin e kthimit në besim dhe faljen për ta bërë atë fëmijën e vet dhe për t’i dhuruar jetën e përjetshme? Apo të flasë për detyrat e veta dhe dhimbjet e mëdha në besim, a thua se gjëra të tilla janë të denja për t’u pranuar dhe për të tërhequr zemrën e Perëndisë tek një krijesë e tillë? Nëse ka qenë kështu, a nuk tregon kjo se sa pak e ke shqyrtuar veten dhe sa pak e ke kuptuar gjendjen e mëkatit tënd?

Së dyti. Nëse Perëndia do të të mohonte dhe do të të shkatërronte përjetësisht, kije parasysh të shohësh se çfarë pajtueshmërie dhe përputhje e saktë dhe e ndërsjelltë do të kishte mes Perëndisë, që vepron me ty kështu, dhe shpirtit e sjelljes sate. Nuk do të kishte vetëm barazi, por edhe ngjashmëri. Perëndia deklaron se veprimet e tij me njerëzit do të jenë në përshtatje me prirjen dhe praktikën e tyre.

Psalmi 18:25,26:

Ti tregohesh i dhimbshëm ndaj njeriut besimtar dhe i drejtë me njeriun e drejtë. Ti tregohesh i pastër me atë që është i pastër dhe dinak me të ligun.”

Sado që të tmerron mallkimi dhe sado që je i frikësuar dhe i merakosur kur e mendon, prapëseprapë, nëse Perëndia me të vërtetë do të të mallkonte, ti nuk do të merrje gjë tjetër, veç asaj që ke kërkuar; ti do të trajtoheshe tamam sipas trajtimit tënd. Është njësoj si në rastin kur ti detyrohesh të blesh me të njëjtën masë që edhe shet.

Këtu unë do të vija në dukje në veçanti këto çështje:

  1. Nëse Perëndia do të të shkatërronte përjetësisht, kjo do të ishte në përputhje me mënyrën si e ke trajtuar ti Perëndinë.

  2. Kjo do të ishte në përputhje me mënyrën si e ke trajtuar ti Jezu Krishtin.

  3. Kjo do të ishte në përputhje me sjelljen tënde ndaj fqinjëve.

  4. Kjo do të ishte në përputhje me vetë sjelljen tënde ndaj vetes. 

     

I. Nëse Perëndia do të të dëbonte përgjithmonë, kjo do të ishte tamam në përputhje me mënyrën si e ke trajtuar ti Perëndinë. Që ta kuptosh këtë, duhet të kesh parasysh:

  1. Ti nuk ke shfaqur kurrë as më të voglën shkallë dashurie për Perëndinë; prandaj do të ishte në përputhje me mënyrën si e ke trajtuar ti Atë, nëse Ai nuk do të shprehte dashuri për ty. Kur Perëndia kthen në besim dhe shpëton mëkatarin, kjo është shfaqje e mrekullueshme dhe e paimagjinueshme e dashurisë hyjnore. Kur shpirti i shkretë i humbur kthehet në shtëpi tek Krishti, i falen të gjitha mëkatet dhe bëhet fëmijë i Perëndisë, do të duhet një përjetësi e tërë për të shprehur dhe shpallur madhështinë e asaj dashurie. Dhe pse duhet të jetë i detyruar Perëndia për të shprehur të tillë dashuri të mrekullueshme për ty, që kurrë nuk ke ushtruar as më të voglën shkallë dashurie për Të në gjithë jetën tënde? Ti nuk e ke dashur kurrë Perëndinë, i cili është pafundësisht i lavdishëm e i dashur. Dhe pse atëherë, na qenka i detyruar Perëndia të të dojë ty, që je gjithandej i shtrembëruar dhe i pështirë si krimb i ndyrë, apo si nepërkë plot urrejtje? Ti nuk ke dashamirësi në zemrën tënde ndaj Perëndisë, ti kurrë nuk je ngazëllyer në lumturinë e Perëndisë. Sikur të kishte qenë e mundur që Perëndia të ishte në mjerim, ty do të kishte pëlqyer kjo gjë njësoj sikur Ai të kishte qenë i lumtur. Ti nuk do të ishe merakosur se sa i mjerë do të ishte Ai, as nuk do të kishe vajtuar për këtë më shumë sesa vajton tani për mjerimin e djallit. Dhe pse atëherë, Perëndia qenka i detyruar të merakoset aq shumë për lumturinë tënde, për të bërë gjëra të tilla madhështore për ty, siç bën për ata që janë të shpëtuar? Pse duhet të quhet i ashpër Perëndia, në rast se Ai nuk do të merakoset për të shpëtuar ty nga mjerimi? Ti nuk merakosesh se çfarë bëhet me lavdinë e Perëndisë; ti nuk pikëllohesh se sa shumë duket që vuan nderi i tij në botë: dhe pse duhet të merakoset më shumë Perëndia për mirëqenien tënde? A nuk ka ndodhur tamam kështu që, nëse vetëm ke mundur të nxitësh interesat e tua dhe të kënaqësh epshet e tua, nuk je merakosur se sa shumë ka vuajtur lavdia e Perëndisë? Dhe pse të mos mund ta çojë përpara Perëndia lavdinë e vet në rrënimin e mirëqenies tënde, pa u merakosur se sa shumë do të vuajë interesi yt nga kjo? Ti as nuk ke hedhur një hap të vetëm për ta bërë sinqerisht lavdinë e Perëndisë si qëllimin tënd, apo të veprosh me respekt të vërtetë për të. Dhe pse, atëherë, qenka ashpërsi, nëse Perëndia nuk bën gjëra të tilla madhështore për ty, siç janë ndryshimi i natyrës sate, ngritja nga vdekja jote shpirtërore në jetë, mposhtja e fuqive të errësirës për ty, dalja nga mbretëria e errësirës në mbretërinë e Birit të tij të dashur, çlirimi yt nga mjerimi i përjetshëm dhe vendosja e lavdisë së përjetshme mbi ty? Ti nuk ishe i vullnetshëm ta mohoje veten për Perëndinë, ti kurrë nuk u merakose të ndryshoje udhën tënde për Krishtin. Kurdo që të doli përpara diçka e rëndë apo e vështirë, në të cilën gjendej lavdia e Perëndisë, ishte zakoni yt të shmangeshe prej saj dhe ta liroje veten nga ajo. Ti nuk u merakose ta lëndosh veten për Krishtin, të cilin nuk e pe si të denjë për një gjë të tillë. Atëherë, duhet parë si një gjë e ashpër dhe mizore, nëse Krishti nuk është kënaqur, pasi ka derdhur gjakun e tij dhe është torturuar për një mëkatari të tillë.

  2. Ti e ke shpërfillur Perëndinë, dhe pse atëherë nuk mundet Perëndia me të drejtë të të shpërfillë ty? Kur mëkatarët bëhen të vetëdijshëm në njëfarë mase për mjerimin e tyre, ata janë gati ta vlerësojnë si ashpërsi që Perëndia nuk do t’i përfillë ata që ai do t’i shohë në atë gjendje të pikëlluar të vajtueshme, duke vështruar barrët dhe lotët e tyre, dhe duket se e shpërfill këtë, dhe nuk shfaq keqardhje për ta. Ata mendojnë se shpirtrat e tyre janë të çmuar: do të ishte e tmerrshme po qe se do të humbasin dhe do të digjen në ferr përgjithmonë. Ata nuk arrijnë ta kuptojnë si Perëndia e merr kaq lehtë shpëtimin e tyre. Por, nga ana tjetër, a nuk duhet ta mendojnë ata se ashtu siç janë të çmuar shpirtrat e tyre, ashtu është i çmuar edhe nderi i Perëndisë? Nderi i Perëndisë së pafund, Mbretit madhështor të Qiellit dhe Tokës, është diçka me po aq rëndësi, (dhe sigurisht mund të vlerësohet me të drejtë kështu nga Perëndia) , sa lumturia jote, o krimb i shkretë i vogël. Por megjithatë ti nuk e ke përfillur atë nder të Perëndisë, nuk e ke vlerësuar më tepër se baltën nën këmbë. Ty të kanë thënë se kjo gjë apo ajo tjetra ishin kundër vullnetit të Perëndisë së shenjtë dhe kundër nderit të tij; por ti nuk je merakosur për këtë. Perëndia të ka thirrur dhe të ka qortuar për t’u treguar më i butë me nderin e tij, por ti ke vazhduar pa ia vënë veshin. Kështu e ke shpërfillur ti Perëndinë! Po atëherë, a është e ashpër që Perëndia të të shpërfillë ty? A mos je më i ndershëm se Perëndia, saqë Ai duhet të jetë i detyruar të të japë rëndësi ty, pavarësisht se sa e përçmon ti Atë dhe lavdinë e Tij?

Dhe ti e ke shpërfillur Perëndinë jo vetëm në të kaluarën, por edhe tani. Ti, vërtet, tani hiqesh dhe bën sikur e nderon atë në lutjet, pjesëmarrjen në detyra të tjera, në dukje me pamje serioze dhe me përkushtimin që duket në fjalët dhe sjelljen tënde, por këto janë të gjitha sa për sy e faqe. Ai vështrim i përvuajtur gjoja, me druajtje, nuk vjen nga ndonjë nderim që ti ke për Perëndinë në zemrën tënde, ndonëse do të dëshiroje që Perëndia ta merrte si të tillë. Ti që nuk ke besuar në Krishtin, nuk ke as pikën e nderimit për Perëndinë. Pamja jote e jashtme është thjesht e sforcuar dhe e nxitur nga frika, si ata që përmenden në Psalmin 66:3. “Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.” Në origjinal kjo shprehet: “do të shtiren para teje;” domethënë, ata do të tregojnë nënshtrim të shtirur dhe do t’i bëjnë bisht respektit dhe nderimit për ty. Është një shkop sipër teje që të bën të dukesh se po shfaq respekt të tillë ndaj Perëndisë. Kjo fe dhe ky përkushtim, madje edhe vetë shfaqja e tyre, do të iknin shpejt dhe do të zhdukeshin krejtësisht, nëse do të hiqej ai shkop. Nganjëherë mund të jetë që ti ngashëren në lutjet dhe dëgjimin e predikimeve, duke shpresuar se Perëndia do ta shohë këtë dhe do ta marrë si njëfarë nderimi. Por Ai e sheh se kjo është e gjitha hipokrizi. Ti qan për veten dhe ke frikë nga ferri. Por mos vërtet ti mendon se ia vlen që Perëndia të të ketë kaq shumë parasysh, sepse mund të qash kur je në rrezik të mallkohesh në të njëjtën kohë që ti vërtet nuk merakosesh fare për nderin e Perëndisë.

Duke të parë ty kështu që përçmon një Perëndi kaq madhështor, a është gjë e tmerrshme për Perëndinë të të shpërfillë ty, një krijesë e vogël, e mjerë, e përbuzshme; krimb, thjesht hiç dhe më pak se hiç; insekt i ndyrë që je ngritur neveritshëm kundër Madhërisë së Qiellit e Tokës?

  1. Pse duhet parë si i detyruar Perëndia për të të dhuruar shpëtimin, kur ti ke qenë kaq mosmirënjohës për mëshirat që Ai të ka dhuruar ty tashmë? Perëndia të ka provuar ty me mjaft dashamirësi dhe ai nuk është falënderuar nga ti sinqerisht asnjëherë për asgjë të tillë. Perëndia të ka ruajtur, të ka mbrojtur, të ka siguruar ty dhe të ka ndjekur me mëshirë gjithë jetën; dhe prapë ti ke vazhduar të mëkatosh kundër Tij. Ai të ka dhënë ushqim dhe veshmbathje, por ti i ke vënë në shërbim të mëkatit. Ai të ka ruajtur në gjumë, por, kur je zgjuar, i je kthyer zanatit të vjetër të mëkatit. Perëndia, pavarësisht nga kjo mosmirënjohje, ka vazhduar akoma mëshirën e tij, por dashamirësia e Tij nuk e ka fituar kurrë zemrën tënde, as nuk të ka dërguar në ndonjë sjellje tjetër më mirënjohëse ndaj Tij. Ti mund të kesh marrë shumë mëshira të shquara, shërime nga sëmundjet, apo mbrojtje të jetës nga aksidentet, ndërsa po të kishe vdekur, do të kishe vajtur drejt e në ferr. E megjithatë ti kurrë nuk tregove ndonjë mirënjohje të vërtetë për këto mëshira. Perëndia të ka mbajtur jashtë ferrit, duke vazhduar ditën e hirit për ty dhe ofertat e shpëtimit për një kohë shumë të gjatë, ndërkohë që ti nuk e vlerësove shpëtimin tënd, aq sa t’ia kërkoje në fshehtësi Perëndisë. Dhe tani Perëndia i ka shtuar shumë mëshirës së tij për ty, duke të dhënë ty përpjekjet e Frymës së Tij, dhe tani një mundësi shumë e çmuar për shpëtimin tënd gjendet në dorën tënde. Po çfarë falënderimesh ka marrë Perëndia për këtë? Me se ia ke kthyer Atij gjithë këtë dashamirësi? Ashtu si Perëndia ka shumëfishuar mëshirat, ti ke shumëfishuar provokacionet.

Dhe megjithatë tani ti je gati të grindesh për mëshirë, dhe të fajësosh Perëndinë pse Ai nuk të dhuron më mëshirë, madje, kërkon të luftosh me Të, pasi Ai nuk të dhuron ty mëshirë të pafund, parajsën me gjithë sa gjendet në të dhe bile veten, si riskun tënd të përjetshëm. Çfarë idesh ke për veten ti që mendon se Perëndia është i detyruar të bëjë kaq shumë për ty, ndonëse ti e trajton atë me kaq mosmirënjohje përkundrejt dashamirësisë së Tij, e cila të ka ndjekur gjatë gjithë jetës?

  1. Ti vullnetarisht ke zgjedhur të jesh me Satanin në armiqësinë dhe në kundërshtimin e tij ndaj Perëndisë. Atëherë, sa realisht mund të jesh me Të në ndëshkimin e tij! Ti nuk ke zgjedhur të jesh në anën e Perëndisë, por përkundrazi, zgjodhe të bëhesh me djallin dhe ke vazhduar me kokëfortësi kundër thirrjeve dhe këshillave të Perëndisë të përsëritura shpesh. Ti ke zgjedhur të dëgjosh më tepër Satanin sesa Perëndinë dhe të jesh me të në punën e tij. Ti ia ke dorëzuar veten Satanit për t’iu nënshtruar pushtetit dhe qeverisjes së tij, në kundërshtim me Perëndinë. Fare mirë atëherë mund të të dorëzojë Perëndia tek ai dhe të lërë në pushtetin e tij, për të realizuar rrënimin tënd! Duke parë se ti ia ke dorëzuar veten vullnetit të tij, për të bërë si ia don qejfi atij, sigurisht Perëndia mund të të lërë në dorën e tij për të ushtruar vullnetin e tij mbi ty. Nëse njerëzit do të jenë me armikun e Perëndisë dhe në anën e tij, pse është i detyruar Perëndia t’i shpengojë ata nga duart e tij, kur ata kanë bërë punën e tij? Padyshim, ju do të dëshironit t’i shërbeni djallit dhe të jeni armiq të Perëndisë për sa jeni gjallë, pastaj ta keni mik Perëndinë dhe t’ju çlirojë nga djalli, kur të vdisni. Por a do të jetë Perëndia i padrejtë nëse vepron ndryshe me ju? Sigurisht jo! Do të jetë krejtësisht dhe përsosmërisht e drejtë që ju ta merrni pjesën tuaj me atë me të cilin keni vendosur të punoni dhe që ju të jeni në pronësinë e atij, të cilit i keni dorëzuar veten tuaj. Dhe, nëse i thërrisni Perëndisë për çlirim, ai me drejtësinë më të madhe mund t’ju japë atë përgjigje që do ta gjeni tek Gjyqtarët 10:14: “Shkoni tek perënditë që vetë keni zgjedhur.”

  2. Mendo sa shpesh nuk ke pranuar të dëgjosh thirrjet që Perëndia të ka drejtuar ty dhe sa e drejtë do të jetë atëherë, nëse Ai nuk do të pranojë të të dëgjojë ty kur t’i thërrasësh Atij. Ti ndoshta je gati të ankohesh se je lutur shpesh dhe ke kërkuar me këmbëngulje që Perëndia të tregojë mëshirë e megjithatë nuk ke marrë përgjigje për lutjet: Dikush thotë se ka qenë i rregullt në lutje për kaq shumë vjet dhe Perëndia nuk e ka dëgjuar. Një tjetër mund të thotë se: Kam bërë çfarë mund të bëja; jam lutur me aq zell sa kisha mundësi; nuk e kuptoj se si mund të bëj më tepër; dhe do të dukej ashpërsi, nëse pas gjithë sa kam bërë, do të mohohem. Por a e mendon se sa shpesh Perëndia të ka thirrur dhe ti e ke mohuar atë? Perëndia ka thirrur seriozisht dhe për shumë kohë, Ai ka thirrur herë pas here me fjalën dhe providencën e tij, por ti e ke kundërshtuar. Ti nuk je trazuar nga frika se mos nuk tregoje mjaft respekt për thirrjet e Tij. E ke lënë të të thërrasë me aq zë dhe aq gjatë sa ka dashur; por ti ama, nuk ia pate ngenë të merrje vesh çfarë thoshte; ti kishe punë të tjera në mendje; kishe këtë apo atë epsh për të kënaqur dhe do të merreshe me merakun e botës; ti nuk mund ta harxhoje kohën për të shqyrtuar ato që Perëndia kishte për të të thënë. Kur shërbëtorët e Krishtit të janë përgjëruar në emrin e Tij, adhurim pas adhurimi, duke shpenzuar për këtë gjithë forcat e tyre, sa pak je prekur ti! Nuk të ka bërë përshtypje asgjë, por ke vazhduar njësoj si më parë. Kur ikje, i ktheheshe prapë mëkatit, ndyrësisë, mirrës tënde të qelbur, zilisë dhe paqëndrueshmërisë sate, dhe e tillë ka qenë gjuha e zemrës dhe praktikës tënde, Eksodi 5:2. “Kush është Zoti që unë duhet t'i bindem zërit të tij?” A mos ishte krim për ty të pranoje të dëgjoje, kur Perëndia thërriste? Atëherë a mos është shumë e ashpër që Perëndia nuk i dëgjon thirrjet e tua të zjarrta, kur prapëseprapë thirrja jote për Perëndinë nuk del nga ndonjë respekt për të, por vetëm nga dashuria për veten tënde? Djalli do të përgjërohej me aq zjarr sa ti, po të kishte sadopak shpresë shpëtimi nga kjo, bile një mijë herë me më shumë zjarr, dhe prapë do të ishte po aq djall sa është tani. A janë thirrjet e tua më të denja për t’u dëgjuar se thirrjet e Perëndisë? Mos, vallë, Perëndia është më I detyruar sesa ç’je ti, që Ai të dëgjojë çfarë I thua ti dhe jo ti të dëgjosh urdhëresat, këshillat dhe ftesat e Tij? Çfarë mund të jetë më e drejtë se kjo që thuhet te Fjalët e Urta 1:24-28: “Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje, përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time, edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani, kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t'ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi.

Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë..”

  1. A nuk ke marrë kurajë për të mëkatuar kundër Perëndisë, tamam në bazë të hamendjes se Perëndia do të tregojë mëshirë për ty, kur ta kërkosh ti? Dhe a nuk mund ta kthejë mbrapsht me të drejtë Perëndia atë mëshirë që ti e ke hamendësuar kaq shumë? Ti ke lajkatuar veten duke menduar se ndonëse ke vepruar ashtu, prapë Perëndia do të tregojë mëshirë për ty, kur ti t’ia kërkosh atë me zjarr. Sa e ndershme do të jetë atëherë për Perëndinë të të zhgënjejë për këtë hamendje kaq të poshtër! Tamam, në bazë të asaj shprese, ke guxuar të fyesh botërisht Madhërinë e Qiellit aq tmerrësisht, siç e ke fyer, dhe kaq i pirë mund të jesh tani, sa të mendosh se Perëndia është i detyruar të mos e bjerrë atë shpresë?

Kur mëkatari merr kurajë të nënvleftësojë në fshehtësi lutjen që ka urdhëruar Perëndia, të kënaqë epshet e tij, të jetojë një jetë të shthurur mishore, të sabotojë Perëndinë, të shkelë mbi Të dhe ta pështyjë në fytyrë, duke menduar me vete: “Nëse i bëj këto, Perëndia nuk do të më mallkojë; ai është Perëndi i plotmëshirshëm, kështu që, kur unë të kërkoj mëshirën e tij, ai do të ma dhurojë;” a duhet të shihet Perëndia si i ashpër sepse ai nuk do të bëjë sipas hamendjes së një mëkatari të tillë?

A nuk mund të përligjet që të mos ketë mëshirë për një mëkatar të tillë, i cili e kërkon atë vetëm kur ia do qejfi, pa marrë mbi vete akuzën e të qenit i padrejtë? Pasi po të ishte ashtu, Perëndia nuk do të kishte lirinë për të shpaguar nderin dhe madhërinë e tij, por do të duhej ta linte veten të pambrojtur përballë gjithfarë fyerjesh botërore dhe të dorëzohej përpara shpërdorimeve të njerëzve të poshtër, të cilët megjithëse janë të pabindur, e poshtërojnë dhe e çnderojnë atë, sipas dëshirave të tyre. Dhe pasi i kanë bërë të gjitha këto, mëshira dhe hiri falës nuk duhet të jenë në pushtetin e Perëndisë, por u dashka që Ai t’u përgjigjet medoemos thirrjes së tyre! U dashka t’i marrë këta fyes cuba e të poshtër të Madhërisë së Tij, kur ua do qejfi atyre ta kërkojnë, dhe t’u falë gjithë mëkatet, dhe jo vetëm kaq, por u dashka t’i pranojë ata në familjen e Tij, t’i bëjë fëmijët e vet dhe t’u dhurojë lavdinë e përjetshme. Sa mendime të liga, të ulëta dhe të çuditshme kanë të tillë njerëz që mendojnë kështu për Perëndinë! Mendo që ti e ke lënduar Perëndinë më tepër dhe ke qenë armiku më i keq i Tij, pasi ai është Perëndi i plotmëshirshëm. Kështu e ke trajtuar këtë cilësi të mëshirës së Perëndisë! Sa e drejtë është atëherë që ti të mos kesh kurrë përfitim prej kësaj cilësie!

Ka diçka veçanërisht të tmerrshme në mëkatimin kundër mëshirës së Perëndisë më tepër sesa për disa cilësi të tjera. Ka një mosmirënjohje kaq të shëmtuar e të llahtarshme ndaj Perëndisë, ndaj Atij që është qenie e mirësisë dhe hirit të pafund, saqë e bën ligësinë të poshtër e të neveritshme mbi gjithë të tjerat. Kjo duhet të na tërheqë vëmendjen dhe të na bëjë për t’i shërbyer më mirë Perëndisë. Por në qoftë se, në vend të kësaj ne mëkatojmë më tepër kundër tij, kjo përmban diçka shumë të keqe brenda, e shton fajin në një mënyrë të veçantë dhe nxit zemërimin; ashtu siç na thuhet edhe në këto vargje tek Romakëve 2:4,5.

Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim? Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë.”

Sa më e madhe të jetë mëshira e Perëndisë, aq më shumë duhet të jesh i angazhuar ta duash Atë dhe të jetosh për lavdinë e Tij. Por me ty ka qenë e kundërta: mendimi se mëshira e Perëndisë është kaq shumë madhështore, ka qenë gjëja që të ka nxitur në mëkat. Ke dëgjuar se mëshira e Perëndisë ishte pa kufi, që ishte e mjaftueshme për të falur mëkatarin më të madh dhe tamam në bazë të kësaj ke guxuar të bëhesh mëkatar shumë i madh. Ndonëse ishte shumë fyese për Perëndinë, ndonëse dëgjove se Perëndia urrente pafundësisht mëkatin dhe se të tilla praktika, si ato me të cilat vazhdove, ishin pamasë kundër natyrës, vullnetit dhe lavdisë së Tij, prapëseprapë kjo nuk të trazoi aspak: ti dëgjove se ai ishte Perëndi shumë i plotmëshirshëm dhe kishte mjaft hir për të të falur ty, kështu që nuk u merakose se sa fyese ishin mëkatet e tua për Të. Sa kohë keni vazhduar disa prej jush në mëkat; për sa mëkate të mëdha janë fajtorë disa prej jush, në bazë të kësaj hamendjeje! Vetë ndërgjegjja juaj mund të dëshmojë për këtë, sepse kjo ju ka bërë të hidhni poshtë thirrjet e Perëndisë, kjo ju ka bërë të pavëmendshëm ndaj urdhëresave të Tij të përsëritura. Atëherë, sa e drejtë do të ishte që Perëndia të betohej në zemërimin e Tij që pavarësisht nga mëshira e Tij e pafundme, ti të mos dilje asnjëherë nga ajo gjendje!

Mosmirënjohja jote ka qenë akoma më e madhe, pasi jo vetëm që e ke shpërdorur atributin e mëshirës së Perëndisë, duke marrë guximin që në emër të kësaj mëshire, të vazhdosh më tej në rrugën e mëkatit, por ti gjithashtu ke hamendësuar se Perëndia do të ushtronte mëshirë të pafund ndaj teje, gjë që do ta kishte bërë Perëndinë më të dashur për ty në veçanti. Ti ke marrë kurajo për të mëkatuar më tepër, duke u nisur nga mendimi yt se Krishti erdhi në botë dhe vdiq që të shpëtojë mëkatarët. Pra, të tilla falënderime ka marrë Krishti prej teje, për durimin e një vdekje kaq torturuese për armiqtë e tij! Prandaj, me të drejtë Perëndia mund të kundërshtojë të të ndryshojë ty, pavarësisht se Biri i Tij i vetëm ka dhënë jetën e Tij! Për shkak të këtyre gjërave, ti ke pushuar së kërkuari shpëtimin. Ti do të vazhdoje të merrje kënaqësitë e mëkatit për më gjatë akoma, duke e ngurtësuar veten, pasi mëshira ishte e pafund, dhe nuk do të ishte tepër vonë po ta kërkoje më pas. Atëherë, me shumë të drejtë, Perëndia mund të të zhgënjejë për këtë dhe të urdhërojë se do të jetë tepër vonë!

  1. Shumë prej jush janë rebeluar kundër Perëndisë dhe me mendjet tuaja të ngushta e keni kundërshtuar në zbulesat e Tij sovrane! Sa drejtësisht mund t’ju kundërshtojë Perëndia në bazë të kësaj llogarie dhe të ngrihet kundër jush! Ju kurrë nuk do t’i nënshtroheshit Perëndisë, kurrë nuk do t’i bindeshit vullnetarisht, që Perëndia të mbizotërojë mbi botën dhe ta qeverisë për lavdinë e Tij sipas urtësisë së vet. Ti, krimb i mjerë, qeramikë, cifël e shkëputur nga një enë balte, ke guxuar ta fajësosh dhe të grindesh me Perëndinë. Isaia 45:9:

Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t'i thotë argjila atij që i jep formë: "Ç'po bën?", a do të thotë vepra jote: "Nuk ka duar?’”

E megjithatë ju keni guxuar ta bëni këtë. Romakëve 9:20: “Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë ena mjeshtrit: ``Përse më bërë kështu?”

Nëse nga frika nuk e ke shfaqur hapur kundërshtimin dhe armiqësinë e zemrës kundër qeverisjes së Perëndisë, por e ke mbajtur brenda dhe nuk ke gjetur qetësi në kuadrin e mendjes sate, prapë ke pasur përbrenda zemrën e nepërkës dhe ke qenë gati të pështysh helmin tënd kundër Perëndisë. Është mirë nëse nganjëherë nuk ke vepruar kështu, duke toleruar mendime blasfemuese dhe dufe të ligshta zemre kundër tij; posi, edhe kuadri i zemrës tënde në njëfarë mase është shfaqur në sjellje të padurueshme dhe frikësuese. Dhe tani, duke parë se e ke kundërshtuar kështu Perëndinë, sa e drejtë është që Perëndia të të kundërshtojë ty! Apo mos vallë ti je shumë më i mirë dhe shumë më i madh sesa Perëndia, saqë do të ishte krim nëse Ai të kundërshton ty njësoj sikundër e ke kundërshtuar ti Atë? A mendon se liria e kundërshtimit është privilegj vetëm i yti kështu që ti mund të jesh armik i Perëndisë, ndërsa Perëndia kurrsesi nuk mund të jetë armiku yt, por duhet të jetë i detyruar megjithatë të të ndihmojë dhe të të shpëtojë ty me gjakun e vet dhe të derdhë bekimet e Tij më të mira mbi ty?

Mendo se si në mendjen tënde të kufizuar e ke sabotuar Perëndinë tamam në këto ushtrime të mëshirës ndaj të tjerëve që ti po kërkon për vete.

Fakti që Perëndia ushtronte hirin e tij të pafund ndaj fqinjëve të tu, të ka shtyrë në një gjendje ligësie, dhe ndoshta të ka bërë të tërbohesh fare. Sa drejtësisht atëherë, Perëndia mund të të mos pranojë asnjëherë të të mëshirojë ty! A nuk e ke kundërshtuar kështu edhe ti Perëndinë kur u shfaqte mëshirë të tjerëve, madje edhe në kohën kur ti shtireshe se ishe i zellshëm me Perëndinë për mëshirë e ndihmë për veten tënde? Dhe ndërsa po orvateshe të merrje diçka që t’ia rekomandoje veten Perëndisë? Dhe prapë do ta shohësh Perëndinë me një sfidë mëshire dhe do të përleshesh me të, sepse nuk të ka parasysh? A mundesh ti që ke një zemër të tillë dhe je sjellë në atë mënyrë, të vish te Perëndia për asgjë tjetër, por vetëm për mëshirë sovrane?

  1. Nëse do të dëboheshe përgjithmonë nga Perëndia, kjo do të ishte në përputhje me trajtimin që i ke bërë ti Jezu Krishtit. Do të kishte qenë e drejtë nëse Perëndia do të të kishte dëbuar përgjithmonë, edhe pa ta bërë kurrë ofertën e Shpëtimtarit. Por Perëndia nuk e ka bërë këtë; ai ka siguruar një Shpëtimtar për mëkatarët dhe ta ka ofruar Atë ty, madje vetë Birin e tij Jezu Krishtin, i cili është i vetmi Shpëtimtar për njerëzit. Të gjithë ata që nuk janë përjashtuar përgjithmonë, janë shpëtuar prej Tij. Perëndia u ofron njerëzve shpëtimin përmes tij dhe na ka premtuar se po të vijmë tek Ai, nuk do të dëbohemi. Por, nëse ti e ke trajtuar dhe vazhdon ta trajtosh këtë Shpëtimtar në një mënyrë të tillë, do të ishte krejtësisht në përputhje me sjelljen tënde ndaj tij që ti të dëbohesh përjetësisht, ashtu siç e tregojnë edhe këto fjalë: “Sepse ti kundërshton Krishtin dhe nuk do ta kesh Atë për Shpëtimtar.”

Nëse Perëndia të ofron ty një Shpëtimtar, në vend të një ndëshkimi të merituar, dhe ti nuk do ta pranosh atë, atëherë sigurisht, është e drejtë që ti të shkosh pa Shpëtimtar. Apo Perëndia është i detyruar që të sigurojë një shpëtimtar tjetër, sepse ty nuk të pëlqen ky Shpëtimtar? Ai ka dhënë një person pafundësisht të nderuar dhe të lavdishëm, madje, vetë Birin e tij të vetëmlindur për të qenë sakrifica për mëkatin, dhe kështu ka siguruar shpëtimin. Ky Shpëtimtar të është ofruar ty. Dhe tani, nëse kundërshton ta pranosh Atë, a është Perëndia i padrejtë, nëse nuk të shpëton ty? A është Ai i detyruar të të shpëtojë ty sipas qejfit tënd, sepse ty nuk të pëlqen mënyra që zgjedh Ai? Apo do ta akuzosh Krishtin për padrejtësi sepse Ai nuk bëhet Shpëtimtari yt, kuptoj në të njëjtën kohë që ti nuk do ta pranosh kur Ai ta ofron veten dhe të kërkon ta pranosh si Shpëtimtarin tënd?

Jam i vetëdijshëm se në ditët tona shumë njerëz janë gati të kundërshtojnë. Nëse të gjithë do të thonin atë që mendojnë tani, do të dëgjonim një murmurimë në të gjithë këtë vend dhe njëri apo tjetri do të thoshte: “Nuk mund ta kuptoj si mund të ndodhë që Krishti të mos jetë Shpëtimtari im, kur do të jepja gjithë botën që ai të ishte Shpëtimtari im: si është e mundur që nuk e kam Krishtin për Shpëtimtar, sepse kjo është ajo që po kërkoj, po lutem dhe po luftoj si për jetën time?”

Tani do të përpiqem t’ju bind se po bëni një gabim të madh në këtë çështje.

Dhe së pari, do të provoj të tregoj bazat e gabimit tuaj. Së dyti, t’ju demonstroj se e keni kundërshtuar dhe e kundërshtoni me gjithë vullnetin tuaj Jezu Krishtin.

  1. Ka një dallim të madh mes gatishmërisë për të mos u mallkuar dhe të qenit i gatshëm për ta pranuar Krishtin si Shpëtimtar. Pa dyshim, ju e keni të parën sepse përndryshe, do të binit në mjerim të përjetshëm, gjë që nuk do ta dëshironit kurrë. Por kjo është ende larg nga të qenit gati për të ardhur te Krishti; njerëzit shpesh ngatërrojnë njërën me tjetrën, por ato janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ti mund ta duash çlirimin, por mund të urresh çlirimtarin. Ti tregon për një gatishmëri, por pa menduar edhe se cili është objekti i kësaj gatishmërie. Kjo nuk respekton Krishtin; udha e shpëtimit prej tij nuk është aspak objekt i saj, por mjaftohet vetëm me daljen tënde nga mjerimi. Forca e vullnetit tënd nuk shkon më tej se tek vetja, ajo kurrë nuk e arrin Krishtin. Ti je i gatshëm të mos jesh i mjerë, d.m.th., ti e do veten, dhe aty vullneti dhe zgjedhja jote sosin. Dhe është vetëm një shtirje dhe iluzion i kotë të thuash apo të mendosh se je gati të pranosh çdo gjë nga Krishti.

  2. Ka dallim të madh mes bindjes së sforcuar dhe gatishmërisë së lirë. Sforcimi dhe liria nuk mund të përzihen bashkë. Kjo gatishmëri, me të cilën ti mendon se je gati të kesh Krishtin për Shpëtimtar, është thjesht një gjë e sforcuar. Zemra jote nuk shkon pas Krishtit me dëshirë, por ti je i sforcuar dhe i shtyrë të kërkosh interes tek Ai. Krishti nuk ka fare pjesë në zemrën tënde; nuk ke si ta mbyllësh brenda zemrës tënde. Kjo bindje e sforcuar nuk është ajo që Krishti kërkon prej teje; Ai kërkon një pranim të lirë dhe të vullnetshëm. Shih për këtë edhe Psalmin 110:3: “Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd.” Ai nuk kërkon që ti ta pranosh përkundër vullnetit tënd, por me vullnet të lirë. Ai kërkon mikpritjen e zemrës dhe zgjedhjes sate. Dhe nëse ti kundërshton ta pranosh kështu Krishtin, sa e drejtë është që Krishti të mos dojë të të pranojë ty? Sa të arsyeshme janë kushtet e Krishtit, i cili ofron të shpëtojë të gjithë ata që me gatishmëri, ose me vullnetin e mirë, e pranojnë atë për Shpëtimtarin e tyre! Një njeri me mend në kokë a mund të presë vallë që Krishti t’i imponohet forcërisht ndokujt si Shpëtimtar? A ka gjë më të arsyeshme sesa kjo që të gjithë ata që e duan Krishtin si Shpëtimtar, duhet ta mirëpresin Atë me zemër dhe lirisht? Dhe sigurisht, do të ishte shumë e padenjë për Krishtin ta ofronte veten në kushte më të ulta.

Së dyti, Do të desha të provoja se ju nuk jeni të gatshëm ta keni Krishtin për Shpëtimtar. Për t’ju bindur për këtë, mbani parasysh:

  1. Si ka mundësi që ju të jeni të gatshëm ta pranoni Krishtin si Shpëtimtar, për t’i ikur një ndëshkimi për të cilin nuk jeni të ndërgjegjshëm se e keni merituar? Nëse ju jeni vërtet të gatshëm ta pranoni Krishtin si Shpëtimtar, kjo duhet të jetë si një sakrificë për shlyerjen e fajit tuaj. Krishti erdhi në botë për këtë punë, për të ofruar veten si shlyerje për mëkatin, për t’u përgjigjur për ikjen tonë nga ndëshkimi. Por si mund të jeni të gatshëm ta keni Krishtin si Shpëtimtar për t’i ikur ferrit, nëse ju nuk jeni të ndërgjegjshëm se duhet t’i ikni një ferri? Nëse ju nuk keni merituar vërtet të digjeni përjetësisht në ferr, atëherë edhe vetë oferta e shlyerjes për t’u përjashtuar nga ky dënim ju është ofruar me forcë. Nëse ju nuk jeni fajtorë për diçka të tillë, atëherë vetë oferta për heqjen e atij faji është një lëndim, sepse nënkupton në vetvete një akuzë për një faj që nuk ju takon juve. Prandaj është e pamundur që një njeri, i cili nuk është bindur për fajin e tij, të jetë i gatshëm të pranojë akuzën që nënkupton oferta. Një njeri që nuk është bindur se meriton një ndëshkim kaq të llahtarshëm, nuk mund të nënshtrohet vullnetarisht për të pranuar t’i ngarkohet ky ndëshkim. Edhe nëse ai mendon se është i gatshëm që ta marrë dënimin, është veçse një gjë e sforcuar, e shtirur; sepse në të vërtetë në zemrën e tij ai ndihet shumë i lënduar. Për rrjedhim nuk mund ta pranojë lirisht Krishtin nën etiketën e Shpëtimtarit për largimin nga ndëshkimi. Një pranim i tillë për të do të thoshte të dilte hapur se e meritonte një ndëshkim të tillë.

Unë nuk them që njerëzit të mund të jenë të gatshëm të shpëtohen nga një ndëshkim i pamerituar; por që ata më shumë nuk do të donin ta vuanin atë, sesa ta vuanin. Një njeri nuk mund të jetë i gatshëm të pranojë shpëtim nga duart e Perëndisë përmes një Shpëtimtari, shpëtim nga një ndëshkim që e meriton, por që ai e mendon se nuk e meriton. Sipas kësaj ideje është e pamundur që ndokush të pranojë lirisht një Shpëtimtar. Një njeri i tillë nuk mund ta pëlqejë udhën e shpëtimit nga Krishti; pasi nëse ai mendon se nuk e ka merituar ferrin, atëherë ai do të mendojë se liria nga ferri është një borxh; dhe prandaj nuk mundet vullnetarisht dhe me gjithë zemër ta pranojë atë si dhuratë falas. Nëse një mbret do ta dënonte dikë me një vdekje torturuese, të cilën i dënuari mendon se nuk e meriton, por e sheh dënimin si të padrejtë dhe mizor, dhe mbreti kur të afrohet koha e ekzekutimit do t’i ofronte atij faljen, nën nocionin e një vepre shumë të madhe hiri e mëshire, njeriu i dënuar kurrë nuk do të mund ta lejonte këtë me gatishmëri dhe me gjithë zemër nën atë nocion, sepse e ka gjykuar veten të dënuar padrejtësisht.

Tani nga kjo provohet se ti nuk je i gatshëm ta pranosh Krishtin si Shpëtimtarin tënd; pasi ti kurrë akoma nuk ke patur një ndjesi të tillë të mëkatshmërisë tënde dhe një bindje të tillë për fajin e madh në sytë e Perëndisë sa të bindesh vërtet se je drejtësisht i ndëshkuar me dënimin e ferrit. Ti kurrë nuk je bindur se ke humbur gjithë favorin dhe je në duart e Perëndisë dhe në dispozicionin e tij sovran e arbitrar ose për t’u shkatërruar ose për t’u shpëtuar, sipas dëshirës së Tij. Ti kurrë nuk je bindur akoma për sovranitetin e Perëndisë. Prej këtej ka kaq shumë kundërshtime që ngrihen kundër drejtësisë së ndëshkimit tënd nga mëkati fillestar dhe nga dekreti i Perëndisë nga mëshirat e shfaqura ndaj të tjerëve e kështu me radhë.

2. Që ti nuk je i gatshëm ta pranosh Krishtin si Shpëtimtarin tënd, duket nga kjo që ti kurrë nuk je bindur se ai është i mjaftueshëm për veprën e shpëtimit tënd. Ti kurrë nuk e ke kuptuar dhe nuk e ke ndier lavdinë dhe madhështinë e Krishtit, të cilat i japin një vlerë kaq të madhe gjakut dhe ndërmjetësimit të Tij me Perëndinë e që janë mëse të mjaftueshme për t’u pranuar edhe nga krijesat më fajtore, megjithëse këto e kanë provokuar dhe e kanë zemëruar kaq shumë e në mënyrë të llahtarshme Perëndinë. Të thuash nga njëra anë se “ Ashtu është “ dhe në anën tjetër, të praosh ashtu si thonë të tjerët, është diçka krejt ndryshe nga bindja dhe ndjeshmëria e vërtetë që mund të kesh për këtë në veten e në zemrën tënde. Mjaftueshmëria e vetë Krishtit qëndron në lavdinë e Tij. Meqë Ai është person kaq i lavdishëm dhe meqë bindja e Tij dhe ndërmjetësimi i Tij janë kaq të denjë dhe fitimtarë në sytë e Perëndisë, gjaku i Tij është i mjaftueshëm për shlyerjen e mëkatit. Prandaj ata që nuk e kanë parë dhe ndier shpirtërisht lavdinë e Krishtit, nuk janë të ndjeshëm edhe për mjaftueshmërinë e Tij.

Dhe që mëkatarët nuk janë të bindur se Krishti është i mjaftueshëm për veprën që ka ndërmarrë, duket më qartë kur ata janë të bindur plotësisht për mëkatin që kanë bërë dhe kur për këtë ndiejnë rrezikun e zemërimit të Perëndisë. Në rast se shumë kohë më parë mendonin se mund ta lejonin Krishtin të ishte i mjaftueshëm (pasi është e lehtë të lejosh këdo të jetë i mjaftueshëm për mbrojtjen tonë në kohën kur nuk shohim ndonjë rrezik), më vonë, kur ata arritën të bëhen të ndjeshëm për fajin e tyre dhe zemërimin e Perëndisë, sa mendime shkurajuese kaluan nëpër mend! Sa të gatshëm janë të shkojnë drejt dëshpërimit, a thua se nuk ka shpresë apo ndihmë për krijesa të tilla të liga si ata! Arsyeja është se ata nuk e kuptojnë si mund të shpaguhet në ndonjë mënyrë tjetër madhështia e Perëndisë, veçse në mjerimin e tyre. Zemrat e tyre të mbytura në dëshpërim nuk lehtësohen edhe po t’u dëshmosh për gjakun e Krishtit. Kjo gjë provon më së miri se ata nuk janë të bindur që Krishti është i mjaftueshëm për të qenë Ndërmjetësi i tyre. Dhe, për sa kohë që nuk janë të bindur për këtë, është e pamundur që ata të jenë të gatshëm për ta pranuar Atë si Ndërmjetësin dhe Shpëtimtarin e tyre. Njeriu, që është në kulmin e frikës, nuk do të jetë i gatshëm të futet në një kala, që e gjykon si të pamjaftueshme për t’u mbrojtur nga armiku. Njeriu nuk do të jetë i gatshëm t’i futet detit me një anije, për të cilën dyshon se merr ujë dhe do të fundoset, përpara se të mbarojë udhëtimin.

3. Është e qartë pra se ti nuk je i gatshëm ta kesh Krishtin për Shpëtimtar sepse ke një opinion kaq të lig për të, saqë nuk pranon t’i besosh besnikërisë së Tij. Personi që ndërmerr të bëhet Shpëtimtari i shpirtrave e ka mëse të domosdoshme të jetë besnik, pasi po të dështojë në një besim të tillë, sa e madhe do të ishte humbja! Por, siç del e qartë, ju nuk jeni të bindur për besnikërinë e Krishtit. Sepse, në një kohë që ndieni fajin e mëkatit tuaj dhe zemërimin e Perëndisë, ju nuk mund të bindeni që Krishti është i gatshëm t’ju pranojë, ndonëse Ai deklaron solemnisht se ju fton, se qëndron i gatshëm për t’ju pritur, se nuk do t’ju mohojë, nëse ju vërtet do të vini tek Ai: “Atë që vjen tek unë, në asnjë mënyrë unë nuk do ta mohoj.” Gjoni 6:37. Dhe tani, del e qartë se asnjeri nuk do të ishte i gatshëm t’ua besonte mirëqenien e vet duarve të një personi për besnikërinë e të cilit ka dyshime.

4. Siç duket qartë ti nuk je i gatshëm të shpëtohesh në atë mënyrë nga Krishti, pasi ti nuk mund të pranosh që vetë mirësia jote të mos vlejë asgjë përderisa ti vetë e vlerëson shumë atë. Në udhën e shpëtimit përmes Krishtit mirësia e njerëzve zhvleftësohet krejtësisht; nuk merret parasysh fare. Ndërsa ti i vlerëson shumë lutjet dhe vuajtjet e tua në fe dhe mendon shpesh se sa të vlefshme të duken ty ato! Disa nga ju mendojnë se meqë i keni shërbyer Perëndisë më shumë se të tjerët, Ai duhet t’ju respektojë dhe t’ju vlerësojë për ato çka keni bërë. Tani, nëse e vlerëson kaq shumë atë që bën vetë, është e pamundur që Perëndia të mos e vlerësojë fare. Siç mund ta shohim në gjërat e tjera, nëse njeriu është krenar për pronë të madhe, ose nëse e vlerëson veten shumë në bazë të pozitës së nderuar apo aftësive të tij të mëdha, është e pamundur që atij t’i pëlqejë dhe ta pranojë me gjithë zemër që të tjerët të mos i vlerësojnë këto gjëra dhe t’i përbuzin.

Kështu, duke parë kaq qartë se ti nuk e pranon ta kesh Krishtin si Shpëtimtar, pse atëherë duhet të fajësohet Krishti që nuk të shpëton? Krishti është ofruar dhe vazhdon të ofrohet edhe tani, ndërsa ti e ke kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtosh e megjithatë përsëri ankohesh pse Ai nuk të shpëton ty. Kaq çuditërisht të paarsyeshëm dhe kontradiktorë në vetvete janë mëkatarët e ungjillit!

E di që edhe tani shumë prej jush vazhdoni të keni në zemrat tuaja frymën e një kundërshtimi të tillë.

Kundërshtim. Nëse nuk jam i vullnetshëm ta kem Krishtin për Shpëtimtar, unë nuk mund ta bëj veten të vullnetshëm. Por unë do t’i jepja një përgjigje këtij kundërshtimi duke parashtruar dy gjëra që duhet pranuar se janë jashtëzakonisht të qarta.

  1. Nuk është shfajësim që ti nuk mund ta pranosh Krishtin vetë, veç po të kishe mundësi. Kjo është kaq e qartë saqë nuk kërkon ndonjë vërtetim. Sigurisht, nëse njerëzit nuk do ta bënin këtë sikur të kishin mundësi, është krejt e njëjta edhe për fajin që bie mbi ta, pavarësisht nëse kishin apo nuk kishin mundësi. Nëse ti do të ishe i vullnetshëm, dhe pastaj vëren se nuk kishe aftësi, të qenit i paaftë mund të përbënte njëfarë shfajësimi sepse defekti në këtë rast nuk do të ishte në vullnetin tënd, por në aftësinë tënde. Por për aq sa ti nuk je i vullnetshëm, nuk ka rëndësi nëse ke apo nuk ke aftësi.

Nëse nuk je i vullnetshëm të pranosh Krishtin, vjen ngaqë ti nuk ke vullnet të sinqertë për të qenë i vullnetshëm; sepse vullneti gjithmonë miraton dhe mbështetet domosdoshmërisht në veprimet e veta. Të supozosh të kundërtën, do të thotë të supozosh një kontradiktë, do të thotë të supozosh se vullneti i njeriut është në kontradiktë me vetveten, apo se ai ka vullnet përkundër asaj që ai vetë ka vullnet. Përderisa nuk ke vullnet të vish te Krishti dhe nuk mund ta bësh veten të vullnetshëm, atëherë nuk ke dëshirë të sinqertë të jesh i vullnetshëm dhe për rrjedhojë, me drejtësinë më të madhe mund të humbasësh pa Shpëtimtar.

Nuk ka asnjë lloj shfajësimi për ty pavarësisht se çfarë mund të thuash për paaftësinë tënde. Pesha e fajit bie mbi vullnetin tënd të shthurur që është armik i Shpëtimtarit. Është kotësi që të flasësh për mungesën e fuqisë, për aq sa vullneti yt mbetet i mangët. Nëse dikush të urren dhe të qëllon në fytyrë, por të thotë në të njëjtën kohë që të urren kaq shumë, sa nuk mund të zgjedhë e të ketë vullnet për të vepruar ndryshe, a do të tregoheshe më i durueshëm me të? A nuk do të ndizej edhe më tepër zemërimi yt?

  1. Nëse do të ishe i vullnetshëm po të kishe mundësi, nuk përbën shfajësim, veç nëse pavullnetshmëria jote për të qenë i vullnetshëm të ishte e sinqertë. Ajo që është hipokrizi dhe nuk vjen nga zemra, por është thjesht e sforcuar, duhet lënë tërësisht mënjanë, si e padenjë për t’u marrë parasysh; sepse logjika na mëson se ajo që nuk vjen nga zemra, në të vërtetë, nuk është asgjë, veç hipokrizi duke qenë vetëm një mburrje e asaj që nuk është. Dhe ajo që nuk vlen për asgjë, duhet të hidhet poshtë si diçka pa vlerë. Nëse ti lë mënjanë gjithë sa nuk është e lirë, dhe nuk quan asgjë si të vullnetshme, veç një gatishmërie të lirë zemre, atëherë shih si qëndron puna dhe nëse ke humbur apo jo gjithë shfajësimin për daljen kundër thirrjes së ungjillit. Ti thua se do ta bëje veten të vullnetshëm ta pranoje, po të kishe mundësi. Por ky vullneti yt nuk buron nga parime të shëndosha, nuk vjen nga ndonjë zgjedhje e lirë apo respekt i vërtetë për Krishtin, nga dashuria ndaj detyrës sate, nga shpirti i bindjes. Nuk vjen as nga ndikimi i respektit të vërtetë, apo i prirjeve në zemrën tënde drejt ndonjë gjëje të mirë, ose nga parime të tjera të këtij lloji, përveç atyre që gjenden në zemrat e djajve dhe që do t’i bënte ata të kishin të njëjtin lloj vullneti në të njëjtat rrethana. Është mëse e qartë, pra, se nuk do të kishte mirësi, në atë lloj të qeni i vullnetshëm për të ardhur te Krishti: dhe ajo që nuk ka ndonjë mirësi nuk mund të jetë shfajësim për ndonjë ligësi. Nëse nuk ka mirësi në të, atëherë nuk do të thotë asgjë dhe nuk peshon aspak, po të vihet në peshore si kundrapeshë për atë që është e keqe.

Prandaj mëkatarët e harxhojnë kohën me debate dhe kundërshtime të kota, duke i dhënë rëndësi asaj që nuk vlen aspak, duke nxjerrë këto shfajësime që nuk ia vlen t’i ofrosh. Është e kotë të vazhdosh të nxjerrësh kundërshtime. Ti mbetesh i ndëshkuar me të drejtë. Faji të mbetet ty, largoje nga vetja sa herë të duash, prapë do të kthehet te ti. Qep gjethe fiku sa të duash, prapë do të shfaqet lakuriqësia jote. Ti vazhdon vullnetarisht dhe ligësisht të kundërshtosh Jezu Krishtin, nuk e do Atë si Shpëtimtar, prandaj është çmenduri e ndyrë nga ana jote ta akuzosh Krishtin për padrejtësi, pse ai nuk të shpëton.

Ja mëkati i mosbesimit! Kështu, faji i atij mëkati të madh mbetet mbi ty! Nëse ti nuk do ta kishe pranuar kurrë Shpëtimtarin, me drejtësinë më të madhe do të ndëshkoheshe në përjetësi: kjo do të ishte tamam në pajtueshmëri me mënyrën si e ke trajtuar ti Perëndinë. Veç kësaj, kur Perëndia, pa u kursyer, të ka ofruar ty vetë Birin e tij të dashur, për të të shpëtuar nga ky mjerim i pafund që ke merituar. Dhe jo vetëm kaq, por edhe për të të bërë ty të lumtur përjetësisht në kënaqësinë e tij. Ndërsa ti e ke larguar atë dhe nuk ke dashur ta kesh për Shpëtimtar. Edhe tani akoma nuk pranon të pajtohesh me ofertat e ungjillit. Atëherë, çfarë mund ta bëjë njeriun më të pashfajësueshëm? Nëse ti tani do të humbisje përgjithmonë, çfarë mund të kesh për të thënë?

Nga këtu drejtësia e Perëndisë në shkatërrimin tënd shfaqet në dy aspekte:

  1. Ajo manifestohet më fort, sepse është e drejtë që ti duhet të shkatërrohesh. Drejtësia kurrë nuk shfaqet kaq spikatshëm sa mbi mëshirën e kundërshtuar dhe keqpërdorur. Drejtësia në ndëshkim shfaqet më fort, më e qartë dhe më e ndritshme, pas një kundërshtimi të vullnetshëm të shpëtimit të ofruar. Atëherë, çfarë mund të bëjë më tepër një princ i fyer sesa t’i ofrojë falas faljen një keqbërësi? Dhe, nëse ky kundërshton ta pranojë faljen, a do të thoshte ndokush se ekzekutimi i tij është i padrejtë?

  2. Drejtësia e Perëndisë do të shfaqet në shkatërrimin tënd më të madh. Nëse një Shpëtimtar nuk do të të ishte ofruar kurrë, përveç fajit që do të kishe patur si mëkatar, ti sjell si shtesë mbi veten edhe fajin tjetër të madh, duke kundërshtuar në mënyrën më mosmirënjohëse çlirimin që të është ofruar. Çfarë trajtimi më mizor e të lig mund të ketë kundër Perëndisë, kur ti që je i ndëshkuar me të drejtë me mjerimin e përjetshëm, gati për t’u ekzekutuar, dhe Perëndia plot hir dërgon vetë Birin e tij, i cili vjen e troket në derën tënde me faljen në dorë, dhe jo vetëm me faljen, por me një vepër lavdie të përjetshme, pra, po të them, çfarë mund të jetë më keq sesa kjo që ti nga mospëlqimi dhe armiqësia kundër Perëndisë dhe Birit të tij, të refuzosh t’i pranosh këto përfitime nga dora e tij? Le të ndizet atëherë drejtësisht e të rritet shumë zemërimi i Perëndisë! Kur mëkatari kundërshton me kaq mosmirënjohje mëshirën, gabimi i tij i fundit është më i keq sesa i pari; kjo është më e llahtarshme sesa rebelimi i tij i mëparshëm. Dhe drejtësisht le të bjerë mbi të zemërimi më i frikshëm. Llahtaria e këtij mëkati të kundërshtimit të Shpëtimtarit duket veçanërisht në dy gjëra:

1. Madhështia e përfitimeve të ofruara, që shfaqet në madhështinë e çlirimit, si një formë e fshehtë korruptimi e ligësisë së zemrës dhe të jetës, shkalla më e vogël e të cilit është pafundësisht i lig; dhe në mjerimin që është i përhershëm, në madhështinë dhe lavdinë e trashëgimisë së blerë dhe të ofruar. Hebrenjve 2:3: “Si do të shpëtojmë ne, në qoftë se e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh?!”

  1. Mrekullia e mënyrës, sipas të cilës janë siguruar dhe ofruar këto përfitime. Kur çështja jonë ishte kaq e vajtueshme sa ndihma nuk mund të gjendej në një krijesë dosido, Perëndia vuri në shërbimin tonë Birin e Tij, që Ai të ndërmerrte për ne dhe të vinte në botë e të merrte mbi vete natyrën tonë, dhe jo vetëm të shfaqej në një trajtë jete të ulët, por të vdiste në mënyrë të atillë saqë të duronte tortura dhe neveri për mëkatarët, ndërsa këta ishin akoma armiq të tij. Sa e mrekullueshme është kjo gjë! Dhe cila gjuhë apo penë mund të paraqesë madhësinë e mosmirënjohjes, të poshtërsisë dhe të shthurjes, kur mëkatari që po humbet dhe që ka nevojë më shumë se kurrë për shpëtim, e kundërshton atë, pasi është siguruar në një mënyrë të tillë si kjo! Që një person kaq i lavdishëm të trajtohet ashtu, aq më tepër kur ka ardhur me një detyrë kaq hirplote! Që ai të qëndrojë kaq gjatë duke ofruar veten, duke thirrur dhe duke ftuar, siç ka bërë për shumë prej jush. Dhe të gjitha këto pa dobi! Dhe gjatë gjithë kësaj kohe të mohohet! Sigurisht, ti mund të hidhesh me të drejtë në ferr pa as edhe një ofertë tjetër nga Shpëtimtari! Ëhë, madje i zhytur thellë në ferrin më të ulët! Në këtë pikë ua ke kaluar edhe vetë djajve, pasi edhe këta nuk kundërshtuan ofertat e një mëshire kaq të lavdishme, madje, as të ndonjë mëshire. Ky do të jetë ndëshkimi dallues i mëkatarëve të ungjillit. Gjoni 3:18: “Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.” Ajo butësi e jashtme në qëndrimin tënd ndaj Krishtit, ajo dukje respekti për Të në pamjen tënde, fjalimet e tua dhe gjestet nuk thonë gjë tjetër veç faktit se ti e mohon Atë në zemrën tënde. Mund të kesh shumë nga këto shfaqjet e jashtme të respektit e prapë ti të jesh si , i cili e tradhtoi Birin e njeriut me një puthje; ose si ata tallësit që u gjunjëzuan para Tij dhe në të njëjtën kohë, e pështynë në fytyrë.

  1. Nëse Perëndia do të të flakte përgjithmonë dhe do të të shkatërronte, kjo do të ishte në pajtim të plotë me trajtimin që edhe ti u ke bërë të tjerëve. Kështu që Ai nuk do të bënte asgjë më shumë, veçse do t’i përgjigjej me saktësi sjelljes sate ndaj njerëzve të tjerë që kanë të njëjtën natyrë njerëzore, që gjenden natyrshëm në të njëjtat rrethana me ty dhe që ti duhej t’i doje si veten. Dhe kjo shfaqet veçanërisht në dy gjëra:

1. Ti, dhe shumë si ti, keni qenë shpirtërisht kundër shpëtimit të të tjerëve. Ka disa mënyra me të cilat njerëzit manifestojnë një shpirt kundërshtimi ndaj shpëtimit të shpirtrave. Kjo shfaqet nganjëherë me frikën se shokët, të njohurit dhe kolegët do të marrin mëshirë dhe kështu do të bëhen njerëz aq të lumtur sa s'thuhet. Nganjëherë shfaqet si pakënaqësi, kur merr lajme për gjëra që të tjerët mund të kenë fituar.
Ndonjëherë kundërshtimi e pakënaqësia shfaqen kur njerëzit kanë zili të tjerët që shpëtohen dhe shtojnë mospëlqimin për ta, shpërfillin fjalët e tyre, shmangin shoqërinë me ta, nuk mund të durojnë bisedat e tyre për besimin dhe sidomos nuk pëlqejnë të marrin paralajmërime dhe këshilla prej tyre. Kjo shpesh shfaqet nga mbrapshtia e tyre për të patur mendime dashamirëse për të tjerët, nga mundimi që kanë për të besuar se ata janë mëshiruar dhe nga gatishmëria për të dëgjuar çdo gjë që u duket se është kundër të tjerëve. Djalli kishte urrejtje të pranonte sinqeritetin e Jobit, Jobi 1:7, etj., dhe kapitulli 2, rreshtat 3,4,5.

Shpirti i djallit shfaqet shpesh te njerëzit. Nganjëherë ata janë gati të përqeshin perëndishmërinë e pretenduar nga të tjerët; dhe flasin për bazën e shpresës së të tjerëve, siç folën armiqtë e hebrenjve për murin që këta ndërtuan. Nehemia 4:3. "Tobiahu, Amoniti, që i rrinte pranë, tha: "Le të ndërtojnë! Por në rast se një dhelpër hipën sipër, do ta rrëzojë murin e tyre prej guri!"." Ka shumë njerëz që bashkohen me Sanballatin dhe Tobiahun dhe janë të të njëjtit shpirt si këta. Ka qenë dhe gjithmonë do të ketë një armiqësi ndërmjet farës së gjarprit dhe farës së gruas. Kjo u shfaq te Kaini, i cili vrau vëllain e vet pasi ky ishte më i pranueshëm për Perëndinë sesa ai; dhe kjo shfaqet akoma në këto kohë dhe në këtë vend. Ka shumë që janë si vëllai i madh dhe nuk mund të durojnë që plangprishësi, kur ky të kthehet, të pritet me kaq gëzim e hare, dhe për këtë arsye armiqësohet me vëllanë që është kthyer, dhe me babanë që e mirëpriti.
Lluka 15.

Kështu, shumë prej jush keni qenë kundër shpëtimit të të tjerëve, të cilët kanë nevojë po aq të madhe për shpëtim sa edhe ju. Ju keni qenë kundër çlirimit të tyre nga mjerimi i përjetshëm, të cilin nuk mund ta durojnë më shumë se ju. Jo sepse shpëtimi i tyre do t’ju prishte juve ndonjë punë, apo se ndëshkimi i tyre do t’ju ndihmonte, por vetëm sepse kështu do të kënaqej shpirti juaj i ligë që është kaq i ngjashëm me shpirtin e djallit, i cili për shkak se është mjeran për vete, nuk ka dëshirë që të tjerët të jenë të lumtur. Prandaj sa e drejtë është që Perëndia të jetë kundër shpëtimit tënd! Nëse ti ke kaq pak dashuri apo mëshirë sa të varësh buzët për shpëtimin e të afërmit tënd, të cilin nuk ke shkak pse ta urresh, por ligji i Perëndisë dhe i natyrës të kërkon ta duash, pse është i detyruar Perëndia të ketë dashuri dhe mëshirë kaq të pafund për ty, sa të të shpëtojë me çmimin e vetë gjakut të Tij? Ty, të cilin Ai në asnjë mënyrë nuk është i detyruar ta dojë, por që ke merituar urrejtjen e Tij një mijë e një mijë herë? Ti nuk dëshiron që të tjerët, edhe ata që mund të jenë treguar të ligj me ty, të kthehen në besim dhe prapë, a do ta shohësh si diçka të ashpër faktin që Perëndia nuk hedh hirin e kthimit në besim në ty, që ke merituar nga Perëndia dhjetë mijë herë më keq sesa kanë merituar fqinjët e tu nga ti? Ti je kundër shfaqjes së hirit të Perëndisë ndaj atyre që ti mendon se kanë qenë të ashpër me ty dhe janë kaq të padenjë për mëshirë të tillë. A është kjo arsyeja e vërtetë që Perëndia nuk duhet t’u dhurojë mëshirë atyre? Dhe prapë, a do të jetë i ashpër Perëndia nëse duke parë gjithë ligësinë dhe fëlliqësinë e shpirtit dhe të (praktikës) sate në sy të tij, nuk do të tregojë mëshirë për ty? Ti do të doje që Perëndia të të dhuronte lirshëm ty, pa të qortuar, e megjithatë, kur ai mëshiron të tjerët, ti je gati të qortosh sapo e merr vesh: ti mendon me vete sa keq janë sjellë ata dhe goja jote në këtë rast numëron dhe fryn mëkatet për të cilat ata janë fajtorë. Ti do të doje që Perëndia të varroste gjithë fajet e tua, të fshinte tërësisht gjithë shkeljet e tua. Mund të ndodhë që nëse Perëndia u dhuron mëshirë të tjerëve, ti ta shfrytëzosh këtë rast për të rrëmuar fajet që mendon se ata kanë bërë. Ti nuk reflekton shumë dhe nuk e dënon veten për marrëzinë dhe shpirtin tënd të padrejtë ndaj të tjerëve, për kundërshtimin tënd ndaj shpëtimit të tyre; ti nuk grindesh me veten dhe nuk e ndëshkon veten për këtë. E megjithatë në zemrën tënde do të grindesh me Perëndinë dhe do të rrudhësh vetullat ndaj lëshimeve të Tij pasi ti mendon se Ai është kundër shfaqjes së mëshirës për ty. Argumentet e sjella këtu besoj se janë mëse të mjaftueshme për të të bindur se duhet ta mbyllësh gojën për mëkatet e bëra.

2. Mendo si ke promovuar ndëshkimin e të tjerëve. Shumë nga ju, me shembullin e keq që keni treguar, duke korruptuar mendjet e të tjerëve, me bisedat tuaja mëkatare dhe përmes poshtërsive që keni bërë në shoqërinë njerëzore në mënyra të tjera që mund të përmendim, duke i drejtuar ose duke i shtyrë ata më tej drejt mëkatit, keni qenë fajtorë të atyre gjërave që kanë çuar në ndëshkimin e të tjerëve. Në këtë mënyrë, ju keni qenë në anën e mëkatit dhe Satanit dhe keni forcuar interesat e tyre, keni qenë në shumë mënyra vegla për mëkatet e të tjerëve, keni ngurtësuar zemrat e tyre dhe kështu, keni shkaktuar rrënimin e shpirtrave të tyre. Pa dyshim ka nga ata këtu që kanë shërbyer në një masë të madhe për ndëshkimin e të të tjerëve. Sepse një njeri, vërtet mund të jetë mjeti i ndëshkimit të të tjerëve ashtu siç mund të jetë edhe mjet i shpëtimit të tyre. Krishti i akuzoi skribët dhe farisenjtë për këtë mëkat. Mateu 23:13.

Ju ua mbyllni mbretërinë e qiejve njerëzve; pasi ju as nuk hyni vetë as nuk lejoni ata që po hyjnë, të futen brenda.”

Nuk kemi arsye të mendojmë se kjo bashkësi nuk ka asnjeri brenda që nuk mallkohet ditë për ditë sepse në shumë mënyra mjaft njerëz kanë shërbyer ose ndihmuar për ndëshkimin e shpirtrave të mjerë që ulërijnë në ferr. Ka shumë që kontribuojnë në ndëshkimin e vetë fëmijëve të tyre duke lënë pas dore edukimin e tyre, duke qenë shembull i keq dhe duke i rritur ata në udhët e mëkatit. Ka prindër që kujdesen paksa për trupin e tyre, por bëjnë fare pak kujdes për shpirtrat e tyre të shkretë; sigurojnë për ta bukë për të ngrënë, por u mohojnë atyre bukën e jetës, për të cilën shpirtrat e tyre të zhuritur kanë nevojë. Dhe mos vallë nuk ka prindër të tillë këtu që i kanë trajtuar kështu fëmijët e tyre? Nëse fëmijët e tyre nuk kanë shkuar në ferr, kjo nuk është merita e tyre, pasi ende kjo nuk do të thotë se këta fëmijë nuk e kanë merituar shkatërrimin e tyre për gjërat që kanë bërë.. Duke parë atëherë se nuk keni pyetur për shpëtimin e të tjerëve dhe keni promovuar ndëshkimin e tyre, sa të drejtë ka Perëndia t’ju lërë edhe ju vetë të humbisni?

IV. Nëse Perëndia do t’ju dëbonte përjetësisht, nuk do ishte veçse në pajtim me vetë sjelljen tuaj ndaj vetes suaj; në dy aspekte:

1. Në të qenit kaq të shkujdesur për vetë shpëtimin tuaj. Ju nuk keni pranuar të kujdeseni për shpëtimin tuaj, për të cilin Perëndia ju ka këshilluar dhe urdhëruar herë pas here dhe tani që ju këtë shpëtim ia kërkoni Atij, a nuk ka të drejtë edhe Perëndia t’ju lërë pas dore? A është i detyruar Perëndia që të jetë më i kujdesshëm sesa ti vetë për lumturinë tënde apo për lavdinë e Tij? A e ka për detyrë Perëndia që nga dashuria që ka, të kujdeset për ty, kur ti nga respekti për autoritetin e Tij, nuk tregon kujdes për veten tënde? Sa gjatë dhe sa shumë e keni neglizhuar ju mirëqenien e shpirtit tuaj të shtrenjtë, duke mos marrë mundimin që të mohoni veten, apo të lini pak rrugën tuaj për vetë shpëtimin tuaj, ndërsa Perëndia ka qenë duke ju thirrur! As detyra juaj ndaj Perëndisë, as dashuria për vetë shpirtin tuaj, nuk mjaftuan t’ju bindin për të bërë ca gjëra të vogla për vetë mirëqenien tuaj të përjetshme? A prisni tani që Perëndia të bëjë gjëra të mëdha, të përdorë pushtetin e tij të fuqishëm dhe të ushtrojë mëshirën e pafund për këtë? Ty të nxitën të kujdesesh për shpëtimin tënd dhe të mos e shtysh për më vonë këtë detyrë. Ty të ishte thënë se atëherë ishte koha më e mirë para se të plakeshe, dhe se mund të ndodhte që nëse do ta lije për më vonë, Perëndia nuk do të të dëgjonte. Megjithatë ti nuk do të dëgjoje, por do ta vije atë në rrezik. Tani që është tepër vonë, me të drejtë, Perëndia mund të vendosë që të të braktisë duke të lënë ty të kërkosh më kot! Ty të ishte thënë se do të pendoheshe po ta vonoje, por nuk deshe të dëgjosh: me sa të drejtë atëherë, mund të të japë Perëndia shkak të pendohesh për këtë, duke refuzuar të të shfaqë ty mëshirë tani! Perëndia e sheh se ti vazhdon në udhën kundër urdhrave dhe lavdisë së Tij dhe të kërkon ty ta braktisësh atë; Ai të tregon se kjo rrugë i shërben shkatërrimit të shpirtit tënd, prandaj të këshillon ta lësh mënjanë, dhe ti refuzon. Sa e drejtë do të ishte nëse Perëndia do të provokohej nga kjo, duke u treguar aq i shkujdesur për të mirën e shpirtit tënd sa ç’je dhe ti vetë!

  1. Ju jo vetëm që e keni nënvleftësuar plotësisht shpëtimin tuaj, por me vullnet keni ndërmarrë udhën e vetë-shkatërrimit, keni vazhduar në udhë e praktika të cilat kanë qenë të shthurura e të mbrapshta dhe drejtpërsëdrejti kanë sjellë ndëshkimin tuaj. Ju nuk mund të shfajësoheni për padituri, sepse keni patur tërë dritën që do të dëshironit. Perëndia ju ka treguar se po shkatërronit veten, megjithatë ju nuk ia vutë veshin këshillës së Tij. Ai u tregoi se shtegu në të cilin ishit, ju çonte në shkatërrim dhe ju këshilloi t’i shmangeshit atij përsëri, por ju nuk do t’ia vinit veshin. Sa të drejtë ka Perëndia atëherë, t’ju lërë të vetë-shkatërroheni! Për një kohë të gjatë dhe me kokëfortësi, ju keni ngulur këmbë kundër Perëndisë, i cili në mënyrë të vazhdueshme ju ka këshilluar dhe ju ka urdhëruar që të hiqnit dorë nga udha që të çon në ferr, mirëpo ju, kur e keni parë se jeni pothuajse në fund të udhëtimit tuaj dhe i jeni afruar portës së ferrit, e keni ndier se tashmë Perëndia nuk mund t’ju çlirojë nga rreziku dhe mjerimi që ju ka mbërthyer. Dhe këtë gjë ju e shihni si rreptësi dhe padrejtësi që ju bën Perëndia! Në të vërtetë, ju e keni shkatërruar vetë. Dhe jeni shkatërruar me vetë vullnetin tuaj, përkundër këshillave të vazhdueshme të Perëndisë. Po. E keni shkatërruar veten duke luftuar kundër Perëndisë. Tani, për pasojë, nëse jeni shkatërruar, pse të fajësoni dikë tjetër, veç vetes? Nëse do të vetë-shkatërroheni duke kundërshtuar Perëndinë, dhe ndërsa Perëndia ju kundërshton përmes thirrjeve dhe këshillave të Tij, dhe ndoshta edhe përmes bindjeve të Shpirtit të tij, çfarë ankese mund të keni nëse Perëndia tani ju lë të shkatërroheni? Ju pëlqyet udhën tuaj, dhe nuk ju pëlqeu që Perëndia t’ju kthente nga kjo udhë, e cila ishte për shkatërrimin e vetë shpirtit tuaj. Për pasojë, sa e drejtë është, nëse tani në fund, Perëndia nuk ju kundërshton më, heq dorë nga ju dhe lejon të rrënohet shpirti juaj. Është e njëjta gjë: ashtu sikurse ju do të shkatërronit veten tuaj, ashtu edhe Perëndia do t’ju shkatërronte me dorën e Tij. Udhët që ju vazhduat, kishin një prirje të natyrshme drejt mjerimit tuaj. Dhe kështu, ju do të humbisnit dhe do të pinit helmin si kundërshtim ndaj Perëndisë dhe këshillave të Tij, madje edhe për neveri kundrejt Tij. Dhe cilin mund të fajësoni për këtë, veç vetes? Nëse do të vraponit drejt e në zjarr përkundër gjithë kufizimeve si të mëshirës edhe të autoritetit të Perëndisë, nëse digjeni, ju duhet të fajësoni vetëm veten.

Për këtë arsye mendoj se duhet t’i vlerësoni disa gjëra, të cilat nëse ju nuk jeni tepër të verbër, të pamend dhe të shthurur, do t’ua mbyllin gojën dhe do t’ju bindin se qëndroni me të drejtë të ndëshkuar përpara Perëndisë, ndërsa Ai në asnjë mënyrë nuk do të sillej ashpërsisht me ju. Por tashmë, me shumë të drejtë, Ai nuk ju mëshiron dhe nuk jua dëgjon më lutjet, edhe pse kurrë nuk jeni lutur me aq zell dhe kaq shpesh dhe vazhdoni kështu më tepër se kurrë. Perëndia mund t’i shpërfillë krejtësisht lotët dhe vajtimet tuaja, zemrën tuaj të rënduar, dëshirat tuaja më të zjarrta dhe përpjekjet e mëdha. Ai mund t’ju hedhë në shkatërrimin e përjetshëm, pa pyetur për mirëqenien tuaj, duke mohuar hirin e shndërrimit tuaj dhe duke ju lënë në dorë të Satanit. Dhe, së fundi, mund t’ju hedhë në liqenin që shkulmon me zjarr e squfur, për të mbetur aty në përjetësi, pa pushim as ditë as natë, duke përlëvduar përjetësisht drejtësinë e Tij mbi ju, në praninë e engjëjve të shenjtë dhe në praninë e Qengjit.

Kundërshtim. Por këtu shumë veta prapë mund të kundërshtojnë (se unë jam i ndërgjegjshëm që është e vështirë t’ua qepësh gojën mëkatarëve), duke thënë “Perëndia tregon mëshirë për të tjerët të cilët i kanë bërë këto gjëra njësoj si unë, po që kanë vepruar shumë më keq se unë.”

Përgjigje. 1 Kjo nuk vërteton se Perëndia është i detyruar në ndonjë mënyrë të shfaqë mëshirë për ty e as për ata. Nëse Perëndia u dhuron mëshirë edhe të tjerëve, Ai nuk vepron ashtu ngaqë është i detyruar, sepse po të kishte dashur, me drejtësi të lavdishme mund t’ua kishte mohuar edhe atyre. Nëse Perëndia u dhuron mëshirë disave kjo nuk tregon se ai është i detyruar ta bëjë këtë për çdo njeri; dhe nëse nuk është i detyruar t’ia dhurojë atë ndokujt, atëherë as për ty ai nuk është i detyruar të ta dhurojë medoemos këtë mëshirë. Perëndia nuk është në borxh tek askush; dhe nëse Ai i jep dikujt, të cilit nuk ia ka këtë borxh, por sepse është kënaqësia e Tij, kjo nuk e fut Atë në asnjë lloj detyrimi ndaj të tjerëve. Kjo nuk e ndryshon çështjen tënde, pavarësisht nëse të tjerët e marrin apo nuk e marrin: ti nuk e meriton ndëshkimin më pak nëse mëshira nuk i është dhënë kurrë askujt. Mateu 10:15: “Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?”

2. Po të ishte i drejtë kundërshtimi juaj, atëherë ushtrimi i mëshirës së Perëndisë nuk është e drejta e Tij dhe hiri i Tij nuk është i Tij për ta dhënë. Atë që Perëndia nuk mund të japë sipas dëshirës, Ai nuk e ka; pasi, ajo që i takon dikujt, është edhe në dorën e tij. Por, nëse nuk është e Perëndisë, atëherë Ai nuk është në gjendje të bëjë një dhuratë apo t’ia japë ndokujt; është e pamundur t’i dhurosh ndokujt atë që i ke borxh. Për çfarë e merr ti Perëndinë? A mos duhet të lidhet këmbë e duar Perëndia i Madh, që Ai të mos mund ta përdorë kënaqësinë e Tij për të dhuruar dhuratat e veta. Dhe, nëse ia dhuron dikujt, duhet parë sikur të ishte i detyruar t’ia dhurojë edhe një tjetri? A nuk është i denjë Perëndia të ketë të njëjtën të drejtë në lidhje me dhuratat e Tij të hirit, ashtu siç e ka këtë të drejtë njeriu mbi paratë dhe të mirat e tij vetjake?Apo se mos Perëndia nuk është aq i madh dhe u dashka të jetë më tepër i nënshtruar sesa njeriu, që kjo të mos i lejohet Atij? Nëse ndonjëri nga ju me dashamirësi i keni dhënë borxh një fqinji, a mos vallë e shihni këtë si një shkak që edhe gjithë fqinjët e tjerë duhet të vijnë te ju dhe të thonë se u keni borxh aq sa i keni dhënë filanit? Por kjo është mënyra si e trajtoni Perëndinë, a thua se Perëndia nuk është i denjë të ketë pronësi absolute mbi të mirat e tij, sikurse keni edhe ju për tuajat.

Me këtë lloj të menduari, Perëndia nuk mund të dhurojë asgjë. Nëse ka ndërmend t'u shfaqë favor të veçantë disave, apo të vërë disa persona të caktuar nën detyrime të veçanta ndaj Tij, Ai nuk mund ta bëjë këtë me të gjithë pasi Ai nuk ka ndonjë dhuratë të posaçme në dispozicion. Po të jetë kështu puna, përse i luteni Perëndisë t’ju japë hirin e tij shpëtues? Nëse sipas gjykimit tuaj, Perëndia nuk vepron drejtësisht kur jua mohon atë juve, pasi Ai ua dhuron të tjerëve, atëherë nuk ia vlen barra qiranë që ju të luteni për këtë, por mund të shkoni e t’i qaheni Atij se ua ka dhuruar të tjerëve aq të këqij ose më të këqij sesa ju dhe kështu, t’ia kërkoni si borxh. Dhe me këtë mënyrë të menduari dhe të vepruari njerëzit nuk kanë nevojë ta falënderojnë Perëndinë për shpëtimin, kur u dhurohet. Pse ta falënderosh Perëndinë për atë që nuk ishte në dispozicionin e tij dhe që Ai me të drejtë nuk do të mund ta mohonte? Shkurt, puna është se njerëzit kanë mendime të ulta për Perëndinë dhe mendime të larta për veten, prandaj edhe Perëndinë e shohin sikur ka më pak të drejta se ata vetë. Mateu 20:15: “A nuk më lejohet të bëj me timen ç'të dua?”

3. Perëndia me të drejtë mund të shfaqë respekt më të madh për të tjerët sesa për ty, pasi ti ke shfaqur respekt më të madh për të tjerët sesa për Perëndinë. Ty të ka pëlqyer të ofendosh më shumë Perëndinë sesa njeriun. Për njerëzit e tjerë, edhe pse këta janë njësoj si ti, Perëndia ka respekt më të madh sesa për ty, sepse edhe ti ke shfaqur respekt më të madh për ata sesa për Perëndinë, ndonëse ata janë pafundësisht më poshtë ndaj Tij. Ti ke përfillur më tepër njerëzit e ligë sesa Perëndinë; ti i ke nderuar ata më tepër, i ke dashur ata më shumë dhe u je përmbajtur atyre në vend që t’i përmbaheshe Atij. Po. Në shumë aspekte ke nderuar më shumë djallin, sesa Perëndinë. Ti ke zgjedhur vullnetin dhe interesat e tij në vend të vullnetit dhe lavdisë së Perëndisë. Ti ke zgjedhur një copë pasuri tokësore në vend të Perëndisë. Ke qëndruar më shumë pranë epshit të shthurur sesa pranë Perëndisë, duke zgjedhur këto gjëra dhe duke mohuar Perëndinë. Ti ua ke dhënë zemrën këtyre gjërave dhe i ke kthyer shpinën Perëndisë. Dhe tani, ku është padrejtësia këtu, nëse Perëndisë i pëlqen të shfaqë respekt më të madh ndaj të tjerëve sesa ndaj teje, nëse Ai zgjedh të tjerët dhe të mohon ty? Ti ke shfaqur respekt më të madh ndaj gjërave të mbrapshta e tokësore dhe aspak respekt ndaj lavdisë së Perëndisë. Atëherë pse pra nuk paska mundësi Perëndia t’ua falë dashurinë e tij të tjerëve dhe të mos respektojë lumturinë tënde? Ti ke shfaqur respekt të madh ndaj të tjerëve e jo ndaj Perëndisë, ndaj të cilit ti ke detyrime të pafundme për ta respektuar mbi të gjithë. Dhe pse të mos u shfaqë Perëndia respekt të tjerëve, dhe jo ty, që nuk e ke plotësuar kurrë në detyrimin më të vogël?

Dhe, pavarësisht nga të gjitha këto, a nuk të vjen turp ta hapësh prapë gojën, të kundërshtosh e të gërricesh për dekretet e Perëndisë dhe për gjëra të tjera që nuk mund t’i kuptosh plotësisht? Le të jenë dekretet e Perëndisë ato që janë, kjo nuk e ndryshon çështjen më shumë nga ato që Perëndia vetëm i kishte paracaktuar lidhur me lirinë tënde. Dhe pse duhet fajësuar Perëndia për dekretimin e gjërave? Aq më tepër që Ai nuk dekreton asgjë, veç së mirës. Sa e papërshtatshme do të kishte qenë për një Qenie pafundësisht të urtë të kishte bërë një botë dhe t’i kishte lënë gjërat të rridhnin shkujdesur, pa lejuar ngjarjet ose paracaktimin e këtyre ngjarjeve! Dhe ç’të duhet ty se si i ka paracaktuar gjërat Perëndia, përderisa përvoja jote e vazhdueshme të mëson se kjo nuk të pengon që ti të bësh atë që ke zgjedhur. Ti e di fare mirë dhe praktika e sjellja jote e përditshme mes njerëzve provojnë se ti je plotësisht i ndërgjegjshëm për këtë për sa i takon vetes sate dhe të tjerëve. Të vazhdosh të kundërshtosh, kur ka disa gjëra në zbulesat e Perëndisë që janë përmbi kuptimin tënd, është jashtëzakonisht e paarsyeshme. Vetë ndërgjegjja jote të akuzon për faj të madh, dhe me këto që janë përmendur, le të jenë gjërat e fshehta të Perëndisë ato që janë. Ndërgjegjja jote të akuzon për këtë prirje të mbrapshtë dhe për atë sjellje të shthurur ndaj Perëndisë, ashtu sikurse edhe ti, në çfarëdo kohe do të urreje fqinjin tënd për të njëjtën sjellje të mbrapshtë që ky do të bënte ndaj teje dhe që pastaj, as këshillat e fshehta dhe as zbulesat misterioze të Perëndisë nuk mund ta ndryshonin. Është kotësi që ti ta lartësosh veten ndaj një Perëndie pafundësisht madhështor, të shenjtë dhe të drejtë. Nëse ti vazhdon kështu, do të jetë për turpin dhe ngatërrimin tënd të përjetshëm, prej nga do ta shohësh se në portën e kujt të çojnë gjithë faji dhe mjerimi yt.

Do të përfundoj atë që kam për t’u thënë njerëzve pa Krishtin në zbatimin e kësaj doktrine, me një paralajmërim për të mos e kthyer këtë doktrinë në dëshpërim, pasi megjithëse do të ishte e drejtë që Perëndia t’ju dëbojë përgjithmonë dhe t’ju shkatërrojë, prapë do të ishte e drejtë për Perëndinë t’ju shpëtojë, përmes Krishtit, i cili ka paguar plotësisht për gjithë mëkatin. Romakëve 3:25,26: “Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë,për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.” Po, Perëndia mundet, përmes këtij Ndërmjetësi, jo vetëm me të drejtë, por edhe me nder, të shfaqë mëshirë për ty. Gjaku i Krishtit është kaq i çmuar, saqë është plotësisht i mjaftueshëm për të paguar borxhin në të cilin ke hyrë, dhe për të shpaguar përsosmërisht Madhështinë Hyjnore nga gjithë çnderimi i hedhur mbi Të, nga këto mëkate të shumta e të mëdha që janë përmendur. Ishte aq e madhe dhe vërtet një gjë edhe më e madhe që Krishti vdiq, sesa do të kishte qenë për ty dhe tërë njerëzimin të ishit djegur në ferr përjetësisht. Krishti është kaq i lavdishëm dhe me një dinjitet të tillë, sa duke parë se ka pësuar kaq shumë për mëkatarët e mjerë, Perëndia është gati të bëjë paqe me ta, pavarësisht se sa të mbrapshtë dhe të padenjë kanë qenë ata dhe se sa i drejtë do të ishte ndëshkimi i tyre për shumë mëkate që kanë bërë.

Kështu që nuk ka arsye pse të dekurajohesh nga kërkesa për mëshirë, pasi ka mjaft në Krishtin. Me të vërtetë, nuk do t’i shkonte lavdisë së madhështisë së Perëndisë të shfaqte mëshirë për ty, një krijesë kaq e mbrapshtë e mëkatare, për ndonjë gjë që ke bërë ti edhe lutjet e tua dhe ritet e tjera fetare që janë kaq të padenja e të papërfillshme. Do të ishte pra, e pandershme dhe e padenjë për Perëndinë ta bënte këtë dhe është kotësi ta presësh një gjë të tillë. Ai do të shfaqë mëshirë vetëm për shkak të Krishtit dhe këtë do ta bëjë sipas kënaqësisë së tij sovrane, mbi cilindo dëshiron, kur dëshiron, dhe në mënyrën që dëshiron. Bëj çfarë të duash. Por ti nuk mund ta detyrosh Perëndinë me veprat e tua; edhe Perëndia nuk e sheh veten të detyruar ndaj teje. Por nëse do të jetë kënaqësia e tij, ai ndershmërisht mund të shfaqë mëshirë përmes Krishtit ndaj çdo mëkatari, pa përjashtuar askënd nga kjo bashkësi. Prandaj ja ku është inkurajimi për ju që të kërkoni e të prisni akoma, pavarësisht nga gjithë ligësia juaj; në pajtim me fjalimin e Samuelit para fëmijëve të Izraelit, kur ata u tmerruan nga shkreptimat dhe shiu që dërgoi Perëndia dhe kur faji i vështroi ata në sy. 1Samueli 12:20:

Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe, mos lini së ndjekuri Zotin, por shërbejini Zotit me gjithë zemrën tuaj.”

Do ta mbyllja këtë mesazh, duke u sjellë në mendje të perëndishmëve lirshmërinë dhe mrekullinë e hirit të Perëndisë ndaj tyre. Pasi të tillë ishit edhe ju. Siç edhe e dëgjuat më sipër, puna me ju ishte tamam kështu: ju kishit një zemër kaq të ligë, ju jetuat një jetë kaq të ligë, dhe do të kishte qenë krejtësisht e drejtë për Perëndinë t’ju kishte dëbuar përjetësisht. Por Ai ka patur mëshirë për ju, Ai ka bërë të shfaqet hiri i tij i lavdishëm në shpëtimin tuaj të përhershëm mbi ju. Ju keni patur neveri për Perëndinë dhe e keni marrë me lehtësi, por hiri i Tij ka vendosur kaq shumë vlerë mbi ju dhe lumturinë tuaj, sa ju jeni shpenguar me çmimin e gjakut të vetë Birit të Tij. Ju zgjodhët të ishit me Satanin në shërbim të tij, megjithatë Perëndia ju ka bërë bashkëtrashëgimtarë të lavdisë së Tij me Krishtin. Ju ishit mosmirënjohës për mëshirat e shkuara, megjithatë Perëndia jo vetëm i vazhdoi këto mëshira, por derdhi mëshira të tjera shumë më të mëdha mbi ju. Ju nuk pranuat të dëgjonit, kur Perëndia ju thirri; megjithatë Perëndia ju dëgjoi, kur ju e thirrët. Ju e shpërdoruat pafundësinë e mëshirës së Perëndisë për ta nxitur veten në mëkat kundër Tij, megjithatë Perëndia ka treguar pafundësinë e mëshirës, në ushtrimet e saj ndaj jush. Ju keni mohuar Krishtin, dhe i keni thënë Atij ‘jo’ e megjithatë Ai është bërë Shpëtimtari juaj. Ju keni lënë pas dore shpëtimin tuaj, por Perëndia nuk e ka nënvleftësuar atë. Ju keni shkatërruar veten, por megjithatë në Perëndinë ka qenë ndihma juaj. Perëndia e ka madhëruar hirin e Tij falas ndaj jush dhe jo ndaj të tjerëve, sepse Ai ju ka zgjedhur ju dhe ka qenë kënaqësia e Tij ta vendosë dashurinë e Tij mbi ju.

Oh, sa arsye ka këtu për të lavdëruar! Sa i madh është detyrimi juaj për ta bekuar Zotin dhe për ta lartësuar emrin e Tij të shenjtë, sepse Ai ju ka trajtuar me bollëk! Sa arsye për ju të lavdëroni Perëndinë në përulje, të ecni përulësisht para tij. Ezekieli 16:63:

Me qëllim që të mbash mend, të të vijë turp dhe të mos hapësh gojën për shkak të konfuzionit tënd, kur të kem bërë shlyerjen e fajit për të gjitha ato që ke bërë", thotë Zoti, Zoti!”

Ju nuk do ta hapni kurrë gojën për t’u mburrur apo për të shfajësuar veten, por do të rrini të përulur para Perëndisë për mëshirën e tij ndaj jush. Përkundrazi, ju keni më shumë arsye që lavdet të jenë vazhdimisht në gojën tuaj, për ta lavdëruar Perëndinë, sot e përjetësisht, për mëshirën e tij të pasur, të pashembullt e sovrane për ju, përmes së cilës Ai, dhe vetëm Ai, ju ka bërë të dalloheni nga të tjerët.

Post a Comment

0 Comments